U thinja, Baba.
Është po ajo bardhësi flokësh si të tuat.
E njëjta baluke, valë deti e shtruar.
Veçse e imja, herë herë, dallgë në stuhi,
grindet dhe çmendet,
trembet dhe shembet.
Ngrihet sërish prej erërash
me emra në botë epruvetash,
që ngjizin pa breza.
Ç’kohëra mbi kohëra..
( E bardhë në të zezë,
e zezë në gri ).
U thinjëm, Baba,
si gjyshërit e vjetër,
etër mbi etër,
dhe unë, dhe ti.





















