Isha vogëlush, pa arritur moshën e djalit,
nën hijen e një shelgu i zgjuar prej gjumit.
Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Në qiell u dukën ca korba me krahë metali,
duke u vërsulur me krrokama vërshëllyese,
mbi ngjyrat e teshave dhe tymin e kazanit,
filluan të lëshojnë glasat e tyre shpërthyese.
Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët
dhe tym e pluhur u bë gjithçka rreth e qark…
Nëna më rrëmbeu, si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark…
“E mjera unë, do më vrasin djalin!”, gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra me gjëmim hataje i bubullonte,
sikur në daullet e veshit më binte një daulle…
Ato bubullima alarmi, që kanë heshtur ndër vite,
kujtoj sot, kur gëzojnë fëmijët e asaj moshe.
Zemra e nënës, me ato gjëmime të dridhshme,
më ngjall të gjitha dhembshuritë e kësaj bote…