Disa detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tragjike e një dite më parë ku nëna me dy fëmijët e saj u dogjën brenda banesës së braktisur në fshatin Domen të Postribës në Shkodër.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se tre trupat e viktimave janë gjetur shumë afër njëri-tjetrit të shkrumbuar nga flakët. Në momentin kur ka rënë zjarri mendohet se nëna ka mbrojtur fëmijët e saj dhe nuk ka arritur që të dalë jashtë. Djali i vogël 1 vjeçar u gjet në duart e nënës së tij ndërsa fëmija tjetër në afërsi.
Policia dhe efektivët zjarrëfikës si provë në këtë ngjarje që deri më tani cilësohet si aksidentale, kanë gjetur edhe një copë mbetje të një bombole të vogël gazi, petrogaz që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Bashkë me bombolën e vogël, grupi hetimor ka konstatuar edhe sustën e shtratit që ndodhej brenda asaj shtëpie ndërsa gjithçka tjetër është shkrumbuar nga flakët.
Ndërkohë jashtë shtëpisë ndodheshin çantat me të cilat kishin shkuar familja Çelaj në shtëpinë e tyre të vjetër.






















