Bushati alarm për ngritjen e Kosullatës sërbe në Shkodër. “Karshillëk ndaj Malit të Zi, vendim i gabuar në plan strategjik”

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ka shprehur mosdakordësinë e tij pas deklaratave të kryediplomatit serb për arritjen e një ujdie me qeverinë shqiptare për të hapur në Shkodër, Konsullatën e Serbisë.

Bushati e ka konsideruar të gabuar këtë vendim në planin strategjik dhe në planin taktik pasi sipas tij gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë.

Sigal

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare thekson se “një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”.

Për Ditmir Bushatin ky vendim do të ishte “një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”.

Deklarata e plotë e Ditmir Bushatit

“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.

Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, thekson Ditmri Bushati.