Si mbaroi telefonatën Genci Sinoimeri na tha: Laura na fton për kafe. Kjo është dita që ajo del si zakonisht në fundjavë në supermarket. Ai e kapi menjëherë vështrimin pyetës të gruas sime, Mimozës dhe për t’i dhënë përgjigje asaj vijoi: me të janë sigurisht edhe prindërit, Bernardi edhe Rrusha. E quajta privilegj atë orë që kaluam nën shoqërinë e njeri – tjetrit. Moza dhe unë si njerëz të artit kishim fatin të ishim në tavolinë me dy gurrë themeli, me dy personalitete të grupit themeltar të teatrit të qytetit “Zihni Sako”. Sapo mbaruan përshëndetjet rutinë, Bernardi më pyeti për të rejat nga teatri. Megjithëse kanë kaluar vite që ka emigruar drejt SHBA, teatri vijon të mbetet një nga përkushtimet e tij. Po Niko Dhoskën ma ke takuar gjë? – më pyeti papritur. Kujtova aty për aty çastet e fundit të takimit me Nikon nën shoqërinë e mikut të tij Stefo Qurku, tek klubi i vëllezërve Malile. Korrekt dhe i qeshur më dha një fotografi të bashkëshortes së tij, Liliana që më duhej për një shkrim për 100 vjetorin e bibliotekës “Apostol Meksi”. Shikoje sa e bukur ka qënë “kokëbardha”- më tha. Kështu e ngacmonte me humor Lilianën e tij krejt të zbardhur. Ashtu siç ndodh në raste të tilla malli i përzier me respektin e pasuroi bisedën me shumë episode nga jeta në teatër. Si papritur u hap perdja dhe filluan me rradhë të shfaqen mbi 25 dramat ku ai interpretoi.”Drita” e Mimika Lucës që celebroi edhe themelimin e teatrit gjirokastrit, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, ku krahas Nikos aktor, interpretonte edhe vete Bernardi. Në vite, miqësia e tyre u kthye në familjare.
- Niko dhe Liljana
Gjirokastra është shquar në çdo kohë për djem e vajza të bukura, por çifti Niko e Liljana Dhoska kishin edhe diçka më të veçantë. Dashuria e tyre (një i krishterë e tjetra muhamedane) triumfoi në një kohë të vështirë. Ata sollën për të rinjtë e tjerë gjirokastritë një shenjë të fortë emancipimi.
- Durata e dasmës
Me bukurinë fizike dhe vokale, Niko u bë një moderator i shkëlqyer. Ai ishte një nga spikerit e talentuar të buletineve informative të Radio Gjirokastrës. Jo pa qëllim Dega e Unionit të Gazetarëve të qytetit në formë surprize e uroi në një nga përvjetorët e ditëlindjes së tij, aty ku ai punonte pas daljes në pension; në bilardon e Bujar Reçkës pranë teatrit. Aty ku vinin me rradhë të gjithë artistët, Margo Arseni, Fane Bita, Viktor Çaro dhe robaqepësi i teatrit dhe lagjari i tij Loni Jorgji. Në një moment të qetë në bilardo më pyeti: E di e kujt është karrikja ku je ulur? Ishte një karike e vjetër në mos gaboj ngjyrë kafe. Pa më lënë të thosha diçka, vijoi: Èshtë dhurata që më ka prurë për dasëm Margo Arseni. E ktheu kariken dhe poshtë ndenjëses së saj ishte shkruar emri i Margos. Kështu vepronin dikur,- më tha. Katër nga të ftuarit merrnin si dhuratë nga një karike, tre të tjerë tavolinën dhe zgjidhej problemi, për çiftet që hapnin shtëpi të re. Pavarësisht se miqësia e tyre kishte nisur në një periudhë varfërie për shqiptarët, koha e vërtetoi se ajo me kalimin e kohës u pasurua. Niko, model zemërgjerësie dhe përkushtimi i qëndroi në kokë mikut të tij, i cili në momentet e fundit i tha: Ik Niko. Ik miku im. Ka ardhur momenti të takohem me nënën. Ajo kishte vdekur shumë vite më parë. Atë natë aktori Margo Arseni mbylli sytë.
- Motori i armikut të klasës
Niko ishte një komunist liberal. Pak nga të rinjtë mund t‘i kuptojnë këto përcaktime sot. Ai shërbeu për një periudhë relativisht të gjatë kohe në Aparatin e Komitetit të Partisë së rrethit. Ishte i vetmi institucion partiak që kishte në dorë të të bënte gjëmën. Gjatë punës së tij, Niko dha modele qytetarie duke marrë në mbrojtje shpesh herë shumë individë. Ai u kthye në një “rrufepritës” për goditjet që ju bëheshin artistëve, herë me të drejtë, e herë pa të drejtë. Fakt është që ndryshimi i sistemeve nuk u shoqërua asnjëherë me kundërvënie ndaj tij si individ. Përkundrazi ai kishte ndoshta spektrin më të gjerë jo vetëm moshor të njohjes, nga çdo vërsnik i tij.- Pas një aktiviteti të zhvilluar diku në Tepelenë, sekretari i parë, i ndalur për kafe në “Ujin e ftohtë” e pa Nikon të hypë në motorin e kryeinxhinjerit të fabrikës së duhan-cigareve Gjirokastër, mikut të tij Kristaq Kola. Ai e thiri të nesërmen në zyrë dhe i tha: Si nuk të vjen zor dhe hypën në motor mbrapa bythës së armikut të klasës. E kam mik ishte përgjigjur qetë Niko Dhoska, duke dëshmuar me bindje se disa norma njerëzore nuk ka statut partie që t’i ndalojë.
- Revista “10 Korriku”
Sekretarit të parë të porsa ardhur në qytet nga rradhët e klasës punëtore, nuk i kishte dalë inati nga sfida e instruktorit të tij për armikun e klasës. Nuk ka si spjegohet ndryshe toni urdhërues që ai i përcolli përmes telefonit: – ngjitu shpejt në zyrën time. Porsa hyri Niko pa mbi tavolinën e sekretarit të parë të bëra rrëmujë botimet dhe shtypin e ditës që vetë ja linte mbi tavolinë çdo mëngjes. Sekretari mori revistën 10 Korriku dhe sfidonjës ju hakërrye: – Ç’është kjo revistë e “10 Korrikut” që ma sjell në muajin tetor? Niko i zgjuar, duke mos dashur të marrë përsipër mllefin e injorancës së tij u përgjigj i qetë: – Më falni, nuk do përsëritet më. Që prej asaj dite revistën “10 Korriku”, tregonte ai, ja çoja vetëm në 10 korrik.
- Duke gdhirë viti 1945
Që Bernard Kokalari kishte ditur t‘i zgjidhte me finesë aktorët e trupës së tij teatrore këtë e vërtetuan edhe regjisori me famë Pirro Mani dhe aktori Sandër Prosi. Drama “Duke u gdhirë viti 1945” u vu në skenë nga Pirro Mani, i cili për të “garantuar” suksesin e saj zgjodhi ta interpretojë rolin e Vuksan Sadrisë aktorin e njohur Sandër Prosi. Roli i këtij aktori magjik për skenën dhe ekranin shqiptar u dublua nga aktori Niko Dhoska, interpretimi i të cilit u cilësua nga kritika e kohës, po aq brilant sa Sandri i madh, ndërkohë që Pirro Mani u shpreh me superlativa jo vetëm për të, por edhe për trupën e Gjirokastrës, duke e krahasuar nivelin e saj me atë të Teatrit Popullor. Por aktiviteti i tij më i madh teatror lidhet me themeluesin dhe rregjisorin e teatrit Bernard Kokalari nën drejtimin e të cilit interpretoi gati nē 25 drama.
- Pritja dhe përcjellja
Kam qënë dhe jam i prirur të besoj se mes dy ngjarjeve të rëndësishme të jetës: pritjes dhe përcjelljes, kjo e dyta ka përparësi. Në fakt në të dy rastet, si në lindje dhe në vdekje personazhi i pērfshirë nuk “ndjen” asgjë. Por po të kemi parasysh se kjo nuk bëhet për atë që vjen apo ikën nga jeta, po për shoqërinë tonë këtu argumenti merr tjetër vlerë. Në thelb është vlerësimi i një jete, që vjen dhe vlerësimi i një jete të përfunduar. Një jetë e arrirë profesionale si ajo e Niko Dhoskës, jam i bindur që do të mbetet model për shoqërinë gjirokastrite. Fatkeqësisht shembuj tē tillë sa venë e rrallohen.
- Kafe lamtumirës
Vetëm sot që mësova lajmin mbi ndarjen nga jeta të këtij artisti, bashkëshorti e prindi shembullor, e kuptova se në një mënyrë krejt të thjeshtë, e ndoshta nën efekte të pakuptueshme parandjenje, në një tavolinë supermarketi këtu në Miçigan, ne kishim folur gjatë për Niko Dhoskën i cili katër ditë më vonë në prag të 55 vjetorit të themelimit të teatrit, do të ndahej prej nesh. Ishte pikërisht miku i tij, regjisor Bernardi që përmes një sms më dërgoi këtë lajm të dhimbshëm.
Lamtumirë Niko Dhoska!
I lehtë dheu!
Ky shkrim homazh i dedikohet:
-Bashkëshortes së tij, Liliana (Kasi) Dhoska.
-Tonit, djalit të tij që e donte aq shumë,
-Vajzave të tij dhe bashkëshortëve të
tyre, Tomi e Rakip.
-Familjes Kasi.
– Miqve të tij, Bernard e Bukuroshe Kokalari dhe Stefo Qurku.
– Gjithë artistëve të teatrit të qytetit.




















