Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Hajde mere vesh

72
Sigal

Ke ardhur në kohë me diell, – më tha Tan Mlloja – Por s`është kështu në vjeshtë, kur nisin shirat, dhe në dimër, kur i ftohti të hyn në palcë. Tani të kënaqet syri me jeshillëkun e pishave, dhe trupi ndihet mirë nën hijen e tyre. Por mendo kur balta s`të ndahet nga këmbët. As çizmet e llastikut nuk vlejnë, pasi as dreqi nuk e shqit dot atë, aq ngjitëse është. Ja kështu, ecnim nëpër të vetmen rrugë të atij fshati, anash, të cilit pluhuri një gisht i trashë, kishte mbuluar gjethet e fiqve, kumbullave, hardhive të rrushit dhe misrave në oborret e fshatarëve. Ca vajza të djersitura nga vapa, me nga dy kova të mbushura me ujë, pesha e të cilave i detyronte të ecnin duke u lëkundur, nuk e di pse më kujtuan një film të adoleshencës time që quhej “Rio Eskondito, qytet i skëterrës”. Nuk kisha qenë ndonjë herë atje, por ja ku më çuan mua oficerin me shërbim, te reparti, që i rrethuar me tela me gjemba, ndodhej m`u në mes të fshatit. Si takova ata të komandës, dola dhe kërkove shokun tim Tanin, i cili ishte caktuar për të kryer stazhin e partisë si mësues në shkollën tetë vjeçare. Ai u gëzua kur më pa, dhe më propozoi të pinim ndonjë kafe te klubi. Rrugës më tregoi tre shtëpi, në mund të quheshin të tilla, që vareshin njëra pas tjetrës në një hundë kodre. Ishin ndërtuar me dërrasa, tani të kalbura, lyer me gëlqere, dhe të mbuluara me pllaka eterniti që kishte zënë myshk. Atje, jetojnë të internuarit, – më tha – Armiqtë e pushtetit, dhe qeshi me djallëzi. – Ja ajo gruaja, fjala vjen, është e shoqja e atij gjeneralit të famshëm, figurës numër dy të asaj kohe, por që Komandanti, pasi e akuzoi dhe e shpalli agjent të jugosllavëve e pushkatoi. Kishte shumë fëmijë, dhe të gjithë i sollën këtu. Ata ishin të vegjël atëherë dhe s`merrnin vesh nga këto punë, por tani janë rritur dhe punojnë në kooperativë. S`u dëgjohet zëri i gojës. Dhe askush nuk është ankuar për ta ndonjëherë. Edhe ajo ka qenë partizane dhe ka pasur një detyrë të rëndësishme pas çlirimit. Si dëgjova këto, kurreshtar, ktheva kokën për të parë atë gruan e gjeneralit të dikurshëm që e kishin përzënë nga të mirat e Bllokut në Tiranë dhe e kishin degdisur në këtë humbëtirë. Ajo ishte një grua trupvogël, e veshur me rroba doku të zbardhur, mbi të cilat kishte vënë një përparëse dhe diçka lante në një govatë druri. Në kokë kishte lidhur një shami që nuk i dallohej ngjyra. Sido që të ishte, ishte një grua, një nënë, ndaj nuk e di pse m`u dhimbs. E përfytyrova tek shoqëronte të shoqin në pritjet qeveritare dhe ato që jepnin ambasadat e huaja apo duke shkuar për pushime në vendet më të famshme të demokracive popullore që aso kohe i kishim miq të pandarë. Elegante, e veshur bukur, me këpucë dhe çantë të zezë llustrafin, dhe ja tani, pa shërbëtore, tek përpiqej me dëshpërim, t`u lante ndërresat fëmijëve të saj apo t`u siguronte diçka për drekë. Këtu, thuajse askush nuk u flet – foli Tan Mlloja – dhe kuptohet që ata kjo i vret më shumë. Vetëm Benikja është miqësuar me ta. Kush është ky? – pyeta. S’e njeh ti? Ai që mban gjithmonë një tip shpate në dorë dhe nuk lë dy gurë bashkë. Është nga Kavaja. Po pse e kanë sjellë këtu? Epo, shkoi në Tiranë dhe hipi në supet e Skënderbeut, te monumenti i tij. E kapën policët dhe drejt e këtu. Por edhe këtu nuk rri rehat. Dy gurë bashkë nuk i lë. I tmerrshëm. I ke parë ata majmunët ti? Ja kaq është, por të gjithë ja kanë frikën. Ja, kujto qenin, bëj gati shkopin. Ai rapaduci atje është Benikja. E pashë dhe kuptohet që nuk ma mbushi synë. Një grusht burrë ishte. Nuk m`u duk aq i rrezikshëm. Ai, duke ngacmuar dikë, hidhej e përdridhej dhe qeshte vazhdimisht. Ai tjetri, që mesa dukej nuk ja kishte ngenë, mundohej ta largonte, por më kot. Dukej që Benikja e kishte në terezi. Ose as që e çante kokën që e kishin internuar. Mbase kështu, edhe i dukej vetja i rëndësishëm. Papritur, ndieva se kisha dëshirë, t`i fusja një pëllëmbë. Por e mblodha shpejt; pse duhej ta bëja këtë? As kishte punë me mua ai. Pastaj, vërtetë ngacmonte, por nga që qeshte, donte të thosh se bënte shaka. E harruam heroin e atij fshati dhe u futëm në klub. Pa hyrë mirë, na sulmuan mizat. Ishin të bezdisshme, por Tani më tha të mos shqetësohesha, se akoma më keq ishin mushkonjat në darkë. S`kisha ç`bëja. Porositëm kafetë dhe vazhduam bisedën. Kur futesh nga jashtë brenda, sa të mësohen sytë, të duket errësirë. Nuk e dallova menjëherë një vajzë topolake që e ulur në një qosh, përtypte fara luledielli dhe bisedonte e çpenguar me bufistin. Ka qyfyre sa të duash këtu. – vijoi Tan Mlloja – S`njeh këtë Resmijen ti. Dhe me zë të ulët: – Është një sismadhe kjo, që i bije fshatit qosh më qosh. E kanë internuar si të përdalë. Por këtu krekoset si të qe gruaja e Karl Marksit. Le që dhe për atë, thonë… dhe s`e zgjati më tej. Ishte bisedë me zarar dhe unë bëra sikur nuk dëgjova gjë. Hajde kandidat, hajde! Po do të tregoj një gallatë për të kur të dalim. Si pimë ato kafetë surrogato, të përziera me elb dhe deshëm të paguanim, dëgjuam zërin e asaj vajzës që tha: Profesor! Do t`u qeras unë, se ty të ka ardhur miku. Mbetëm ngushtë, por nuk ja prishnim dot bujarisë së saj. Kur Tani u përpëlit disi, ajo në të sajën: Ec, o profesor, sikur nuk duan edhe oficerët. Këto fjalë dy kuptimëshe i kishte me mua, por pëlqeva të vazhdoj rrugën, duke murmuritur një faleminderit. Kur dolëm në rrugë që na e preu një tufë patash zhurmëmëdha, Tani e mori përsëri fjalën: E pe vetë, – tha – s`kam ç`të them. Por ajo që desha të të tregoja është tjetër gjë. Djali i madh i atij gjeneralit armik, kur pa se mosha i kishte ardhur për martesë, por nuk po ja varte kush, na bije në dashuri me Resmijen. Boll djalë i mirë ishte, po kush guxonte të ngatërrohej me të. Si e ndau mendjen, një ditë ia tha të ëmës, kështu e kështu është puna. Ajo e dëgjoi deri në fund dhe kur ai mbaroi i tha: – Po ne kështu si jemi, duke u sjellë e punuar me nder, e nuk po na flasin me gojë e jo më të marrësh një rrospi për grua. Ne vërtetë jemi në hall, por ta dish se e gjithë Shqipëria do ta marrë vesh se i biri i … ka marrë për grua një të degjeneruar, një të urbanizuar për punë morali. Pastaj a ke menduar se sa dëm u bën vëllezërve e motrës. Ashtu qyqarë do t`i lësh për jetë ata? Nuk kish nga t`ia mbante i shkreti djalë dhe i pezmatuar, shkon e takon Resmijen. Si me marifet, duke u munduar të mos e fyejë, ja shpjegon asaj se e ëma nuk do ta miratonte kurrë dashurinë e tyre e ca më shumë nuk do pranonte që ata të martoheshin. Po Resmija nuk ishte nga ato që e kapërdinte kollaj këtë qëndrim të gruas së ish gjeneralit. Siç ishte, e tërbuar nga inati, pasi e quajti të dashurin frikacak, u nis ta takonte vetë të ëmën e tij. E bëri rrugën me një frymë, e skuqur dhe me gjoksin e madh që i kërcente përpjetë, dhe e mbajti vrapin te dera e oborrit të saj. I thirri me sa kish në kokë, dhe kur ajo doli, me një krenari të dukshme i bërtiti që ta dëgjonin të gjithë: – Po ti moj qelbësirë, mos kujton se unë do marr djalin tënd. Vërtetë unë jam kurvë, por mos pandeh se mund të marr për burrë djalin e një armiku të popullit, që e ka pushkatuar partia si qen në kanal. Se ti e sheh vetë; ne kurvat e fshatit rrimë pesë vjet, e prap në shtëpitë tona shkojmë. Kurse ju, këtu do ngordhni. Kaq tha dhe iku. E dëgjova Tanin dhe më vinte për të qeshur. Por nuk ja vlente, se më shumë ishte për të vënë ulërimën. Se të gjithë këtë komi – tragjedi e kishte gatuar ajo partia që Tan Mlloja bënte stazhin që të futej dhe unë vija këtu për t`i shërbyer.