Suplementi Pena Shqiptare/ Sulejman Mato: Fluturimi i fundit

156
Sigal

 

Nënë Nuncia fle.

Fle dhe ëndërron.

Në ëndrra sheh motrën, Viton, që e kishte rritur vetë. Ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç kur e ngarkuar, me dru në krah, ra në humnerë, si një shqiponjë.

E zeza ajo, e zeza….

Nënë Nuncia fle në dhomën lart, kundruall detit, me dy dritare të ngushta.

Porta e mbyllur me lloz…Pllakat e oborrit anash, të lyera me gëlqere. Dera e mbyllur me një bravë të madhe, të vjetër, veneciane.

Para se të binte muzgu i kaltër mbi bregore, doli të milte dy dhitë. I mbylli në katua, i dha ushqim maces qimezezë. E ndjeu veten të këputur dhe ra të flejë.

I kaloi të shtatëdhjetat me punë e me mundime. Rriti tre fëmijë dhe mbajti në këmbë tre pleq.

Nuncia fle! Fle dhe ëndërron.

Në ëndrra sheh dy vajzat e saj që i ka larg, dhe djalin, nëntë dete kaptuar.

Çdo mbrëmje u vë veshin erërave, sikur kërkon të dëgjojë cicërimat e nipër-mbesave të saj.

Ka vite që nuk i ka parë. Kohët e fundit sheh një ëndërr sikur fluturon nga dritarja.

Herë si zog e herë si qyqe…

Me krahët e nderur në ajër fluturon mbi ullishtat kundruall detit dhe përmbi shtëpitë e gurta të fshatit.

Më pas niset drejt hapësirës së pamatë të detit…

Fluturon çdo natë si një çafkë e lumtur, duke mbushur ajrin me klithma gazmore. Rrotullon krahët si kali i qyqes mbi ullishtat që lëkunden nga era e detit dallgë- dallgë.

Me një ngazëllim të madh ngjitet lart-lart, si një balonë e lidhur me një fije të artë te porta e drunjtë e Nikollore.

Mban frymën për pak kohë mbi varrezat e fshatit, ku prehen eshtrat e të parëve të saj, të nënës dhe të babait, të të shoqit, dy vëllezërve…dhe Vito zezës, motrës së saj të vogël që fluturoi mbi humnerë me dru në krahë, pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat.

Në fshatrat e rivierës ka ditë që kanë çelur lulet e pranverës. Në pyje dëgjohet kënga e qyqeve,

në det dëgjohet kënga e sirenave.

Nënë Nuncia fle. Fle dhe ëndërron. Krevati i saj prej hekuri është nën dritare. Disku i argjendë i hënës dritëson jastëkun e saj të bardhë me dantellë të bërë me grep. Është një hënë e bardhë që këndon duke lundruar mbi shtëpitë e bardha.

Në ishullin e Korfuzit rrinë ndezur dritëzat… Xixëllijnë si xixëllonja..

Nënë Nuncia fle. Fle dhe ëndërron.

I duket sikur dikush i thërret nga kopshtet. Nuncia! Nunciaaa..!

Drurët e qershive duken si të veshur me borë.

Nuncie…! Nuncie..!

Tani është ora për t’u nisur në mal për të prerë dru.

Mos është Vitoja që e thërret nga kopshtet?

Edhe pse është në ëndërr,

ajo e njeh zërin e saj…

Motërzeza ka ditë që më kërkon. Mos është zëri i vdekjes së zezë?

Nënë Nuncien e zë frika. Struk kokën poshtë jorganit të nusërisë përpiqet të flejë.

Një erë e njelmët fryn nga deti…

Një rreze hëne ndrin thinjat e saj të praruara… Zëri i Vitos vazhdon ta thërrasë…

Nuncia! Nuncia..!

E fton për të prerë dru në mal. Është tamam koha kur yjet në qiell ndriçojnë rrugën që të çon në Bukurulë.

Në pyje dëgjohet kënga e qyqeve, në det kënga e sirenave.

Ç’më rri akoma në këtë shtëpi?

Nuk e dëgjon…të kërkojnë?

Nuncia ngrihet nga krevati,me këmishë nate, del në dritare dhe nis të fluturojë.