Emri i Skënderbeut ka shungulluar në oborrin mbretëror të Anglisë Elizabetiane.
Shqipëroi: Virgjil Kule.
Një sonetë dhe një libër për Skënderbeun u shkruan më 1596 nga Edmund Spenser (1552-1599).
Spenser asokohe mbante titullin e lartë “Poet i Shtetit” akorduar nga mbretëresha, Elizabeta I e Anglisë.
Periudha e mbretërimit të Elizabetës I (1533 – 1603) është periudha më e lavdishme e kësaj mbretërie.
(Ky është soneti dhe më poshtë shqipërimi i tij.
Një shqipërim tjetër, i bërë nga një autor i njohur shqiptar disa dekada më parë, më ka rezultuar i paplotë në detajet e përmbajtjes, gjë që e pati zbehur origjinalitetin e madhështisë që kumtojnë vargjet)
Sonet për Skënderbeun
(Shkruar në vitin shumë të largët 1596)
Përse Antikiteti mburret kot më kot,
Me monumente të vjetër mbinjerëzish fuqiplotë,
Heronjsh të lashtë që i kallën datën botës ku jetuan,
Me bëmat e të cilëve fëmijëve veshët ua thartuan?
E këta, të mahnitur nga lavdimadhja e tyre famë,
Ua admirojnë statujat, kolosetë e paanë,
Harqet triumfale që i patën ngritur lloje-lloje,
Piramidat gjigande që i ngjallnin qiellit droje.
Para syve kemi Një, që kohë më e vontë e nxorr’ në dritë,
Me të madhin e më të mëdhenjve krahasohet.
I madh në emër, i madh për nga pushteti e nga fuqitë.
Froni i triumfonjësit meriton Atij t’i përkushtohet.
Mënxyrë për Turqit, murtajë për secilin të pafe
Për të tuat bëma, ky libër flet, O Skënderbe.