Agim Xheka
RIZGJIM ËNDRRE…
Afsh’ i thinjur i pleqërisë
se ç’ma mori frymën fare!
Kërkoj gonxhet e dashurisë
nëpër rrugë e trotuare.
Se ç’mu ngjall një mall i vjetër-
ç’u rrëmbeva si i marrë.
Atë dua dhe asnjë tjetër,
çmendurinë time të parë.
Ish e bukur, ish si flutur:
flokë verdhë larë nga dielli.
Trup-gjatë dhe bel këputur
një cop hënë e rënë nga qielli.
Si s’ju hapa, m‘u thaftë goja,
një herë ta puthja buzën e saj
dhe më donte, më shumë e doja
mbetëm vetëm miq në një lulnaj.
Oh! Si na u shkërmoq kjo jetë
ndën një diell e aq shumë larg?
Mbetëm ëndrra nëpër netë,
kur na ndantë vetëm një prag…
…Mos më marrtë gjumi i mardhë
…pa e puthur atë gushë-bardhë…






















