Lotët e gruas duke numëruar
ndjen dridhje shpirti,
ndjen lagështirë thellësish.
Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
bënte me to paragrafë shenjtërish.
Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia;
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.
Eja…
“Eja… eja”!…
Më thotë nëna.
(S’është si nënë’ e Eseninit)
S’e kanë thyer dot dy gjëma,
më të tmerrshmet e njerëzimit.
Shkel mbi shkallën tetëdhjetë e shtatë.
S’mban as shkop.
S’mban as syze.
Vjen e mpakur ca në shtat,
Ballin plot fidanë e sythe.
“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Zërin zog në celular.
“Tani s’ më bëjnë fajde ëndrrat,
as më ngroh virani zjarr”
“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
fllad i shpirtit zë i saj.
Mua s’di pse m’ u drodh zemra
si një zog i zënë në faj.






















