Sekretari i Përgjithshëm i Parisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë publike kërkesën e depozituar në Kuvend për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me projektin e TEC-eve në Vlorë.
Në një deklaratë publike deputeti Blushi, e ka quajtur projektin aferë korruptive, ku sipas tij po përdoret për të “gllabëruar” dhjetëra milionë euro nga xhepat e shqiptarëve pa prodhuar asnjë përfitim real për sistemin energjetik.
“Sot depozitova zyrtarisht në Kuvend kërkesën për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për aferën e dy TEC-eve rangallë lundruese në Vlorë, që vazhdojnë të gllabërojnë dhjetëra milionë euro nga xhepat e shqiptarëve pa prodhuar asnjë përfitim real për sistemin energjetik”.
Blushi e ka cilësuar projektin si një ndër skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike, ku sipas tij, pas vënies në dispozicion të dhjetra milionë euro për për TEC-e që sipas tij pothuajse nuk kanë prodhur energji, Blushi e quan korruptiv faktin që qeveria po kërkon edhe 20 milionë euro të tjera per operimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Ky është një nga skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike, i vënë në jetë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Një projekt i propaganduar si “zgjidhje strategjike” është shndërruar në një gropë të zezë korrupsioni, ku pasi janë harxhuar dhjetëra milionë euro për TEC-e që pothuajse nuk kanë prodhuar energji, qeveria kërkon të zhvasë edhe 20 milionë euro të tjera vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre”.
Në deklaratën e tij, Blushi shprehet se TEC-et vazhdojnë të kërcënojnë Gjirin e Vlorës, duke dëmtuar mjedisin, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve. Nërkohë që ka njoftuar kërkesën e PL, për ndërprerjen e pagesave publike për këtë projekt dhe ka sjellë dhe një herë në vëmendje mbështetjen e plotë të PL ndaj protestave qytetare.
“Ndërkohë, TEC-et vazhdojnë të kërcënojnë Gjirin e Vlorës, duke dëmtuar mjedisin, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa qeveria vazhdon të financojë ndotjen me paratë e taksapaguesve.Për këtë arsye kam kërkuar interpelancën parlamentare.
Partia e Lirisë mbështet plotësisht protestën qytetare për largimin e menjëhershëm të këtyre TEC-eve rangallë. Kërkojmë ndërprerjen e çdo pagese publike për këtë skemë grabitjeje, transparencë të plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të të gjithë autorëve të këtij skandali. Paratë e shqiptarëve nuk mund të trajtohen më si plaçkë”.






















