Këto rrugë të heshtura, me kalldrëm shtruar…
të çojnë në zemër të qytetit tim…
Atje ku dritat me yje qiellin kanë shkruar,
të ndriçojnë gjurmët e hapave pambarim…
Këto rrugë të zhveshura nga pluhur i së kaluarës,
shpirtin e festës përherë mbajnë veshur.
Atje ku këngët i kthejnë shikim të verbuarës,
dhe mbi ne sjellin hënën e qeshur…
Këto rrugë të kuqërremta janë lyer,
prej dashurisë me serenata në përqafim…
Mijëra tinguj rreshtuar pentagramit të vyer,
presin një kitarë t’i luajë pa pushim.
Rrugët e qytetit tim me kristale të gdhëndur,
prej dimrit zemërak që vjen si visitor.
Nga qielli zbrazur bardhësia e dëndur,
shpirtin përplot ka ngjyrosur te çdo banor…




















