Për ty flas në kohën e shkuar
Do mashtroja veten time
Po të thosha, se të urrej,
Po dhe të them, se prapë të dua,
Përsëri do të gënjej.
Pse ta fsheh, asgjë nuk ndjej,
Veç keqardhje dhe mëshirë,
Të gjitha ëndrrat në zjarr i dogje,
Me një fjalë të vetme: “Lamtumirë”.
Tani më vjen në mendjen time,
Si kujtim i largët, i vagëlluar.
Dhe sa herë që më ndodh kjo,
Për ty flas në kohën e shkuar.
Ka dhe gjëra që nuk thuhen
Brenda shpirtit tim të butë
Djallëzisht gërmon me marifet,
Fjalë pas fjale mbase më nxjerrë,
Nga thellësia ndonjë sekret.
Ta kesh pastaj si alibi,
Të më akuzosh si burrë të pa sinqertë,
Ndonëse betohem ‘për kokën tënde’
Diçka prej teje e mbaj të fshehtë.
Më ndje, e dashur, e mos mbaj mëri!
Po dhe mes zemrave që duhen,
Nuk është mëkat e as çudi,
Ka dhe gjëra që nuk thuhen.
Elegji
–Për mikun tim që u mbyt në kanalin e Otrantos, në pranverën e vitit 1997 dhe trupi nuk është gjetur akoma-
Sa i zymtë më dukesh sot,
O det, i thinjur i Vlorës sime!
Mbi faqen tënde valët e kripura,
Rrëshqasin si lot dhimbjeje.
Ç’ka mendon që je mbuluar
Nga një heshtje e pikëlluar?
Mos vallë për jetët që ke marrë
Tani ndihesh i penduar?!
Ashtu si ti dhe ca më keq,
I trishtuar jam dhe unë, o det.
Atje tej në horizont
Më mjegullohet një portret.
Një fytyrë që më ndez mallin
Vite shumë pa e parë,
Hidhërimi ka hedhur rrënjë,
Ka shtuar rrudhat mbi ballë.
Djalë i vetëm ishte ai
Që ti e mban të fshehur brenda,
Të lutem det, nxire në breg,
Të ketë një varr ku ta qaj nëna!
Dhe neve që na treti dhimbja,
Na jep të paktën një mundësi,
T’i shpiem një tufë me lule,
Dy fjalë t’i themi, si elegji!