Qiriu” i Naimit
Bilal Xhaferi
Në vitrinën e librarisë me llampa neon
bën dritë “Qiriu” i Naimit.
E sjell në shtëpi dhe, gjer natën vonë,
njëlloj ai bën dritë edhe në dhomën time.
Dhe flakë e tij e ëmbël nuk zbehet asnjë thërrime
përballë abazhurit me dritë elektrike.
Pastaj, kur zbardh dita, e shoh përsëri:
as në dritën e diellit nuk zbehet flakë e tij,
e zjarrta flakë, e shenjta flakë,
që digjet në përjetësi.
BALADE ÇAME
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!