Halil Rama: Historiku i shkollës Vau i Dejës me mësuesin e parë Kolë Jakova dhe shtëpia –shkollë e Hasan Metit

1523
Sigal

Historiku i Shkollës Vau i Dejës, ku mësuesi i parë ishte Kolë Jakova, shkrimtar dhe dramaturg i mirënjohur

Shtëpia-shkollë e Hasan Metit në tetë dekada

Halil RAMA

 

  • Një ditë fillim dhjetori 1934, një djalë i ri vjen nga Prefektura Lezhë, Komuna Hajmel me një zarf në dorë dhe kërkon të takojë Hasan Metin (Agën) apo Can Facen. Nga biseda që zhvillohet në mes tyre mësohet se djaloshi i ri ishte Kol Jakova, mësuesi i parë i emëruar në këtë zonë, i cili filloi punën për herë të parë në këtë zonë..
  •  
  • Në vitet 1950-1951 drejtor shkolle punon z.Isak Ramadani, ndësa mësues matematike ishin vëllezërit Ferit e Vaid dhe motra Vehibe, nga familja e madhe dhe e mirë e Ramadanëve në Shkodër. Punon si mësues dhe shkrimtari i njohur Fadil Kraja e shumë të tjerë të strehuar në shtëpinë e Hasan Metit

 

Këtë 7 Mars, nxënësit dhe mësuesit e Shkollës së Mesme, Vau i Dejës, nuk do ta kenë fizikisht mes tyre ish – mësusin, zëvendësdrejtorin e drejtorin Hasan Meti, i cili u nda nga jeta para disa ditësh. Por breza të tërë nxënësish e mësuessih e kujtojnë dhe përulen me respekt për  mësuesin e merituar me kontribut të pandërprerë prej 41 vitesh në shkollimin e dhjetra mijë nxënësve.

E takova para disa muajsh dhe u befasova nga kujtesa e tij fenomenale për ngjarje dhe data të rëndësishme të historisë së shkollës shqipe në Vau i Dejës. Duke mos dashur të bëjë historianin, na rrëfeu të dhënat gojore nga mosha të ndryshme, referuar dëshmive të një fëmije 5-6 vjeç, të një nxënësi 7-14 vjeç apo dhe të mësuesi 23-65 vjeç. Bëhet fjalë për 60 vite kujtime e pune në shkollën e Mjedës. në pozicione të ndryshme si nxënës, mësues, zv/drejtor e drejtor i shkollës.

Të mbajtura mirë në kujtesën e tij ai na solli të freskëta rrëfimet e të ndjerit Rifat Hasan Meti, axhës së tij të nderuar e shumë të respektuar, i cili është ndarë nga jeta 10 vjet më parë në moshën 80 vjeçare, ish nxënës i klasës i (parë) që është hapur në dhjetor të vitit 1934.

“Fundi i vitit 1934. Ishte muaji i madhërueshëm i Ramazanit. Zadrima ishte në prefekturën e Lezhës, Vau-Dejës ishte postë komandë dhe qendër e vogël administrative. Babai, Hasan Meti (sipas rrëfimeve të Rifatit) me djalin e vëllait Elez Agën merreshin me aktivitet privat, kryesisht me tregti në Vau-Dejës. Kishin shtëpi edhe dyqane.

Një ditë fillim dhjetori 1934 një djalë i ri vjen nga Prefektura Lezhë, Komuna Hajmel me një zarf në dorë dhe kërkon të takojë Hasan Metin (Agën) apo Can Facen. Nga biseda që zhvillohet në mes tyre mësohet se djaloshi i ri ishte Kol Jakova, mësuesi i parë i emëruar në këtë zonë, i cili filloi punën për herë të parë në këtë zonë.

Letërdërguesit u luteshin personave në fjalë që të ndihmonin mësuesin e ri. Gjatë bisedës dhe këshillimit me përgjegjësin e letrës nga Komuna Hajmel u ra dakort që shkolla të hapej pasi të kalonin ditët e Ramazanit dhe festa e Bajramit. Ndërkohë bëheshin përgatitjet e ambientit, pajisjeve modeste materiale e sidomos puna bindëse.

Kol Jakova

Shkolla u hap në afërsi të post-komandës Vau-Dejës, 24-25 dhjetor 1934 me mesuesin e parë Kolë Jakova, shkrimtar dhe dramaturg i njohur shqiptar dhe mësues i II (dytë) z. Angjelin Begu nga qyteti i Shkodrës. Kështu janë quajtur mësues i i (parë) e mësues i dytë II (dyte). Në vitin e parë mësimor u ndeshën shumë vështirësi dhe disa nga nxënësit e braktisën shkollën për arsye të ndryshme”, shkruan Hasan Meti në një fletore-ditar të tij.

Dokumentet origjinale të mbajtura me kujdes dhe fanatizëm janë dhe sot: Libri i amzës i mbajtur nga mësues Angjelini me shkrimin e bukur, gjë që dëshmon se mësimi filloi me 30.12.1934 për klasën e parë me 40 nxënës të moshave 9-10-11 vjeç, të pranuara ditëlindjet 1923, 1924 dhe 1925. Ndër këto nxënës nuk kishte vajza për arsye mentaliteti të asaj kohe.

Në vitet 1939-1941, për arsye të lëvizjeve që ndodhën në Europë, sidomos nga ndikimi i Fuqive të Mëdha ka patur ndërprerje të shkollës për muaj të tërë. Fatmirësisht shkolla u rihap në 1943-1944, po në Vau-Dejes, fillimisht tek ish spitali e më pas shtëpia e “Behluleve”.

Kalvari i gjatë i familjes Meti

Në qershor 1948 shkolla u vendos tek shtëpia e z.Hasan Meti, aty ku ai jetonte me familjen e tij. Për atë kohë ishte shtëpia më e mirë në krahinë, ndërtuar me materiale të ardhura nga Italia dhe me projekt bashkëkohor. Sipas të gjithë dëshmitarëve familjarët i dëbuan nga shtëpia për ta bërë shkollë, si shumë familje në Shqipëri, por ndër fshatra ishte i rrallë një rast i tillë.

Këtu fillon kalvari për shtëpinë e Hasan Metit. Drejtor i parë i kësaj shkolle u emërua Prek Kcira, njeri me shumë autoritet dhe euforik. Menjëhere hoqi hekurat e dritareve se gjoja u pengonin dritën nxenesve në klasa. Filloi abandonimi i shtëpisë. Po në këtë vit numri i nxënësve u zvogëlua për arsye se u hapën dhe tri shkolla fillore në Qyrsaq, Shelqet e Spathar.

Në shtator 1948 në moshën 64 vjeçare vdes i zoti i shtëpisë Hasan Meti, nga një infarkt kardiak, si pasojë e vuajtjes së madhe shpirtërore që kaloi kur po shihte shkatërrimin e shtëpisë. Në ato vite familja e tij banonte në Vau i Dejës tek kushërinjtë.

Hasan Meti

 

Nga këtu, Hasan Meti (i ri) ruan të fresket një bisedë të bërë para disa kohësh nga i ndjeri Ragip Rrema, ish bashkëfshatar i tij. “E mbaj mend si tani kur kam parë Hasan Agën (Meti) të vendosur në qerre që po largohej nga shtëpia për në Vau-Dejes i shtrirë dhe në gjendje të rëndë. Flitej në fshat se i ka ra “pika” nga dëshpërimi. Në darkë morëm vesh se ka vdekur…Me vdekjen e vëllait dhe të Rexhepit ne maj 1949 në mënyrë aksidentale situata në familjen tonë përkeqësohet shumë, gjendja bëhet tragjike!!!!”,-vijon rrëfimin mësues Hasani.

Xhaxhai i tij, Rifati në atë kohë ishte ushtar në Ersekë. Për 9(nëntë) muaj 2(dy)kufoma në familje dhe ai nuk arriti të marr pjesë në asnjërën përcjellje të tyre. Momenti akoma më i vështirë ka qenë kur kufoma e një 26 vjeçari nuk lejohet të vendoset në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij për të bërë ceremoninë sipas zakonit. Ceremonia u zhvillua në oborrin e shtëpisë, aty u kryen për 5 javë sipas zakonit, të gjitha ritet për Rexhepin.

“As armikut mos i takoftë për hise…..!!!!!! Lotët i shkonin rrëke dhe buza i dridhej, “, shprehet Hasani i përlotur, edhe sot gjatë këtij rrëfimi, si atëherë.

Po kush do ta besonte se pas 8 muajsh Rexhepit do t’i lindte një djalë që i vunë emrin Hasan, i cili, sot pas 65 vitesh del në pension, i lidhur ngushtë me shkollën, kulturën e komunitetin. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, për të cilat është e etur shoqëria jonë. Ai nderohet ë respektohet në këtë 7-mars si një njeri me nivel të lartë në të gjitha dijet, si një filozof e psikolog, mësues e edukator shembullor, që gjithkujt i duhet ta ketë pranë.…

Tradita vazhdon. Pas Kolë Jakovës edhe  shkrimtari i njohur Fadil Kraja mësues në Vau i Dejës

Në vitet 1950-1951 drejtor shkolle punon z.Isak Ramadani, ndërsa mësues matematike ishin vëllezërit Ferit e Vaid dhe motra Vehibe, nga familja e madhe dhe e mirë e Ramadanëve në Shkodër. Punon si mësues dhe shkrimtari i njohur Fadil Kraja e shumë të tjerë të strehuar në shtëpinë e Hasan Metit.

Në vitet 1951-1952 arsimi bëhet 7-vjeçar me katër klasë fillore dhe tre klasë unike. Në këto vite me ndërhyrjen dhe këmbënguljen e drejtor Isakut u bë i mundur rikthimi familjarëve të Hasan Metit në shtëpinë e tyre.

Ndonëse jetuan në pjesën jo të mirë dhe ishin si të huaj në shtëpinë e vetë, marrëdhëniet me mësuesit e shkollës i forcuan shumë.

Asokohe, drejtori i shkollës Isaku kërkon të bëjë kumbari dhe merr flokët Hasanit, tashmë 2 vjeç. Diçka e veçantë për familjen dhe për 6 mësuesit që bënin mësim e jetonin në një oborr.

Viti 1953 shënoi mobilizimin në luftë kundër analfabetizmit. Mësimi në shkollë zhvillohej para dreke, pas dreke dhe me korrespondencë. Numri i nxënësve që frekuentonin shkollën ishte i madh sepse ishte e vetmja shkollë 7-vjeçare në zonë.

Mësues Hasani, tashmë në pension mban mend me saktësi dhe freski, sikur të ishte sot vitet e shkollës në shtëpinë e tij, kur ai ishte vetëm 4 vjeç, pra në vitin 1954. “Asnjëherë nuk do ta harroj ngrohtësinë, kujdesin, dashurinë që kishin për mua. Prindërit e mi, mësuesit, nxënësit e shkolles e deri tek axha Jaku (punëtor i shkollës që pastronte dhe i binte “çanges”), e kjo për mua ishte e veçantë, kur nën tingullin e saj u bënte çdo lëvizje në shkollë. Diçka e veçantë, rregull, disiplinë, punë, kulturë. Aty më lindi dëshira për shkollën, mësuesit më jepnin lapsa e fletore e unë sa e sa herë me fëmijë imitoja mësuesit”, shkruan Hasan Meti në fletoren e tij të kujtimeve.

Fadil Kraja

Shkolla në shtëpinë e tij ka qëndruar deri në vitin shkollor 1955-1956. Ditën e parë që iku shkolla nga kjo shtëpi, më 25.03.1955 koinçidon me krijimin e kooperativës bujqësore, ku qendra e saj u bë po në atë pjesë ku ishte shkolla, me zyra, magazinë etj. Shtëpia ka qëndruar e zënë deri në vitin 1963-1964 si qendër kooperative (repart ushtarak – zyrë), qendër shëndetësore, zyrë për bonifikimet etj. Duke shfletuar këtë fletore, mësojme se si i brengosur nga vuajtjet e shumta, mësues Hasani sjell në vëmendje faktin se më 1964 iu liruan shtëpinë, por jo shpirtin, dëmin moral e material. Arsyeja e vetme se “ishin të pasur, me shtëpinë më të bukur në krahinë, me dyqane, toka mbi 150 dynym, etj etj.

Një i moshuar nga Mjeda i cili jeton edhe aktualisht na tha se shtëpi të bukura kanë filluar të ndërtohen edhe sot, por shtëpia-shkollë e Hasan Metit ka qenë dhe është për 60 vjet më e bukura. Ai kujton se kur është ndërtuar kjo shtpëi në Mars-Dhjetor 1934, ka dëgjuar se janë mbledhur pleqtë dhe nuk e kanë lejuar z.Hasan ta çonte edhe një qoshe (gurë rreth 40 cm) shtëpinë, me arsyen se dilte shumë lart shtëpive tjera….!!! Po ashtu, sipas këtij të moshuari, Hasan Meti (Aga) lëvizte me motorçikletë “GUZ”, fringo të ri italian që në vitet ‘40, ndërsa sot janë bërë të gjithë me motoçikleta e makina… kurse mësues Hasan Meti (i ri) e kaloi gjithë jeten në biçikletë. Por vetë Hasani, ky dishepull i dijes dhe simbol i urtësisë e mençurisë shkodrane, vetëm para disa muajsh do të shprehej me modesti se shkolla, shkolla e vetëm shkolla kanë qenë e janë primare për të. Ndaj dhe ndjehej krenar për faktin se sot nga familja e tij nuk asnjë pa arsim të mesëm, duke filluar te axha Ramiz qe sot eshte 76 vjeç. Ndërsa me arsim të lartë nga kjo familje e nderuar janë mbi 13 vetë, duke filluar tek Hasani 70 vjeçar e tek vajza e tij Lutfija, e diplomuar për Financë në Shkodër.

Një jetë e lidhur me shkollën Mjedë-Shkodër

Hasan Meti, më 1 shtator 1957 filloi klasën e parë fillore në Mjedë tek ndërtesa e vjetër që sot është rrënojë. Mesuesja e parë e tij ishte znj.Vehibe Ramadani, motra e drejtor Isakut, drejtor shkolle z.Mark Pjetri.

Vitet rrodhën shpejt. Kjo shkollë pati drejtues e mësues shumë të apasioniuar që në Mjedë thonë se ju detyrohen shumë. Por Hasani e konsideronte vehten me shumë fat që iu dha mundësia të kryente arësimin e mesëm në Shkodër, në Gjimnazin “28-29 Nentori”. Aty përfitoi shumë nga mësuesit e papërsëritshëm që e deshën, e përkrahën shumë djaloshin që vijontë gjimnazin me biçiklete nga Mjeda në Shkodër e anasjelltas….Mendonte se do mbetej vetëm me arsim të mesëm, ndaj dhe filloi punë si nxënës – tornitor pranë Hidrocentralit Vau-Dejës me mjeshtër z. Sander Bjanku, për të cilin ruante kujtime të veçanta. Më pas qe ndër të parët që kapërxeu pengesen e cenit ne biografi si bir i një familje te pasur, për të vijuar studimet e larta. Filloi dhe mbaroi Institutin e Larte Bujqesor në Kamez,Tiranë. Dhe pas diplomimit, saktësisht më 7 shkurt 1974, ai djali i shkurtër e i shëndoshë fillon të japë mësim në shkollën e mesme pa shkeputje nga puna në Mjedë, që ishte çelur 3 vjet me parë. Ndërkohë punonte edhe si agronom pranë degës së prodhimit bujqësor. Tashmë perfundimisht ishte shkëputur nga prodhimi për të vazhduar një tjetër fushë, atë të mësimit, edukimit e drejtimit. Numri i nxënësve ishte i madh, kalonte 1110 nxënës me 45 mësues, 2 anekse: Shelqet e Spathar, 2 kopshte, arsimi fillor, 8-vjeçar, i mesëm ditën, pa shkëputje nga puna, me korrespondencë, me drejtor shkolle Ramadan Gjeçari. Mësuesi Hasan Meti vlerësonte ndihmën shumë të madhe që ka dhënë z.Gezim Gjylbegu(Sejko) si nëndrejtor i shkolles, gjurmët e mbajtjes së dokumentacionit prej tij janë edhe sot.

Marrja në provim e nxënësve me moshë më të madhe ishte diçka krejt e veçantë për të. Hasan Meti ruante kujtime të veçanta të mësimdhënies me këto breza, ndërsa pohonte se edhe kishte marrë mësim prej tyre. Ai ishte i vetëdijshëm se këtë fat nuk e kanë shumë mësues. Kjo për faktin arriti të zhvilloj mësim deri në katër breza. Raste si i Prek Ejll Cinit, Lazer Prek Cini, Ernest Lazer Cini e djalit Ernestit janë diçka e rrallë për një ish nxënës të shkollës Mjedë.…

Në vitin 1975 u hap Shkolla e Mesme Bujqësore me shkëputje nga puna me 28 nxënës, me mësues kujdestar po atë djalin e shkurtër dhe të shëndoshe.  Matura e parë e vitit 1980 kishte 28 nxënës, me notë mestare 8.1. Këtë vit është matura e 38-të. Sa e sa nxënës kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle. Një numër i konsiderueshëm kanë kryer arsimin e lartë e punojnë në punë e detyra të rëndësishme shtetërore e private, brenda e jashtë vendit. Ky është produkti më i vlefshëm i kësaj sjkolle dhe i ish – mësuesit, zëvendësdrejtorit e drejtorit të saj Hasan Meti. “Çanga” bëri punën e vet e cila nuk do tí ndahej atij për katër dekada, deri me 14.02.2015 që është dita e daljes në pension.