Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

401
Sigal

Donte

Vaso Papaj

Çdo mëngjes tek i zbres shkallës,

Fqinjë e re më mund me ngutje.

Vrap oborrit, vrap mëhallës,

Ca dyshime vijnë – shkojnë tutje.

Kyç fëmijët. Ç’t’i bëjë orarit!?

Pas i shkojnë përherë ca fjalë.

Pret një Benz buzë trotuarit.

Vallë kjo grua është “e përdalë”?…

Ndaj sa herë zbriste me ngutje,

Për të Zotit i bëja lutje:

Të kish forcën dhe vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të urrente.

Jetën kush të mos ia brente.

Atje lart qiell i mëngjesit,

Një qeleshe plot me ujë.

Ajo turrej mes rrebeshit,

Lart e poshtë e s’bënte bujë.

Donte shumë të kishte forcën,

Donte shumë të kish vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të shpërthente.

Gjendjen ku kish rënë t’urrente.

 

Edhe trupin do ta shiste.

Do të tretej me rrëmetin.

Që fëmijët e saj t’i rriste,

Gjer me këmbë do t’mirrte detin.

Donte shumë të kishte forcën,

Donte shumë të kish vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente, të shpërthente, të pëlqente, të urrente.

Fëmijëve qeshjen t’ua gjente.

 

Zemra ime

Erdhëm bashkë në këtë botë.

Ish janar e kishim ftohtë.

Pa më thuaj pas kaq vjetësh, a nuk ndjen ndopak të ngrohtë?

Zemra ime, vogëlushe, varkë në detrat me tufan,

Rreze dielli në mes pyjesh, zjarr mes dimrave kallkan.

Gjuha ime, ora ime, shpesh të ndjej, kur godet fort.

Zogëza ime, drita ime, tërë këtë kohë

qershi mbi tortë.

Si plakushe , dhimbja ime, në s’tërhiqem, ti më ndjen.

Të më mbrosh e rrallon hapin e kështu asgjë s’më gjen.

Kur vogëlushe, kur plakushe, s’u dorëzove asnjëherë.

Po të lagesh, s’e bëjnë lotët, është shi, vazhdon të bjerë.

Kur shërohem, kur sëmurem, ti je mjekja ime, xhan.

Shoqja ime, mikja ime, bashkë me ty ndjehem titan.

Erdhëm bashkë në këtë botë.

Bashkë do ikim përsëri.

Mos më thuaj pas kaq vjetësh se nuk mbetëm prapë të rinj.

Besa ime, shpresa ime,

dhe pse natë që sjell mëngjes,

M’u zoto, të dua fort, mos më le kurrë të pashpresë