Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Atdheu u shit! Ankandi u mbyll!

120
Sigal

Atdheu u shit, ankandi u mbyll!

Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka!

Miliona letra me vlerë votimi,

tani do të bëhen thasë me para…

 

U vumë në radhë si mijra dele,

kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,

dhe shpresën e re në mijra blegërima

e mblodhën Ata në vatha partish.

 

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,

skllevër të lirë, me bukë e makina.

Për ankthin miliona tableta kimike

nën bluzat firmato, zemra me vrima.

 

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur

ekranet me ngjyra e bëjnë lemonade.

Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje

Ne parainfarktet, dhe Ata… paratë.

 

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,

këtej rrjedh vreri, andej veç gaz…

I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,

po s’kam më fuqi, as për maraz.

 

Unë kam fuqi veç për këtë këngë

me të cilën ata do qeshin me lot,

Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend,

Poet i mirë, po mbeti idiot…!”

 

Shënim: një poezi e vjetër, e vlefshme për çdo katër vjet.