Suplementi Pena Shqiptare/Petraq Risto: Loti

573
Sigal

Loti

Petraq Risto

Kur Zoti te Njeriu krijoi sytë, nga sytë e Zotit pikoi loti
Dhe Zotit një mendim në çast i shndriti: Të thërrmohej nëpër pika loti.
Pastaj mendoi: Lotët e gëzimit t’i bënte rozë apo të kaltër
Dhe lotët e trishtimit të hirtë apo të zinj.
-Po mundet, tha Zoti, gëzimi dhe trishtimi të rrinë bashkë
Si mund të gatuaj lot të rinj…

Njëherë mendoi: Lotët Dashurisë t’ia bënte të ngrohtë
Dhe të ftohtë – lotët e Urrejtjes
Po ngaqë këto gjendje shpesh ngatërrohen
u tërhoq shpikësi Zot…
(Thjesht çështje teknike me kondicionerët e gjëndrave…!)

Gjykoi: Ca lot të ishin të mëdhenj,
të buronin nga njerëz të mëdhenj
dhe me këta lot të merrej Historia,
po prapë u zmbraps nga frika, se mbretërit
do burgosnin lotmëdhenjtë
me mbiemrin LIRIA.

Vendosi: Lotët do t’i bëjë të barabartë
Transparentë si vesa, të avullueshëm si shirat
Kur të rrjedhin faqeve të krijojnë harta:
të mos humbasin shpirtrat…