Suplementi Pena Shqiptare/ 70 vjetori i gjeniut të letrave, Skënder Rusi

166
Sigal

Skënder Rusi është një poet dhe autor këngësh i njohur. Skënder Rusi gjeniu i letrave, i kohëve moderne, ai nuk shkruan vargje në letër të bardhë, ai hedh nota në pentagram, ai këndon në thellësi të shpirtit siç thotë Dritëroi, kolosi ynë…

Skënder Rusi është autor i disa vëllimeve me poezi, të vlerësuara me çmime dhe të përfshira në disa antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Lindi më 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro. Që prej vitit 1992 vazhdon të jetë drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë. Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat e tij janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A. Z. Çajupi”. Krijime të tija janë përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Europës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj. Prej 12 vjetësh është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë. Prej 7 vjetësh organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë” me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj

Sinfonia e takave

Ai ishte një regjistrues i marrë,
s’kishte zemër në gjoks, kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
atje e desh dhe varrin kur të vdiste!

Ia dha vetë atë formë sobalkës së tij,
se atje do flinte me Bet’hovenin e madh!
Se atje do ish dhe zoti Paganin,
edhe zoti Shubert,edhe zoti Moxart!

Kush tha se këta ishin të vdekur!?
Ai fliste me ta, qeshte, pëshpëriste!
Brenda kitarës së tij vetëm e shoqja,
e urdhëruar ishte të mos fliste!

Ai bëhej xhind kur ajo lante pjatat,
kur kërcitja e tyre i futej nëpër disqe!
Ai i ulërinte kur ia dëgjonte takat,
pale kur padashur, ndonjëherë, teshtinte!

Por erdhi një ditë dhe ajo iku në qiell!
Kitara krisi, muret e saj u çanë.
Telat e saj ranë mbi Bet’hovenin,
mbi Moxart e Shubert, mbi të gjithë ranë.

Tani ai ve veshin, jo për të dëgjuar tinguj,
po për t’u çmallur me zhurmën e pjatave!
Bet’hoveni? E ç’është Bet’hoveni,
para simfonisë së ëmbël të takave!?

Eklipsin pres

Unë me ty, si toka me diellin,
të vij rrotull vazhdimisht, vazhdimisht!
Por asnjëherë s’të jam afruar sadopak,
as jam larguar sadopak, natyrisht!

Astronomia ka ligjin e vet,
që unë e përfill me aq sa mund!
Të të afrohem më shumë
kam frikë se më djeg.
Të të largohem-kam frikë se më humb!

E ja, kështu, vetëm rrotull të vij,
po s’jam i marrë që rri e pres më kot!
E di që një ditë, ti do të kesh eklips,
e atëhere, nuk do më djegësh dot!

 

Tepër vonë

Ti ke një moshë me time bijë,
me babin tënd, unë, moshatar.
Kush të dha urdhër të më duash
me hirin tim të ndezësh zjarr?!

Ata thëngjij që ishin shuar
ti si guxon me dorë i prek?!
Kush të dha urdhër të më ndezësh
pa patur frikë se unë të djeg?!

Ke ardhur vonë. Tepër vonë:
kur dimri krejt më ka pushtuar,
kur vdekja firmën më kërkon
ndoshta në ferr për të më çuar!

Ti gjysma-hënë je kur zhvishesh
dhe gjysma tjetër-perëndi!
Me çdo të puthur m’i ul vitet,
më kthen në moshën që ke ti!

Me këto gjysma, unë poeti,
mund të ndërtoj tjetër planet.
Në djall pastaj të shkojnë vitet,
dhe moshat le të shkojnë në dreq!

Po prapë se prapë një frikë ndjej.
Po mora zjarr, si mund ta fik?
Prandaj dhe po vonoj të zgjohem,
them ndoshta ik.
them ndoshta ik…

 

Pa dashje

Pa dashje kam plagosur një grua!
(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)
Ajo ishte një yll, nga qielli larguar,
e zbritur në tokë rastësisht!

Pa dashje, kam fyer një grua!
E putha në faqe në një natë pa drita!
Pastaj dhe në ballë një puthje të dytë,
ia shtypa pak hundën me gisht, edhe ika!

Pa dashje, kam vrarë një grua!
(Eh, gratë u vrakërkan kaq shpejt!)
Ajo iku në qiell, prej nga ish larguar,
të vuante zhgënjimin e vet!

 

S’dua të të humb

Nuk jam aq i mirë
sa të jam dukur,
unë,vëllai i vogël
i ajsbergëve!
Pjesën e shëmtuar
mbaj nën ujë,
mos e shohin sytë
e të tjerëve!

Nuk jam Perëndi
siç më ke ditur!
as kam qenë ndonjëherë
Krisht!
Po përse kaq vonë
ti ke lindur
dhe tek unë vjen
kaq verbërisht!?

Nuk e di, pse, vetëm mik
më quan,
dhe s’ke frikë se unë
mund të të puth!
Kam një mbrëmje
që për ty e ruaj,
po s’ta them,se s’dua
të të humb!

Nëse do më ndodhë
që ndonjerës,
t’ia fal gjysmën më të mirë
timen:
Kjo do të jesh ti
që ke kuptuar,
se mëkati vdes
prej dashurive!

Mos më duaj më

Mos më duaj më!
Nis më urre
nëse do mundësh!
Dhe qiellin (qielli jam unë!)
S’përmbyset bota
po ta humbësh!

Mos më përqafo më!
Nuk mund të duash
dy njëherësh!
Dhe ajrin (ajri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shkelësh!

Mos më kujto më!
Nis fshiji puthjet,
po të duash!
Dhe zjarrin (zjarri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shuash!

Sidomos

Kërkoj fjalët e tua
nëpër ajër,
të qeshurën tënde,
sidomos të qeshurën!
Pa ty kam mbetur bosh,
si një guackë,
që ia kanë vjedhur perlën!

Kërkoj supin tënd
ku e harroja kokën,
vjeshtën tënde pa zogj,
sidomos vjeshtën!
Edhe qielli sot ngjan
si një krijim idiotësh,
me këto shira,
që s’rreshtën!

Kërkoj trupin tënd
nëpër duar,
gjurmët që ka lënë puthja,
sidomos puthja!
Zoti në një javë
Botën e ka krijuar,
ndërsa unë në një ditë
e humba!