Arben Kraja: SPAK, ka konfiskuar mbi 84 mld. lekë pasuri

175
Sigal

Kreu i  SPAK, Arben Kraja ka prezantuar në Kuvend raportin për punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme për vitin 2021.Teksa të gjithë presim goditje të politikanëve të korruptuar dhe krimit, Kraja ka vënë theksin vetëm te bilanci pozitiv i pastrimit të parave, ku tha se janë konfiskuar mbi 70 milionë euro pasuri. Gjatë raportimit të bërë në Kuvend, ai bëri me dije se gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar 15 procedime penale dhe janë hetuar 25 persona, nga ku kanë shkuar në gjykatë 3 procedime për 7 të pandehur.

“Rezultatet janë rritur. Prioritet ka qenë konsolidimi dhe rritja e bashkëpunimit me autoritetet e huaja. Janë regjistruar procedime të shumta, hetime dhe goditje nga bashkëpunimi me partnerët.

SPAK ka pasur 15 prokurorë për vitin 2021, 13 oficerë të policisë gjyqësore. Në shtator të 2021 filluan punën 28 hetues të BKH-së. Janë gjithsej 54 punonjës. Gjatë vitit 2021 kemi vlerësuar dhe implementuar rekomandimet e kuvendit.

Për pastrim parash janë hetuar 25 persona, janë dënuar 11 dhe janë konfiskuar pasuri me vlerë mbi 70 mln euro. Kemi vepruar në tre drejtime për pastrimin e parave. Kemi verifikuar 316 materiale pasurore, kemi bërë 14 kërkesa për konfiskim dhe 4 janë konfiskuar.”- tha ai. Kraja gjithashtu tha se struktura nuk është ende e plotë me 20 prokurorë.“Nuk u plotësua kërkesa për 20 prokurorë. Aktualisht janë 17 prokurorë.”- tha ai në Kuvend.