Nevila Xhindi: Kur akademia ‘mëson’ politikën. Refleksione mbi librin “ Drejt një krize të re” të Prof. Anastas Angjeli dhe Ardian Civici

444
Sigal

 

Refleksione e një jo-ekonomiste mbi librin “ Drejt një krize të re- energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve” nga Anastas Angjeli dhe Adrian Civici.

Kur mora ftesën për promovimin e librit, ndonëse një pasdite e nxehtë vere, u ndodha në sallë ndër të parët. Tek dera takoj zëdhënësen e ministres së Ekonomisë dhe Financave, një gazetare me përvojë, mike e vjetër. Do vijë ministrja i them? – Po, po- më thotë. Epo shumë mirë, duhet të dëgjojë akademikët i them, se nuk bëhet politikë në ajër, jashtë konteksteve dhe pa një bashkëpunim mes aktorëve të interesuar. Qeshi- mbase ngaqë e njeh shpirtin tim opozitar. Në fakt nuk është risi që dy profesorët Angjeli dhe Civici, aq aktivë në të përditshmen e shoqërisë shqiptare, autorë të një triologjie, sepse tashmë ky është libri i tretë pas “Kriza ekonomike në kohën e Koronavirusit” dhe “Përballë krizës-Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, vijnë pranë audiencës shqiptare të studiuesve dhe politikbërësve me një libër të konceptuar krejt ndryshe, me trajtesa teorike, historike, gjeopolitike, me pyetje e përgjigje, me argumenta teorikë dhe risi praktike të një krize të re e vendosur në një skenë gjeopolitike e gjeoekonomike globale, po aq sa shqiptare. Një krizë e re, Shqipëria është brenda saj! Çfarë do të ndodhë? Ku po shkojmë?

Çfarë do të ndryshojë? Refleksionet e mia ndaj librit, lexuar prej një jo-ekonomisteje, por si studiuse e shkencave sociale, shkojnë përtej librit, sepse ngjarjet ekonomike, sociale e politike që po përjetojmë janë të aspektit human, jetësor, shëndetësor, financiar, teknologjik, venë në diskutim sigurinë kombëtare dhe këto duhet të na sensibilizojnë ne kërkuesve, shkencëtarëve apo edhe mësimdhënësve të auditoreve (na quani si të doni), jo vetëm për të qënë spektator, por për të hulumtuar mbi pyetjet e mëdha që shtrohen sot, për të sugjeruar zgjidhje mbi baza e fakte konkrete dhe madje për të ndikuar në politikbërje. Po a ndodh realisht mes komunitetit të kërkuesve dhe politikës me drejtim zgjidhjet për të mirën e përbashkët? A ka realisht sot një rol komuniteti i akademikëve? A ka ardhur tashmë dita që akademia “mëson” politikën? Jentleson (2002) identifikon tre dobi të dallueshme që akademikët mund të ofrojnë për politikën: diagnozën, recetën për konceptimin e strategjive dhe nxjerrjen e mësimeve. Sipas Nye (2008), akademikët mund të ofrojnë tre lloje të ndryshme njohurish: këshilla të menjëhershme për çështje të veçanta, teori të nivelit të mesëm në fushat e politikave të përgjithshme ose rajoneve botërore, por edhe kornizën dhe hartimin e pyetjeve të reja pa dhënë përgjigje të gatshme.  Libri“ Drejt një krize të re- energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve” paraqet një vazhdimësi të gjenerimit dhe aplikimit të njohurive, që shtrihet nga teoria e pastër, nëpërmjet enigmave të orientuara nga çështjet dhe studimeve të orientuara nga rasti, deri në politikëbërje.

Autorët na sjellin përpjekjen e tyre serioze për ti ardhë në ndihmë politikbërjes në kohë krizash, dhe këtë e sjellin pa humbur thelbin shkencor apo lidhjet me teorinë, por na tregojnë që politika mund të jetë po aq e vërtetë, e plotë dhe domethënëse sa edhe kërkimi bazë. Të paqtë e me argumenta autorët japin një shembull për komunitetin e kërkuesve të rinj që nuk duhet të kenë frikë se puna e tyre mund të “ndotet” ose “korruptohet” në një farë mënyre nga një marrëdhënie shumë e ngushtë me komunitetin politik, por ti “ mësojë” atij që politkbërja kërkon fakte e evidenca, dhe jo vendime të nxehta elektorale. Të gjithë duhet të reflektojmë sa më thellë, sa më drejt dhe në mënyrë sa më shkencore për gjithçka të re e të panjohur, që po na përball “kriza e re”. Gjithkush në fushën e tij të studimit apo profesionit specifik duhet të reagojë me shpejtësi e koherencë përballë situatave të reja mjaft sfiduese në Shqipëri, nga dëmet e tërmetit, tek kriza e koronavirusit e sot kriza si energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve. … ndërsa dëgjoja me vëmëndje ministren, që takimet -konsultime mes akademikëve dhe politikës duhej të zhvilloheshin çdo muaj mendova le ta fillojmë duke konsultuar çdo faqe të librit të Angjelit e Civicit. Vlen!