Kur flaka në syt’ e mi të jetë shuar,
dhe drita të jetë tretur diku, larg,
shpirtin o Zot, mos ma braktis të harruar,
le të këndojë në prozë dhe në varg.
Le të ngrihet i lirë mbi qytet,
si çoje mua në qiell fluturim,
t’i ndjej si trokasin valët n’anëdet,
të shoh si lahet me vesë shpirti im.
Mos mi mbyll kujtimet në t’errët kafaz,
lermi të takohen me miqtë e mi,
mos i braktis që të treten në maraz,
as unë mos përmallohem në vetmi.
Kur koha pa shpirt të rendi si e marrë,
dhe mbi emrin tim pluhur të ketë rënë,
e di, asgjë s’do jetë si ish më parë,
edhe yjet kur shuhen, asgjë nuk lënë.
Sa shumë më kanë mbetur pa i thënë,
O Zot, isha yti, këtë Ti e di,
në rrugëtim, botën gjithë e kam nxënë,
veç mbeta i thjeshtë, i çiltër, fëmi.
Po lë punë të mëdha pa mbaruar,
tre romane, gurë themeli, medet!
si degë ulliri nga era rrëzuar,
i ziu, askujt s’i lë dot amanet.
Po ju bekoj si prind
(Vajzës sime, Inës dhe dhëndrit, Tonit)
Mën ballin e menduar sytë e thellë,
po shoh që fshehin një tinzar trishtim,
o ëngjëll me petkun e bardhë pështjellë,
po iki, por po të lë bekimin tim.
Ti ishe fat në rrugën e dikujt,
shpresoj që ai do ta ketë kuptuar,
po dhe në se kjo s’i ra ndërmend kërkujt,
ji krenare për jetën që ke ndërtuar.
Dy yje rritët me mund e dashuri,
sa bukur shtëpinë ju kanë ndriçuar,
të rinj, të bukur ishit ti dhe ai,
pa asnjë ndihmë ecët duke mësuar.
Eh, kështu qenka kjo jetë e uruar,
Nuk të premton paqe në përjetësi,
vitet t’i rrëmben ashtu, si pa kuptuar,
ta doni veten dhe kur s’ju do njeri.
Kujdes nga syri i keq dhe nga lakmia,
jeni ëngjëj, rrini larg nxitjes së djallit,
me dy yjet që po merr dritë shtëpia,
ndërtoni ju të katër urrat e Mallit.