Rrëzimi i avionit me mbi 240 pasagjerë, raportohet për një të mbijetuar

58
Sigal

Shefi i Policisë së Ahmedabadit në Indi, GS Malik, thotë se ka një pasagjer të mbijetuar nga avioni që u rrëzua sot në Indi. Ai i tha agjencisë së lajmeve ANI se ka një të mbijetuar, i cili ishte ulur në vendin 11A në fluturimin Boeing 787-8 Dreamliner. “Pasagjeri është shtruar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore”, tha ai. Të paktën 204 persona humbën jetë sot  pasi një avion i Air India – që po fluturonte drejt Londrës me 242 njerëz në bord – u rrëzua disa minuta pas ngritjes nga aeroporti në qytetin perëndimor të Indisë, Ahmedabad, të enjten.

Trupat e viktimave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes nga ekipet e shpëtimit, me ndihmën e ushtrisë së Indisë. Por, nuk dihet se sa i përkasin viktimave që gjendeshin në avion dhe sa janë nga personat që gjendeshin në vendin ku u përplas avioni.

Ndërkaq, një zyrtar tjetër policor i tha AFP-së se pret që të ketë “më shumë viktima”, për shkak se avioni u rrëzua mbi një zonë të banuar. Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, tha Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se ai u rrëzua në një zonë civile pranë aeroportit.

Reuters raporton se, në mesin e 242 udhëtarëve ishin 217 të rritur dhe 11 fëmijë. Nga këta, 169 ishin shtetas indianë, 43 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez. Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar24, avioni ishte Boeing 787-8 Dreamliner, një nga avionët e udhëtarëve më modernë në përdorim. “Në këtë çast po e verifikojmë hollësitë dhe do të njoftojmë për to”, tha Air India në platformën X. Sipas kanaleve televizive, avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Një kanal shfaqi pamjet e avionit duke fluturuar mbi një zonë banimi, përpara se të zhdukej nga ekrani dhe një re e madhe zjarri të ngrihej në qiell përtej shtëpive.

Sipas kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Ahmedabad, avioni u nis në orën 13:39 me kohën lokale nga pista 23. Ai bëri një thirrje emergjente “Mayday”, por më pas nuk u dëgjua asnjë përgjigje nga avioni. Flightradar24 tha gjithashtu se sinjali i fundit nga avioni u mor disa sekonda pas ngritjes. “Avioni i përfshirë është një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrim VT-ANB,” u tha në deklaratë.

Zyra e ministrit indian të Aviacionit tha se kryeministri Narendra Modi kishte urdhëruar që të ofrohet menjëherë gjithë mbështetja për përpjekjet e shpëtimit. Të gjitha agjencitë përkatëse janë në gjendje gatishmërie dhe po punojnë në mënyrë të koordinuar, shtoi zyra e ministrit të Aviacionit. Ahmedabad është qyteti kryesor në shtetin Gujarat, vendlindja e Modit. Aeroporti i Ahmedabad njoftoi se ka pezulluar të gjitha operacionet ajrore me efekt të menjëhershëm.

Aksidenti i fundit ajror në Indi ndodhi në vitin 2020 dhe përfshiu kompaninë Air India Express. Avioni Boeing-737 doli jashtë një piste në Aeroportin Ndërkombëtar Kozhikode në Indinë jugore. Ai rrëshqiti jashtë pistës, ra në një humnerë dhe u përplas me pjesën e përparme në tokë.

Në atë aksident humbën jetën 21 persona. Air India, e cila më parë ishte në pronësi shtetërore, u ble nga kompania indiane Tata Group në vitin 2022 dhe u bashkua me Vistara – një ndërmarrje e përbashkët mes këtij grupi dhe Singapore Airlines – në vitin 2024. Tata njoftoi se ka aktivizuar një qendër emergjente dhe ka ngritur një ekip mbështetës për familjet që kërkojnë informacion.