Një ese për dy autorë

Është diçka e rrallë, por e bukur dhe inkurajuese që dy krijues Kastriot Hadëri  dhe Izet S. Çulli të sinkronizojnë dhe të bashkojnë punët mendore, duke botuar libra të përbashkët me fabula dhe vargje ngazëlluese dhe plot kuptime. Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe mua më bën përshtypje të veçantë. Nuk di një rast tjetër të dytë të ngjashëm. Përgjithësisht krijuesit punojnë të ndarë veç e veç. Rasti i fabulistëve Hadëri dhe Çulli është një rast i suksesshëm.  Ka një mekanizëm të padukshëm, që lëviz brenda vargjeve të tyre për të krijuar fabula në vargje. Konkretisht ata të dy po krijojnë një cikël me libra me fabula. Kështu nga motivet e krijimtarisë gojore të Alizot Emirit nga Gjirokastra është realizuar thjesht, bukur dhe plot shpotitje edhe ky vëllim që ka tashmë lexuesi në duar.

Në të vërtetë të dy librat e tyre “Ariu e gjeti llullën” dhe “Dirigjentit i rroftë shkopi!” përcaktohen nga natyra gazmore, por edhe satirike, nga detajet e mprehta të jetës dhe të humorit të shëndetshëm popullor. Kjo krijimtari është e dobishme dhe plotësisht edukuese. Librat e autorëve Hadëri e Çulli pasurojnë traditën e fabulistikës shqiptare dhe i japin një kënaqësi iluminuese kujtdo lexuesi.