Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Këngëtarja e zhgënjyer

262
Sigal

Teksa isha duke punuar në piano me derën hapur, trokiti papritmas një vajzë simpatike.  -Profesor Beni, a mund të hyj pak? -pyeti ajo me druajtje, duke xixëlluar sytë e zinj nën vetullat bishtngritura si dy bishta dallëndysheje. -Urdhëro! -i thashë duke hequr gishtat nga tastiera e “Parrotit” dhe e kundrova vajzën me kureshtje.  Ajo nënqeshi lehtë dhe u skuq nga druajtja. Kishte një pamje aq të hijshme dhe një freski vajzërore, sa të merrte mendtë. Topolake me këmbët dhe llërët e bardha, gati transparente. -Fol! -i thashë, -Mos ki turp!  U përtyp një çast. Dhe pasi dëgjoi kukurisjet e dy shoqeve që e prisnin në korridor, mori guxim: -Më quajnë Neta… Dua të provoj zërin për në konkursin e festivalit në radiotelevizion…E vështrova me sy të habitur, për guximin të këndonte në festivalin kombëtar, pa qenë një këngëtare e njohur e me përvojë. Megjithate dëshira e saj si talent i ri, ishte një habi e këndshme për mua.-Patjetër, meqë ke besim te zëri yt! -ia ktheva buzagaz. -Thirri edhe shoqet, të të dëgjojnë!  Neta zgjati kokën te dera dhe ua bëri me dorë. Ato hynë brënda, përshëndetën dhe mbetën të heshtura. Ishin moshatare me të, por jo me pamjen e saj të papërsëritshme.  Bëra disa variacione mbi tastjerë për të çmpirë gishtat dhe e pyeta: -Më thuaj ndonjërën nga këngët që di më mirë! Ajo përmendi nja dy-tri këngë të njohura të muzikës së lehtë dhe unë zgjodha njërën. Kapa disa akorde për të parë deri ku arrinte tonaliteti i saj dhe u intonuam shpejt. Neta filloi të këndonte me emocione të dukshme. I thashë të mbushej me frymë, të qetësohej dhe filluam sërish. Në pak masa muzikore kuptova, se ajo kishte një zë të ngrohtë me ngjyrime interesante. Provuam edhe dy këngë të tjera dhe ramë dakord, që pasi t’u merrte leje prindërve, të vinte çdo pasdite për të ushtruar zërin. Pas shpresave optimiste, ajo iku si dallëndyshe krahëlehtë bashkë me shoqet e gëzuara. Mendova se Neta nuk ishte ndonjë talent i spikatur, që të tërhiqte vëmendjen e publikut. Por mund të renditej në nivelin e përgjithshëm të zërave të festivalit, po të punonte me atë ngulmim që shpalosi sot. Si punonjës për muzikën në shtëpinë e kulturës, mora përspër përgatitjen e saj. Punuam pothuaj çdo pasdite për një muaj të tërë. Neta përparonte nga dita në ditë. Mësëfundi u binda, se tashmë ajo ishte e gatshme të çohej në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Tani edhe dita e përzgjedhjes së këngëtarëve për në konkursin përfundimtar ishte fare afër. Prindërit e saj, mamaja shtëpiake dhe babai punëtor në ndërtim, m’u lutën me besimin e plotë tek një prind dyzetvjeçar, siç isha unë, ta shoqëroja vajzën e tyre në përpjekjen e parë për të çarë në jetë. Ndërkohë kisha biseduar në telefon me redaksinë e muzikës dhe kisha regjistruar emrin e saj. Morëm leje në drejtorinë e shkollës së mesme dhe të dy me Netën, u nisëm për në Tiranë. Zumë dy dhoma teke të veçanta te hoteli “Internacional” për t’u paraqitur të nesërmen para komisionit përzgjedhës.  Darkuam në restorantin poshtë hotelit dhe aty nga ora nëntë e mbrëmjes morëm çelësat te sporteli. Dhomat teke ishin të vogla, me mobilim të thjeshtë. E porosita vajzën të mbyllte derën me kujdes dhe çelësin ta linte brënda bravës, për të qënë e sigurt. E ndjeja veten të lodhur nga udhëtimi me tren dhe rashë të fle shpejt. Por krejt papritur, pas mesnate, dëgjova një trokitje të lehtë në derë. Prita pak, dhe pas trokitjes së dytë u çova e hapa. Ishte Neta, me këmishën e hollë të natës. Hyri menjëherë brënda derës sime dhe më një zë të frikësuar tha rrëmbyeshëm: -Presor me fal, po sportelisti futi një çelës në derë dhe u mundua ta hapte…Unë u ngrita dhe mbajta me dorë çelësin nga brënda që të mos binte përtokë…U tremba shumë!… U habita pa masë nga kjo ngjarje e beftë dhe vura re, se ajo ndjehej vërtetë e friksuar. -Nga e kuptove se ishte sportelisti? -i thashë aty për aty. -Kur nuk e hapi dot, dëgjova hapat në korridor dhe e pashë nga ballkoni që shkoi te sporteli… U mendova një grimë, si duhej të veproja në ato çaste. E lashë Netën në dhomën time dhe me hapa të lehtë shkova deri afër sportelit. Sportelisti i mbrëmjes ishte ndërruar dhe ky i natës po dremiste i mbështetur mbi divanin e sportelit. U tërhoqa me kujdes dhe shkova në dhomë. Neta ishte ulur në cepin e shtratit tim, me këmishën e hollë. -Duhet të shkosh të fleshë! -i thashë. -Unë do të qëndroj zgjuar, për të dëgjuar çdo lëvizje në korridor… -Jo, jo, kam frikë! -tha ajo pa pritur të mbaroj frazën time. -Të siguroj që s’ka për të ndodhur asgjë, asgjë, – përsërita të sakrifikoja gjumin, që ajo të flinte e qetë. -Të lutem, profesor Beni, më ler të qëndroj këtu, pranë teje… Hej, ç’më gjeti belaja me këtë zogëz frikacake, mendova. -Mirë, atëherë, ti bjer fli në shtratin tim dhe unë po shkoj në dhomën tënde…-Jo, jo, në asnjë mënyrë, -klithi ajo me pëshpërimë, -Po më le vetëm, unë sonte do vdes nga frika!…  E kundrova me vërejtje. Me supet zhveshur dhe kofshët e bardha krejt zbuluar nga këmisha e shkurtër që mbahej me dy fije të holla, ajo dukej si një frut i ëmbël, i varur në degë, para së cilës do t’i lëshonte goja lëng edhe vet Krishtit. Por unë, duke ndjerë përgjegjësinë që kisha marrë përsipër, nuk mendoja fare për frutat e saj. -Nuk bën të qëndrosh këtu! -i thashë me ton të qetë.  -Pse, kërkon me çdo mënyrë të më largosh? – tha ajo, me një nga ato nënqeshjet e lehta, që dinë t’i sajojnë vetëm femrat. -Ne kemi ndenjur pranë aq kohë në prova…Pse të mos rrimë edhe sonte?… Nënqesha lehtë me arsyetimin e saj naiv. -Këtu ndryshon puna, -i pëshpërita lehtë, -Dhoma e gjumit nuk është dhoma e pianos. Veç kësaj, unë jam burrë i martuar me dy fëmijë dhe ti vajzë e re. Asnjërit nuk i intereson të bëhet objekt fjalësh të kota, pas kësaj nate. -Po asnjëri nga ne nuk merret me ato fjalë, se nuk jemi kalamaj. Aq më tepër, kur unë dua vet të qëndroj sonte me ty…  -Pse do të qëndrosh sonte me mua? – e pyeta enkas për të saktësuar qëllimin e vërtetë të saj.  Ajo u përtyp një çast, e ngurosur për të nxjerrë nga brenda deshirën e saj të fshehtë. -Të dua shumë, profesor Beni, vetëm zoti e di, sa të dua ty… -foli duke iu dridhur zëri nga emocionet.  Shqeva sytë krejt i habitur dhe mbeta tepër i befasuar me guximin e kësaj vajze të re, për të shprehur hapur ndjenjat e saj. Gjatë kohës që bënim prova, ajo paskishte rënë në dashuri dhe unë, duke qenë i pavëmendshëm, isha treguar krejt mospërfillës. E përmblodha veten në çast. Nuk doja të fyeja ndjenjat e saj dhe u mundova ta bind:  -E shikon si më quan?… Unë jam profesor për ty, jo dashnor… -i thashë me durim.  Psherëtiu lehtë dhe më shigjetoi drejt në sy. -Për mua je profesor dhe i dashur, si nuk mund të jetë askush tjetër… Veçimi prej të tjerëve që më bëri, më dha shkas të interesohem atë çast për intimitetet e saj:  -Ke shkuar me ndonjë djalë? -Jo. -tha prerë. -Jam siç më ka bërë mamaja…  -E pse tani më thërret mua, dyfishin e moshës tënde, të bëj mëkat?… Kapërdiu pështymën dhe pastroi fytin lehtë. -Nuk është mëkat, kur unë dua vetë të fle në krahët e tu, sepse po të mos jesh ti, i miri për mua, do të jetë një çun llafazan i keq, që do t’u lavdërohet shokëve: “Shtiva Netën në dorë!” siç ka ndodhur me shoqet e mia.  Më mahniti, më la pa mend logjika e saj lakuriqe. -Tani të tërheq tek unë bukuria e artit muzikor me të cilin merrem, po më vonë do të më mallkosh… -Jo. Kurrë! Mua më tërheq shpirti dhe zemra jote!…  U mpiva i tëri. Mendova vetëtimthi se nëna dhe babai i saj, flinin me besimin e palëkudur tek unë, dyzetvjeçari. Ndërkohë, kjo nimfë e bukur, më pak se gjysma e moshës sime, kjo adoleshente marramendëse, që të tundonte, aq sa të mpinte trurin me feminitetin e zhveshur dhe logjikën e saj rinore, ngulmonte të kërkonte nga unë pabesinë… Tashmë u kuptua qartë, se puna e sportelistit kishte qenë vetëm sajesa e saj. Dhe kjo më zemëroi shumë. U çova nga karrigia, ku kisha qëndruar dhe i thashë me ton të prerë: -Vajzë e mirë, largoi nga koka ato mendime absurde dhe bjer e fli këtu, se unë po dal të marr pak ajër derisa të gdhihet. Në të kundërt, nesër në mëngjes e lëmë provën e festivalit dhe nisemi për andej nga erdhëm…  Ajo më hodhi një vështrim keqardhës të atillë, që tregonte qartë, se ishte vrarë shumë rëndë shpirtërisht. Pastaj uli kryet dhe filloi të përlotej.

Unë dola jashtë dhe prita lindjen e diellit. Të nesërmen krejt serioz me njëri-tjetrin shkuam në radio. Ajo këndoi dy këngë para komisionit përzgjedhës dhe fitoi të drejtën për të hyrë në konkurs, duke fituar pikë edhe me pamjen rinore. Gjatë kthimit me tren, bluaja në tru ndëshkimin për sjelljen e mbrëmshme të saj. Gjë që më bëri të mendoj se nuk mund të vazhdoja më tej të merresha me shoqërimin e kësaj vajze hoteleve dhe sallave të radios. Isha prind fëmijësh dhe krahas punës që kisha bërë, duhej edhe të përdorja metodat e mia, për ta bërë të mendonte, se kësaj herë do të humbiste për faj të vet. I palëkundur në vendimin tim, pas pak ditësh e lajmërova Netën, se gjoja komisioni përzgjedhës e kishte shkurtuar listën e konkursit përfundimtar, për shkak të fituesve të shumtë. Pas kësaj, njera nga shoqet e saj më tha, se ëndrra e përmbysur, e kishte bërë të qante disa ditë me radhë.  Dy vjet më vonë, pasi mbaroi shkollën e mesme, mora vesh, se një djalë mashtrues i kishte premtuar martesë dhe e kishte shpënë në semaforët e Italisë. Ky lajm krejt i papritur për mua, më tronditi e më hidhëroi aq shumë, sa u pendova thellësisht për dënimin tepër të rëndë që i kisha dhënë asaj vajze te re. Mund të kishte çarë në jetë, nëpërmjet rrugës së këngës, për të shpëtuar nga ajo gremisje mynxyrore ku kishte rënë. Dhe që nga ai çast, ndjeva me dhimbje, se pesha e gjashtëmbëdhjetë viteve të atëhershëm të saj, nga e cila u mundova të shpëtoj, do të vazhdonte të rëndonte mbi ndërgjegjen time, për gjithë jetën…