Penelopë e dashuruar mbeta,nën tisin e hënës,
nga marazi enda pëlhurë, venat e zemrës,
nëse s’vjen të më kërkosh,herët në mëngjes,
përmbi gjethe do jem tretur, bulëz me vesë.
Më mirë një flutur, të më thithë, me buzët e saj,
në embrion fluture, le të kthehem pastaj.
Larvë future, s’kam qenë në jetë,asnjëherë,
krahë me luspa pluhuri,s’kam tundur nëpër erë .
Në pranvera, kur shumohen fluturat shtegtare
dhe nëpër vjeshtra,kur kapërcejnë fusha e male,
në lëndinën e shpirtit tënd, e etur do të zbres,
të thith nektarin,që s’ka thithur asnjë krijesë.
Qiellin e hirtë vjeshtak, përmbys do ta kthej,
portën e zemrës tënde, me puthje do ta thyej,
prej meje s’shpëton dot,as në qiell ,as në tokë,
as në lëndinat e parajsës, nuk shpëton dot.
Nëse sipër luleve, hedh dorën e më merr,
sa dy petale do rëndojë, ky shpirti im i mjerë,
mbi buzë do lë puthje e do shtegëtoj sa më larg,
si flutura Monarke,do vij të vdes , në tëndin prag.