Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: At e bir “zbulojnë” Tomorricën

1280
Sigal

Vendlindjes, trojeve ku kanë lindur e jetuar gjyshër e stërgjyshër, ka shumë mënyra që të mund t’u shërbesh e t’u lartësosh emrin në më të mirën e mundshme. Secili, nëse është i dëshiruar të bëjë diçka, bën atë që di, bën atë që e gjykon se është më e pranueshmja, por edhe që të lërë gjurmë tek pasardhësit, tek brezat që do të vijnë. Për çka po them rreth asaj që mund e duhet të bëjë njeriu për vendlindjen më nxiti libri voluminoz, në dy vëllime, “Krahina e Tomorricës”, shkruar nga at e bir, Elmas e Arben Guga. Më duhet të them që në fillim të këtyre radhëve se autorët kanë bërë diçka të jashtëzakonshme, të cilët pas afro një dekade studimesh e hulumtimesh, shfletime dokumentesh arkivorë e biseda me njerëz që kanë njohuri të thella për atë krahinë, kanë sjellë për lexuesin një libër serioz, nga ku mund të marrësh informacion të saktë e të hollësishëm për të gjithë Tomorricën. Ky seriozitet dhe ky angazhim me risk për autorët besojmë se e ka burimin tek përbetimi i tyre për qenë e mbetur kokëlartë përpara atij komuniteti që ka histori jete e bëmash të admirueshme në shkallë vendi. Sepse, siç edhe dihet, të gjitha gjërat e mrekullueshme janë arritur nga ata që guxojnë të besojnë se diçka brenda tyre është superiore ndaj njerëzve e mjedisit, por në mënyrë të veçantë ndaj vendlindjes. Dy vëllimet e “Krahina e Tomorricës” autorët e fillojnë me një dedikim njerëzor, të pastër e fisnik, i cili në thelb shfaq “aventurën” e tyre për një ndërmarrje sa të përgjegjshme, po aq edhe të vështirë për të nxjerrë në dritë atë çka meritojnë tomorricarët nga lashtësia e deri më sot. “Ua kushtojmë tomorricarëve të të gjitha kohërave, shkruajnë autorët at e bir, Elmas e Arben Guga. Të gjithë atyre që me sakrifica të jashtëzakonshme siguruan vazhdimësinë e jetës në këto troje, duke i dhënë asaj kuptim e vlera të larta fisnikërie, guximi dhe atdhetarie. Burrave kapedanë të trevës që bënë histori ndër shekuj…Të gjithë atyre që nuk e braktisën vendlindjen edhe në këto kohë të vështira e që me dinjitet e punë mbajnë gjallë shpresën e rilindjes së saj.”

Autorët e librit “Krahina e Tomorricës” në të gjitha përpjekjet për të evidentuar të kaluarën historikë të asaj treve, nga lashtësia e deri në ditët e sotme, janë udhëhequr e nxitur nga një thënie me kuptim të thellë e të madh: Kombi që humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht humb edhe veten e tij. Aty lexuesi i vëmendshëm gjen “të zezën mbi të bardhë” për të kaluarën, për trojet ku janë vendosur tomorricarët, për përpjekjet e guximin e asaj popullate për të qëndruar e jetuar aty, duke u përballur edhe me armiq pushtues të mëdhenj e të frikshëm. Por ajo çka përcillet bukur e bindshëm në faqet e këtij libri janë të dhënat serioze të nxjerra nga dorëshkrime origjinalë për vërtetësinë se Tomorrica ka qenë pjesë e Principatës së Muzakajve. Autorët në këtë çështje janë treguar historianë të fushës, “akademikë” të vërtetë, duke përmendur burimet nga vijnë të dhënat, emra autorësh dhe deri tek Memoria e famshme e Gjon Muzakës. Për një shkrues të përgjegjshëm kuptohet lehtas se sa punë u është dashur autorëve për zbritur me “shkallë të nëndheshme” e për të mbërritur e hedhur dritë për më shumë se tetë shekuj të shkuar për Tomorricën. Librat “Krahina e Tomorricës” japin aq informacion sa mund të të japë një Institut i tërë, i ngritur posaçërisht për të. Aty, në faqet e këtij libri, lexuesi mëson se kjo trevë, sipas Gjon Muzakës, ka patur katër Baronë, të cilët kishin në pronësi fshatra, emrat e të cilëve me kalimin e viteve janë transformuar. Ajo që të çudit është fakti se Tomorrica para 6-7 shekujsh ka qenë shumë e pasur, me vila e prona që u përkisnin familjes së Muzakajve. Madje në Memorien e Gjon Muzakës Tomorrica konsiderohet si një “qilar” për kushtet që kishte zona. Kërkimi për të vërtetën ka shumë vlerë, por është edhe sakrificë e madhe për të hedhur dritë rreth saj, për ta bërë atë të besueshme dhe diçka të shenjtë nga pikëpamja që ajo i përket një udhëtimi të gjatë ndër shekuj. Në dy vëllimet “Krahina e Tomorricës” ndjehem mirë të them se dy autorët janë treguar të ndjeshëm dhe të përpiktë në rrjedhën e historisë, duke u treguar të vëmendshëm për t’i sjellë ngjarjet dhe personazhet me vërtetësi të admirueshme. Lexuesi do të mund të gjejë nga një kapitull tek tjetri një rrugëtim të natyrshëm, ashtu siç ka ngjarë, nga humbjet e zotërimeve të Muzakajve në Tomorricë, vendosjen e pushtetit feudo-ushtarak turk, epokën skënderbejane dhe deri tek kontributi e banorëve të kësaj treve për fitoren e pavarësisë, ruajtjen e tërësisë territoriale dhe forcimin e shtetit shqiptar. Tomorricarët në të gjitha ngjarjet që trajtohen në të dy librat, shfaqen si njerëz të vendosur, si të jenë përbetuar për “Çukën e Tomorrit” se do të mbeteshin armiq të çdo lloj tiranie. Përshkrimet janë mbresëlënëse, të ndjera nga ana shpirtërore dhe, pse ta fshehim, na bëjnë të jemi krenar për atë çka kanë bërë brezat, gjyshërit dhe stërgjyshërit, për mbrojtjen e trojeve si njerëz fisnikë e besnikë, të guximshëm dhe të vendosur për të mos i mbetur borxh vendlindjes. Autorët e “Krahina e Tomorricës”, Elmas e Arben Guga, sjellin për lexuesin të dhëna fantastike, të gjetura dhe të sistemuara me shumë kujdes, me merakun e shkruesit që në të shumtat e rasteve botohen për herë të parë. Aty gjen Çetat luftarake, komandantë e kapedanë dhe bëmat e tyre, të cilat herë-herë të fusin në mendime dhe përfytyrime jashtë realitetit, që të duken si një trillim, si një ëndërr. Njeriu i vërtetë mbetet i zakonshëm, plotësisht i zakonshëm. Askush nuk e di kush është, askush nuk e di se çfarë thesari ai mban brenda vetes. Ja, ashtu si na vijë edhe kapedanët dhe luftëtarët e Tomorricës. Personalitete si Servet Zaloshnja, Zenel Braçi, Kamber Grëmshi, Xhelo Lajthia, Kamber Ujaniku, Dule Trebla, Dane Kërpca, Ismail Strafica, Hysen Zaloshnja, Mestan Ujaniku etj., janë dhe do të mbeten dëshmitarë, por edhe “thesarët” e vërtetë të kësaj treve që “bëri shumë e u duk pak” për shkak të të qenit të vërtetë në rraport me detyrimet ndaj vendit dhe vendlindjes. Vlera që merr diçka që ke fituar, nuk ka të bëjë vetëm me atë që iu ofron, por dhe me çfarë është sakrifikuar për të arritur atë. Në çka po them është fjala për vendin që zë tek “Krahina e Tomorricës” Lufta NÇ. Autorët i japin asaj vendin që meriton dhe ky libër të jep përshtypjen se Elmas e Arben Guga i kanë ngritur asaj obeliskun e pavdekësisë. Por ca më shumë kanë arritur të sjellin kontributin e tomorricarëve, sakrificat e tyre të panumërta, atë që ata ishin në të vërtetë, luftëtarë e patriot të palëkundur. Lexuesi do të jetë në gjendje të kuptojë se banorët e asaj zone me tradita patriotike kanë dhënë prova se janë njerëz të gatuar me shpirtin e qëndresës, që nuk u janë shmangur rreziqeve që u kanë dalë përpara. Ndërkohë nga faqja në faqe bie në sy edhe diçka që e lartëson karakterin e tomorricarit: Ata kurrë nuk i kanë bërë reklamë vetes, kurrë nuk nuk janë përpjekur që të shfaqen mbi të tjerët. Dy librat “Krahina e Tomorricës”, me më shumë se një mijë faqe, janë pa mëdyshje një “enciklopedi” e mirëfilltë e krahinës. Autorët e kanë trajtuar vendlindjen e tyre si një gjallesë që jep e merr frymë, që është rritur e mbajtur në këmbë më shumë mundim, të lidhur ngushtësisht me jetën e banorëve të saj, me ata që kanë shërbyer si forcë zhvillimi dhe emancipimi të të gjithë zonës. Aty gjenden kapituj të veçantë ku pasqyrohet me vërtetësi aventurat e tomorricarëve për të mësuar shkrim e këndim, kuraja e personaliteteve të veçantë të krahinës, të arsimuar në shkolla fetare, si Tefik Shurdha, Baba Meleqi, Xhile Liçi, Zenel Braçi, Asllan Shahini, Jakup Greva etj., të cilët rrezikuan shumë, vetëm e vetëm që ABC-ja të bëhej pjesë e jetës të familjeve të çdo tomorricari. Madje, puna dhe përpjekjet e tyre shfaqen si të kenë qenë të shenjta, “urdhër” që duhej kryer me shpejtësi, duke e trajtuar këtë problem madhor ashtu siç është i shenjtë arsimimi dhe edukimi nëpërmjet leximit të librave. Në “Krahina e Tomorricës” flitet gjatë për misionarët e gjuhës shqipe, për “derën e hapur” të Servet e Mahmud Zaloshnjes ku bujtën edhe kapedanë të shqipes si Petro Nini Luarasi e Themistokli Gërmenji. Rruga që kanë ndjekur shkronjat shqipe në Tomorricë, uljet dhe ngritjet për të kapur nivele të shkollës së sotme moderne, ka qenë shumë e mundimshme, disi e pabesueshme për nga vendosmëria dhe kuraja që kanë pasur mësimdhënësit dhe që lexuesit, ashtu pa dashje, i vjen mirë t’i konsiderojë heronj të vërtetë në luftën për emancipimin e mendjes. Kur sot mëson se nga ajo krahinë, ku fillesat e mësimit dhe leximit shqip i gjejmë diku një shekull më parë, sot  kanë dalë personalitete të shumtë të fushës së arsimit e të shkencës, të letërsisë e të arteve si Ajli Alushani, Moisi Zaloshnja, Kujtim Kapllani, Qazim Metani, Viktor Bakillari, Hysen Binjaku, Abas Ermenji, Adem Jakllari, Demir Dyrmishi, Idriz Metani, Pëllumb Pipero, Abas Kryemadhi, Besim Boçi, Dritan Alushani, Olta Milova, Vladimir Muka, Astrit Shatro, Irma Guga, Kejda Nuhu, Merita Alushani, Vigan Saliasi, Zylyftar Bregu, Visar Zhiti, Bashkim Dervishi, Sulejman Përrenjasi, Nuri Jaupi, Nesim Fusha, Altin Çaushi si dhe dhjetëra e dhjetëra kuadro e specialistë të fushave të ndryshme, ia vlen të thuash se kjo Tomorricë paska qenë dhe është “hambar” i madh i mbushur me “mademe” të çmuara të mendjeve të ndritura. Një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë, është që të bësh gjëra që të tjerët thonë se ju nuk mundeni. Kjo gjë ka ngjarë edhe me dy autorët “Krahina e Tomorricës” atë e bir, Elmas e Arben Guga. Pakkush pati besim se ata do të mundnin të realizonin një libër kaq të plotë, të ndërtuar bukur dhe si profesionistë të mirë. Por të pranosh sfidën përballë shumë të panjohurave, përballë frikës se a do të mundësh të arrish suksesin, është guxim. Kur lexuesit do t’i vijë rasti që ta ketë librin ndër duar dhe pasi ta lexojë, jam bindur që do të thonë: Po, Elmas e Arben Guga paskan qenë të guximshëm.