Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë të përshtaten mjaftueshmërisht për të qenë të suksesshme brenda kuadrit të BE-së dhe njëkohësisht në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, përshpejtimi teknologjik, sfidat klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.

Ekonomiste me përvojë, gjerësisht aktive në çështjet sociale dhe njohuri të thelluara mbi transformimet sociale, politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Linda Rama analizon ndryshimet e thella, sfidat dhe mundësitë e rajonit.PhD në Ekonomi, bashkëthemeluese e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor në Shqipëri dhe bashkëshorte e kryeministrit Edi Rama, ajo ka një këndvështrim të rrallë dhe jashtëzakonisht depërtues.Veprimtaria e saj shumëvjeçare në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale ka qenë vendimtare dhe shkon përtej kufijve të Shqipërisë, ndërsa perspektiva e saj përbën një “vështrim të rrallë prej eksperti”, mbi Ballkanin Perëndimor, nga brenda dhe nga jashtë njëkohësisht, veçanërisht si “ekonomiste strukturore” e specializuar në çështje të zhvillimit social, te kulturës së punës dhe aftësive.Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë të përshtaten mjaftueshmërisht për të qenë të suksesshme brenda kuadrit të BE-së dhe njëkohësisht në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, përshpejtimi teknologjik, sfidat klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.Ajo e konsideron Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor një mundësi të mirë që vendet e rajonit të sillen rreth së njëjtës axhendë reformash dhe zhvillimi ekonomik.Dhe thekson se “libri i ri i lojës” do të shkruhet duke ndërtuar institucione që mundësojnë besim, biznese që mund të rriten në shkallë të gjerë, politika që lehtësojnë përhapjen e inovacionit dhe teknologjisë përmes arsimit, si dhe bashkëpunim rajonal që krijon një hapësirë më të madhe ekonomike, në vend të “ndasive” të vogla politike.

Pjesë nga intervista e plotë:

Sigal

Me kohë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është transformuar vazhdimisht. Sa ka ndryshuar ky rajon që nga vitet ’90 dhe si do t’i përshkruanit fazat kryesore nëpër të cilat ka ai kaluar duke na sjellë deri tek epoka e sotme?

Ballkani Perëndimor përfaqëson një nga rajonet që ka pësuar transformimet më të thella politike, sociale dhe ekonomike në Evropën pas viteve 1990. Mund të thuhet pa hezitim se, në rastin e Shqipërisë, shkalla e këtij transformimi ka qenë edhe më e thellë sesa gjetkë në rajon, veçanërisht nëse konsiderohet izolimi ekstrem komunist i Shqipërisë, si nga rajoni ashtu edhe nga bota e gjerë dhe e kaluara e saj thellësisht e pazhvilluar përpara komunizmit.

Përmasa e plotë e këtij transformimi historik të rajonit tonë do të shpërblehet vetëm kur Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë tri dekadave të fundit menaxhimi makroekonomik është përmirësuar përgjithësisht, financat publike janë bërë më të disiplinuara, shërbimet publike dixhitale janë zgjeruar, lidhshmëria infrastrukturore ka avancuar, dhe ekziston një kuptim shumë më i fortë se cilësia e qeverisjes nuk është një çështje dytësore, por vetë themeli i transformimit ekonomik.

Sot pyetja për rajonin është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë të përshtaten mjaftueshmërisht për të qenë të suksesshme brenda kuadrit të BE-së dhe njëkohësisht në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, përshpejtimi teknologjik, sfidat klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.

Pra, në opinionin tuaj, ku gjendemi sot?

Do të thoja se gjendemi në një moment të ndërmjetëm. Ballkani Perëndimor ka kaluar fazën e stabilizimit ekonomik, por nuk ka hyrë ende në fazën e konvergjencës së qëndrueshme me BE-në të udhëhequr nga produktiviteti, ndërsa mbyllja e hendekut institucional Ballkan Perëndimor–Bashkim Europian mbetet “thembra e Akilit” për çdo vend të rajonit. Duke folur për ekonominë, tashmë është bërë e qartë se vetëm rritja ekonomike nuk mjafton.

Përmbajtja e rritjes ka rëndësi. Cilësia e saj ka rëndësi. Gjithëpërfshirja ekonomike ka rëndësi. Dhe mbi të gjitha, aftësia për të siguruar vijimësinë e reformave dhe për të përkthyer politikat në transformim real për biznesin dhe shoqërinë.

Në këtë rrugëtim, rritja ekonomike në rajon gjendet nën presion nga tkurrja e popullsisë, plakja dhe emigrimi, madhësia e vogël e tregut dhe e bizneseve, hapësira e ngushtë fiskale, tregjet të pazhvilluara të kapitalit, mungesa e fuqisë punëtore dhe mospërputhja e aftësive të saj me nevojat e tregut për aftësi, si dhe nga institucione që shpesh janë më të mira për të kontrolluar sesa për të kordinuar.

Gjithsesi, digjitalizimi dhe inovacioni, si dhe investimet e akumuluara në kapitalin njerëzor, mbeten aleatët më të mëdhenj për të kapërcyer një pjesë të presionit ekzistues.

Kur njerëzve u kërkohet të imagjinojnë Ballkanin Perëndimor, në mendje u vjen së pari një përzjerje e ndërlikuar kujtimesh dhe (keq)perceptimesh. Në shumë raste, sipërmarrësit që do të udhëtonin tani drejt rajonit, do të befasoheshin nga dinamizmi i komuniteteve, aftësitë dhe talenti lehtësisht i disponueshëm, dhe ritmi i ndryshimit eksponencial. Ndoshta mund të themi se kjo është bërë krejtësisht e qartë pas vitit 2020. A do të pajtoheshit me këtë?

Ndryshimi në Ballkanin Perëndimor po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, dhe rajoni po bëhet vazhdimisht një vend më i mirë për të jetuar. Le të marrim shembullin e Shqipërisë. Numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë është katërfishuar krahasuar me një dekadë më parë, dhe pas vitit 2020 vendi përjetoi një rritje të jashtëzakonshme vizitorësh, duke i dhënë një perspektivë të re sektorit të turizmit, si dhe shumë sektorëve të tjerë të lidhur me të. Ky realitet është rezultat i një vizioni modernizues dhe të orientuar drejt reformave, që po materializohet gjithnjë e më shumë falë përpjekjeve të shtetit, sipërmarrësve dhe vetë komuniteteve.Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se perceptimi në ndryshim i rajonit është ndikuar nga qasja dinamike e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit. Në veçanti, BE-ja ka kërkuar të shmangë përsëritjen e sfidave të hasura në proceset e mëparshme të zgjerimit. Kjo reflektohet kryesisht në metodologjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, si dhe në prezantimin e një instrumenti shtesë strategjik dhe financiar për transformimin e rajonit: Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kjo iniciativë përfaqëson një mundësi konkrete që ka bashkuar gjithnjë e më shumë vendet e rajonit rreth së njëjtës agjendë reformash dhe rritjeje ekonomike, duke e bërë rajonin më të ndërlidhur, ndërkohë që nxit edhe konkurrencën mes secilit vend për të përparuar drejt përfundimit të procesit të pranimit në BE. Që nga viti 2023 e në vazhdim, kjo agjendë u bë haptazi më gjeopolitike dhe e lidhur me procesin e pranimit.Plani dhe Instrumenti financiar i Rritjes e lidhën financimin me realizimin e reformave duke ofruar akses gradual në elemente të Tregut të Unifikuar të BE-së përpara anëtarësimit. Kjo është një fazë e ndryshme nga ajo e mëparshmja: më politike, më kërkuese dhe potencialisht më transformuese, me synimin që rajoni të bëhet jo vetëm më i ndërlidhur, por edhe më i përputhshëm në mënyrën si funksionon.

Rajoni ka nevojë, mbi të gjitha, të mos humbasë më kohë dhe të fitojë besim. Mbetet për t’u parë se si do të evoluojë procesi i pranimit, por inkurajues është fakti se kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë diskutim sa në vitet e fundit se cili nga vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhet anëtari i radhës i Bashkimit Evropian.

Në rastin e Shqipërisë, cilat iniciativa të qeverisë besoni se kanë bërë ndryshim vitet e fundit?

Në një mjedis shumë skeptik, një dekadë më parë, qeveria intensifikoi revolucionin digjital në shërbimet publike, duke e bërë atë prioritet politik me objektiva të qarta dhe duke e mbështetur plotësisht me fonde dhe burime njerëzore cilësore. Dhe nga 14 shërbime online në vitin 2013, sot ka 1 275 shërbime elektronike që u përgjigjen nevojave të 3,5 milionë qytetarëve dhe bizneseve, 850 mijë dokumente të shkëmbyera midis institucioneve për plotësimin e dosjeve të aplikantëve, 66 regjistra elektronikë të ndërlidhur midis institucioneve qeveritare, që mundësojnë plotësimin automatik të 70% të fushave në formularët e aplikimit për shërbime publike në platformën e-Albania.Ky avancim i jashtëzakonshëm është njohur nga sisteme të ndryshme vlerësuese në nivel botëror, që e rendisin Shqipërinë ndër vendet me indeks “shumë të lartë” të zhvillimit të qeverisjes elektronike, si dhe me indeks të lartë të maturitetit GovTech. Dhe është i paimagjinueshëm kursimi në kohë, para, letra dhe veçanërisht në nerva nga shërbimi online.

Ana tjetër e medaljes janë bizneset, të cilat janë ende të ngurruara për t’u zhvendosur drejt digjitalizimit dhe difuzionit teknologjik, dhe Shqipëria po krijon një fokus të ri, që është mbështetja publike për inovacionin, për të cilën Serbia është një shembull i mirë, duke qenë një ndër ekosistemet më të forta të inovacionit dhe startup-eve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në zona rreth Beogradit dhe Novi Sadit.Mbështetja e fortë qeveritare, përmes investimeve në parqe teknologjike, stimujve për startup-e, lehtësirave tatimore për kompanitë e TI-së dhe granteve për inovacion nëpërmjet Fondit të Inovacionit të Serbisë, kanë qenë kontribute të rëndësishme për këtë avancim.