Bashkim Koçi: Kujtim Nanushi njeriu ku gjeti rehatinë “kurora e punës”

92
Sigal

Kujtim Nanushi, ky njeri që zgjodhi punën “me hekurat”, atë më të mundimshmen, lindi në fshatin Strenec të Skraparit. Ai fshat ndodhet aty në anë të Dangëllisë të Naim Frashërit, i cili e kishte lënë të shkruar “duajeni punën dhe sa më larg makutësisë”, porosi që në ato anë është konsideruar bekim i trashëguar në breza

E kam ndjerë veten “borxhli” ndaj një njeriu, i cili të gjithë jetën, nga fëmijëria e deri sot, e la arave, i mbërthyer mbi traktor si të ishte pjesë e asaj makinerie bujqësore të rëndë e paksa të frikshme. Dhe ky njeri, në prehrin e të cilit gjeti rehatinë “kurora e punës”, e ka emrin Kujtim Nanushi. Vendlindja, gjeni i fisit nga vjen, rrethanat ekonomike të familjes apo edhe fati që të ndjek në jetë, janë “investitorët” kryesorë që bëjnë të jesh ai që je. Kujtim Nanushi, ky njeri që zgjodhi punën “me hekurat”, atë më të mundimshmen, lindi në fshatin Strenec të Skraparit. Ai fshat ndodhet aty në anë të Dangëllisë të Naim Frashërit, i cili e kishte lënë të shkruar “duajeni punën dhe sa më larg makutësisë”, porosi që në ato anë është konsideruar bekim i trashëguar në breza. Kujtimi i përket brezit “të artë”, siç thuhet sot për të gjithë ata që u lindën, u rritën dhe shkolluan në vitet e pas Luftës e dekadat që pasuan më tej.

Ai u lind më 7 maj të vitit 1942 dhe ishte vetëm 7 vjeç kur familja, për shkaqe ekonomike, do të transferohej për t’u vendosur në Sukth, në një nga vendet ku shteti i atëhershëm i dha përparësi bujqësisë. Ishte ky vëndi ku Kujtim Nanushi do të shikonte për herë të parë atë maqinerinë e rëndë, e cila na paskej një emër të padëgjuar kurrë, traktor. Të hipte mbi traktor, e jo më që ta drejtonte e ta komandonte si t’ja donte puna, Kujtimi e kishte ëndërr. Madje kur e mendonte këtë gjë, jo pa arsye, e quante fantazi të imagjinatës së tij, e cila nxitej e merrte hijen e së vërtetës kur përballej me atë “kafshë prej hekuri”. Paksa e çuditshme, por Kujtimi, me hir apo me pahir, sapo mbaroi 7-vjeçaren, u gjend mbi traktor.

Ishte viti 1957, vetëm 15 vjeç. Tashmë gjithçka varet nga unë, i thoshte vetes djaloshi ende i parritur, pa iu forcuar eshtra për t’i bërë ballë një pune të rëndë prej vërteti. Por ajo çka rrodhi më pas në ata vite bëri që Kujtim Nanushi të ishte jo vetëm një nga ata “lojtarët” manovratorë ndër më të mirët, por edhe i kudondodhur për të kryer punë nga më të vështirat. Shpesh jeta bën atë që nuk e ke menduar kurrë. Gdhiesh në një vend e nuk e di ku ngrysesh. Kjo çka them ndodhi edhe me familjen Nanushi. Ishte viti 1967 kur, pas “thirrjes së Partisë”, Kujtimi familjerisht shkon në vendlindje, në Skrapar.

Sigurisht që as bëhej fjalë që ai të ishte një nga traktoristët më të përgatitur, më të zotë dhe shumë i vendosur për të mbajtur përgjegjësi në kryerjen e çdo detyre që do t’i jepej. Këtë gatishmëri e zotësi të shfaqur për t’u bërë ballë punëve më të rënda, atij ia jepnin jo vetëm 10 vitet si komandues të një traktori, por edhe dashuria për vendlindjen, dashuri që u shfaq e mori zjarr nga të gjithë pjesëtarët e familjes së Nanushajve. Kam dëgjuar të thuhet se nuk tremben kurrë ata që lindin në mal. Një ndër këta trima na qënkej edhe Kujtim Nanushi. Edhe tani, pas kaq dekadash, në Skrapar thonë se ky traktorist i pashembullt nuk la pa shkelur me traktorin e tij asnjë fshat, arë apo shpatull mali.

Ishin vitet kur në ato anë “hante pula gur”, Skrapari arriti t’i dorëzonte teprica drithi shtetit. Mund të buzëqesh dikush nën buzë, por kjo ka qënë një realitet që nuk mund ta mohojë kush. Traktoristit Kujtim Nanushi i kishte duk puna. I kishte duk sepse ai nuk sakrifikohej për t’u dukur. Skraparasit ku traktori i tij “shkeli” për të çarë e përgatitur tokat për të mbjellë grurë e misër, apo kultura të tjera bujqësore, e kujtojnë me nderim e përulje për çka bëri e ca më shumë për atë nuk tha kurrë jo për t’u futur e guxuar në shkretina ku të rrezikohej edhe jeta. Ishte kjo zotësi që ai të njihej nga të gjithë në ato anë si “çudibërës”, mekanizator që ja dinte vlerën dhe fuqinë një mjeti të pazëvendësueshëm siç ishte traktori. Fjalët dhe opinioni i mirë që Kujtim Nanushi i rrëmbeu falë punës së tij të pakursyer, do të ishte medalja më e çmuar, gjë që ai e ndjente dhe e përjetonte në çdo çast në kontaktet me njerëzit. Ishin pikërisht këto “medalje” të dhëna prej njerëzve të thjeshtë që ai të nderohej disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të kohës.

Por ajo që do t’ja çonte më lart emrin dhe shpërblimin për gjithçka që kishte bërë ishte kur Kujtim Ramadan Nanushi në nëntor të vitit 1968 mori vlerësimin më të lartë, atë të Heroit të Punës Socialiste. Ne e dimë se personat e shquar në fusha të ndryshme dekoroheshin me tituj të lartë si ‘Hero i Popullit’ për ata që ranë në Luftën për çlirimin apo kontribut të veçantë ndaj Atdheut, ‘Artist i Popullit’, ‘Piktor e Skluptor i Popullit’ dhe për kontribut të shquar në punë atë të Heroit të Punës Socialiste. Pra edhe personazhi ynë, Kujtim Nanushi, mundi të kapë këtë majë të lartë të vlerësimit vetëm pse ai la gjurmë “të hekurta” falë atij përbindëshi prej hekuri, siç ishte traktori. Dihet se karriera arrihet kur merr përsipër t.i shërbesh Popullit tënd e jo për famë e për të fituar para.

Kujtim Nanushi zgjodhi të parën, pra t’i shërbente Punës. Ishte kjo ndershmëri dhe garanci që ai, edhe pse me shkollë të mesme, të kryente shumë detyra që kishin të bënin me organizimin e Punës, deri edhe drejtor i SMT-së të Skraparit. Thuhet se frymëzimi është vëllai i punës. Kujtimi, ashtu si ai artisti që përdor si t’i ketë bërë magji instrumentit të tij, mundi të bëhej një emër, të ishte dikushi si mekanizator dhe organizator i veçantë në fushën e bujqësisë. Ai, ashtu si bleta punëtore, nuk ua vuri veshin këshillave që sot nuk do të mund të kishte këtë emër të nderuar në Skrapar e më gjërë. Ai pati aftësinë të kishte pronë të tij moralin e punës, atë që shoqëria e sotme e ka tjetërsuar në diçka tjetër, në qëndresë në krah të krimit dhe të pasurimit në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të Popullit.

Kujtim Nanushi, ky Hero i Punës, e ndërtoi jetën në atë mënyrë që, edhe pse sot është 84 vjeç dhe merr një pension, i cili turpëron shtetin (vetëm 18000 mijë lekë në muaj), të ndjehet qytetar i nderuar, ashtu si mund të ndjehet çdokush që arrin të shijojë bekimin që të jep puna. “E mira e njerëzve, thoshte Tolstoi, është jeta. Kurse e mira e jetës është puna.” Kujtim Nanushi, ky skraparas i fisshëm, i virtytshëm dhe i prirur për të bërë vetëm punë të mira, këtë këshillë të filozofit të madh e paskësh patur në gjak, të përciellë në breza njerëzish.

SHËNIM: Falënderim për z. Hysen Caka për përkujdesjen dhe që i dha ndritë këtij shkrimi, si dhe z. Koçit. Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf