Nga Ergi Zaloshnja
Përgjegjës i Sektorit të Muzeut dhe Promovimit
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përmbylli një javë të pasur aktivitetesh kulturore dhe profesionale në Itali, me në qendër Konferencën e IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e zhvilluar më 15 qershor në Shën Mitër, Kalabri, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe me mbështetjen e veçantë të Komunës së Shën Mitrit.
Konferenca mblodhi arkivistë dhe studiues nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora, duke ndarë praktika dhe vizione për ruajtjen dhe zhvillimin e arkivave në nivel kombëtar.
Pjesë e programit ishte edhe ekspozita përkujtimore në Arkivin e Shtetit në Bari, kushtuar 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, si dhe vizita me karakter kulturor e akademik në Muzeun e Kodikëve në Rossano, Universitetin e Kalabrisë dhe në disa fshatra arbëreshë.
Këto veprimtari thelluan bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përforcuan misionin e DPA në promovimin e trashëgimisë dokumentare shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
