Suplementi Pena Shqiptare/ Mevlan Shanaj: Dje, një ditë e zakontë dhe e pazakontë në Fier

Këto ditë, ekipi ynë që po realizon 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa (e që më ka besuar nderin mua, të jem në krye e të drejtoj këtë ekip), më ngarkoi detyrën (pak urgjente), që të merrja makinën e të shkoja në Fier, ose më mirë në Bashkinë Fier, e cila edhe se është në “pështjellën” që sjellin zgjedhjet elektorale (të bashkive), ishte gati-gati si në një ditë të zakontë pune! U ngjita shkallëve të katit të dytë ku është administrata dhe më doli përpara një zonjë, e cila me pamje dashamire e të buzëqeshur, më shtrëngoi dorën dhe më ftoi në zyrë. Kjo grua energjike, që trasmetonte simpati e dëshirë, përveçse profesionalizëm, ishte nënkryetarja Enkelejda Peshkëpia! Përveçse Nënkryetare, është dhe Personi përgjegjës në Bashki (Contact person) i një Projekti Europian IPA, i quajtur TOUENEE/Shoëcase theater! Po ai projekt, kur bëri që një “delegacion” pune nga drejtorë e përgjegjës të teatrove vendore, anëtarë të Rrjetit Teatror Shqiptar (APT), rreth 10 të tillë, të ishim “mysafirë” të një “sofre” teatri mjaft kuptimplotë, organizuar me shumë sukses nga Bashkia Barletta (Itali) (Lead Partner) dhe Teatri Publik Puliez (Bari, Itali), event për të cilën kam folur e paraqitur publikisht dy javë më parë! Jo më kot e përmend, sepse tashmë nga data 6-9 qershor të këtij viti, i njëjti koncept organizimi do të realizohet në Bashkinë e Fierit (Project Partner). Sepse kështu funksionon Programi IPA, dhe se kështu funksionon edhe projekti TOURNEE, projekt rrjetëzimi teatrosh vendorë midis Pulias (Itali), Shqipërisë dhe Malit të Zi! Sivjet, ky Projekt ka edhe një veçori domethënëse, sepse realizohet edhe në kuadër të “100 vjetorit të Lindjes” së Jakov Xoxa! E jo vetëm, se këto evente do jenë pjesë e kalendarit të “Javës së kulturës italiane nëpër botë”, që do realizohet edhe në Shqipëri nga data 2 qershor! Me këtë “peshë” përgjegjësie e takova Enkelejdën, ose Lejdën siç e thërrasin të gjithë! Mbas përshëndetjes i thashë asaj: “Kam ardhur të finalizojmë punën për aktivitetet që do organizihen për 100 vjetorin e Jakovit, sepse ditët ikin dhe po shtrëngohen…” “E di”, m’u përgjegj, “Dhe shumë mirë bëre që erdhe…” “Ok!”, i thashë, “Më vjen mirë, që edhe se në qëndër të fushatës së zgjedhjeve, po punoni gati normalisht!” Lejda buzëqeshi dhe më tha: “Po, edhe ne e kemi detyrim dhe nder këtë 100 vjetor. Hajde Mevlan, t’i futemi punës e t’i dalim përtej!”“Ok”, i thashë, “A jemi gati të kujtojmë siç duhet Tolstoin shqiptar” “Sigurisht që po!”, ish e menjëhershme përgjigja. “Bukur”, fola dhe që të dy, diskutuam programin që duhet të realizojmë, sëbashku me shumë e shumë institucione që do ta nderojnë këtë përvjetor, nga Ministria e Kulturës, tek Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, Institucione të tjera kulture e arti të Shqipërisë, Kosovës dhe Diasporës; Ambasadës së Italisë dhe Rajonit të Pulias, JS i programit IPA-Capitalisation Itali-Shqipëri-Mali Zi; institucionet vendore të Fierit me në krye Bashkinë, si dhe organizata, shoqata e personalitete të ndryshme! Mirëkuptimi me Lejdën ish i plotë dhe dje, as më shumë e as më pak, “premë” shiritin e punimeve! Së shpejti aktivitetet e pa numurta nisin në Fier duke u mbyllur me çmimin “Jakova Xoxa” dhe dokumentarin e Ylli Pepos për jetën e “Shën Jakovit” !

 

Sigal