Dridhmë je, e imja Mëmëzonjë
psherëtimë vale, që më gjunjëzon,
aromë bjeshke,me hap të lashtë,
fllad magjik,që rrjedh në asht.
Ke moshën e gurit,o Mëmëzonjë,
tempull lashtësie me shqiponjë,
vallen shekujve,ke hequr rëndë,
kur buza rridhte gjak në këngë.
E hijshmja ime, Mëmëzonja,
perëndeshë bukurie në shqota,
kush të njohu e s’i dhe muzë,
kujt s’i mbete fllad ndër buzë.
Kur mbi ty bien re të errëta,
syri yt u hedh shigjeta,
ti s’duron dot, t’i prekin trojet,
as livadhet,malet, krojet.
Shpirtit të mundon një brengë,
brengë e kthyer tashmë peng;
Kur ul bijtë të gjithë në sofër,
Çamërisë s’ia mban dot lotët.
Kosovës s’ia shuan dot mallin,
ndonëse ia ke puthur ballin.
Si duron, e mira ime, Mëmëzonjë
pa i vënë Shën Naumit qiri mbi kokë.
Klithmë e Ulqinit dhe e Gucisë,
ballit të lidhi sharpin e zisë.
Oh,Mëmëzonjë, kjo dhimbja jote,
kullon gjak dhe lotë ndër mote.
Unë dhe ti, e mira ime Mëmëzonjë,
bashkë derisa këto troje të rrojnë,
piskamë e heshtur jemi në këtë botë,
jemi klithma dhe bukuria e planetit Tokë.