Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Mira Meksi zgjon Mbretëreshën Teutë dhe kohën e saj

180
Sigal

 

                  (Rreth romanit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”)

I ndrittë shpirti atij që ka thënë se “Për të shkruar një libër, duhet të shfletosh një bibliotekë të tërë”. Kjo mesa duket ka qenë edhe sentenca që e ka udhëhequr Mira Meksin, shkrimtaren nga më të mirat që ne kemi, në të gjithë krijimtarinë e saj, çka qartazi paraqitet edhe te romani i botuar nga TOENA “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Duke qenë se për arsye të kuptueshme, nuk është trajtuar aq sa duhet, lexuesi shqiptar përherë ka qenë i etur për atë lloj romani ku ana historike është gërshetuar me atë artistiken. Pak a shumë, ne kemi mbërritur deri te figura e Skënderbeut, ku letërsia artistike ka ndriçuar gjithë veprën e tij. Mirëpo, duke qenë nga popujt më të vjetër të Evropës, duhet përshëndetur çdo përpjekje që shkon përtej asaj epoke, në thellësi të shekujve që i ka mbuluar si mallkim, mjegullnaja e mospasjes sa duhet e dokumenteve autentike apo dhe pluhuri i pamëshirshëm i harresës. Kuptohet që në të tilla kushte, ai që rreket të merret me ato kohë të largëta, do të vërë në lëvizje trillin, fantazinë dhe imagjinatën e vet.

 

Por Mira nuk e ka lënë me kaq; ajo si rrallëkush u ka hedhur ngjarjeve dhe personazheve të saj tunikën e purpurtë të mitologjisë. Dhe pikërisht kjo zgjedhje e bën romanin e saj jo vetëm kaq joshës, por edhe tërësisht të veçantë. Le ta themi qysh në fillim: nuk ka në gjithë historinë e letërsisë tonë një rast tjetër, që si me magji, ta largojë lexuesin nga realiteti ku vegjeton dhe ta fusë në një botë që edhe pse aq iluzive, t`i duket e vërtetë dhe sikur jeton në të. Pak a shumë, edhe pse e kemi ditur se të parët tanë kanë pasur mitet e tyre, përsëri kemi admiruar ato greke e romake dhe kjo vinte se edhe kultura botërore atyre u referohej. Nga ana e saj, kjo edhe na bënte të ndiheshim disi inferior ndaj tyre. Mesa duket, leximet aty – këtu nuk mjaftonin që masa e gjerë të kishte një mendim më të konsoliduar se edhe të parët tanë kishin perënditë e gjysmëperënditë e veta, fenë e tyre politeiste, njësoj si ata, se ne kishim dhënë e kishim marrë me fqinjët, pasi këto shkëmbime kulturash, besimesh e sjelljesh i diktonin rrethanat e atëhershme, marrëdhëniet tregtare apo luftrat pushtuese që ishin të pashmangshme. Edhe te ne, si te popujt afër nesh, perënditë e shekullit të mbretërimit të gruas së Agronit, Teutës, kishin evoluar, dhe nga ato theriomorfe, kishin marrë trajta antropomorfe, pra përfytyroheshin si njerëz, por me fuqi të mëdha. Profesori Myzafer Xhaxhiu dikur thosh se “Figura të tilla gjejmë në mitologjinë që ka krijuar populli ynë, në kultet dhe besimet e lashta pagane, që dallohen për fantazi pjellore, për shije të hollë artistike dhe për sensin e gjallë të realitetit”. Këtë ka bërë edhe shkrimtarja Mira Meksi, duke alternuar sjelljet e njerëzve me ato të perëndive te të cilat ata besoni e faleshin. I tillë është sfondi ku zhvillohen ambicjet, synimet dhe dëshirat e Teutës së Ilirisë, pas vdekjes së të shoqit, Agronit. Ajo ishte prej mishi e gjaku si gjithë të tjerët, por e bindur se kishte lindur për vepra të mëdha. Autorja, duke e përshkruar atë, na paralajmëron se “ajo ishte njeri vdekatar dhe njëkohësisht mban hyjnoren brenda vetes”. Fillimisht shërbente si kryefalltare në tempull, njësoj si Pitia e grekëve. Madje ruante si atje Hyun Gjarpër për t`iu falur. Teuta besonte se “Ilyriosi, hyu gjarpër, është origjina jonë, është vatra, është e shkuara dhe, mbi të gjitha, është e ardhmja jonë, është kujtesa, fuqia dhe shpirti ynë”. Me këtë bindje ajo ishte bërë njësh me gjarpërin. Le të kujtojmë bashkimin intim të Olimpias, nënës së Aleksandrit të Madh me gjarpërin. E meqenëse jemi këtu; sa ngjashmëri karakteresh mes saj dhe kësaj princeshe molose. Priftëresha kishte në Delf, priftëresha zgjidheshin edhe në Rhizon, vajzat më të bukura dhe më të mençura. Bankete deri në orgji atje, bankete këtu. Parashikime atje, që i kërkonte deri mbreti i Lidisë Krezi, parashikime këtu. Teuta qëndroi në fron nga viti 231 – 228 p.e.s. por edhe kaq qe e mjaftueshme për të treguar aftësitë e saj si në udhëheqjen e popullit të vet, si në politikën e jashtme e diplomaci, si në zgjerimin e kufijve me anë luftrash pushtuese ku paraqitet si një stratege e vërtetë, si në shmangien e intrigave që sjell rivaliteti për pushtet, ashtu edhe në mbajtjen ndezur të zjarrit përvëlues të dashurisë. Pra, ajo bën një jetë të dyfishtë: midis detyrimit për t`i dalë zot vendit e popullit të vet dhe gjithçkaje që rezervon dashuria për komandantin e flotës (navarkun), grekun Demetër Faros. Se fundja, ajo ishte grua dhe nuk shpëtonte dot nga rrjeta e saj. Ja si përshkruhet në roman kjo e dyta: “Teuta dëgjoi të rrahurat e forta të zemrës së vrumbullt të grekut dhe ndjeu përnjëherë zemrën e saj t`i përgjigjej me të njëjtin ritëm goditjesh. U përpoq ta bënte zap, por nuk mundi. “O hyjni të pavdekshme”, klithi ajo pa zë, “po si e keni stisur këtë ndjenjë që na e hidhni si ushqimin më të çmuar të perëndive të Olimpit? Si na fusni në kurthin më të ëmbël që mund të bëhet dhe na ktheni në lojë të shpirtit tonë? Si na humbni e na tresni kështu, pa nam e pa nishan, në këtë gjithësi pa krye e fund që quhet dashuri, ku asgjë nuk kemi më në dorë, madje as veten tonë?” Po t`i besojmë asaj që vjen nga dëshmitë e asaj periudhe, dhe kryesisht rrëfimit të Polibit nga Megapolisi (i cili jetoi më afër asaj kohe,) i cili shkroi në 40 volumet e tij për periudhën 264 – 146 p.e.s. ku përmend edhe ngjarjet e Ilirisë, Dimitri i ishullit Far (Hvari) të Kroacisë nuk ka pasur asnjë lidhje afeksioni me Teutën. Për më tepër, pasi dorëzoi Kërkyrën, ai hyn në bisedime me konsullin romak Fulvi, pra e tradhton atë, gjersa puna shkon te sulmi i romakëve mbi Iliri, me justifikimin e piraterisë dhe vrasjes së të dërguarit të senatit romak Coruncanius. Dhe duke shkuar më tej, Dimitri bëhet këshilltar i tyre, çka solli detyrimin e Teutës të tërhiqej në Gjirin e Kororrit, në Rhizon. Por, (dhe këtu qëndron ana artistike e shkrimtares), në libër ai marroset pas hireve të Teutës që i ngjet me vetë perëndeshën e dashurisë, me gjithë luhatjet ndaj gruas së parë të Agronit, Triteutës, (me të cilën dikur martohet), që donte të hakmarrej dhe të vendoste në fron të birin, Pineun që vdiq 15 vjeç, dhe xhelozisë qe ndiente ndaj kunatit të saj princit Skerdilajd. Mira, duket se për ta shpalosur deri në fund dashurinë e tyre, ka thirrur vetë Safon, atë që Platoni e quante muza e dhjetë e cila kishte kënduar: “Me perënditë ngjet ai njeri / që rri pranë e zërin i dëgjon kur flet / buzëqesh me dashuri / e zemra më ngrihet lart menjëherë / mbi kraharor”. Po të mos kishte futur dashurinë në mes, romani do të kishte thjesht karakter historiko – ushtarak. Sido që duhet pranuar se Mira Meksi më habit edhe mua ushtarakun e vjetër, me njohuritë e saj të pafund rreth zhvillimit të betejave, me taktikat, armatimet dhe mendësitë e asaj kohe. Por Teuta vizatohet nga autorja me tërë dinjtetin e një sovraneje. Ajo ka si mësues Epikadusin që i flet deri edhe për Aristarkun e Samosit i cili qe i pari që hodhi idenë e rrotullimit të diellit dhe të tokës rreth tij. Kjo ishte në traditën e mbretërve të lashtësisë. Të kujtojmë se vetë Leka i Maqedonisë kishte si tutor filozofin nga Trakia, Aristotelin. E mbrujtur kështu, ajo del para nesh ashtu sikurse qëndronte në bashin e katafraktit: madhështore dhe e paepur; që i zgjeroi kufijtë e vendit të vet deri atje sa grekëve, siç thuhet, u hyri frika jo vetëm për pasuritë e tyre, por për veten dhe qytetet e tyre. Ajo synonte “Pas Kërkyrës, Korinthi dhe Mesena, tërë Argosi” dhe kishte përfunduar: “Më tej, flaka le t`i dalë Athinës!” Mira, nga ana e saj, gjen rastin të na japë hollësira mjaft interesante nga qytetet tona të asaj kohe. Ata janë plot dritë, ku jeta gumëzhin si në gjithë qytetet e tjera mesdhetare. Teksa flet për Durrahun ajo shkruan: “Në krye të shkallares së faltores së Artemisit, Teuta hodhi vështrimin gjithkund dhe soditi si në pëllëmbë të dorës Epidamn Dyrrahun, qytetin e mrekullueshëm e të shumëpasur, thesari i të cilit ruhej në tempullin e famshëm në pyllin e shenjtë të Altisit në Olimpia, pa vijën e hapur të udhës Kandavia që lidhte bregun e Hadrias me gjirin Thermaik, dhe më pas i shkuan sytë te një horizont i përflakur që mbinte nga deti…” Dhe po të vazhdosh kështu me Scodrinon, Apolloninë, Bylisin, Antigonenë, Onhezmin a Buthrotin etj. do vësh re se në vendin e të parëve tanë që krijoi Kadmi me bijën e Aresit, Harmoninë, pasi ata shkuan në Fushat e Elizeut që aq bukur i përshkruan Hesiodi, zotëronte qytetërimi. Mjafton të përmend se ashtu si Omfali grek edhe ne kishim në Apolloni obeliskun madhështor të Apollonit, që konsiderohej gjithashtu qendra e botës, si dhe teatri ynë i Dionizit merrte mijra spektatorë, pra shumë më i madh se ai i Athinës, poshtë mureve të Akropolit. Veç duhet ditur se tekat e fatit të njeriut dhe shteteve marrin drejtime krejt të papritura. Kur Teuta e sheh këtë, i kumbojnë në vesh fjalët që shoqëruan helmin e “mallkimit të faltareve”: “Në iu dorëzofsh një ditë dobësisë së zemrës vdekatare, / braktise jetën njerëzore si një mallkim, / dhe lëre hyun që ke brenda vetes të prijë Ilirinë!” Dhe shuhet; por sesi askush nuk e di. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi po ta gjykosh nga vepra që la. Dhe ishte vetëm një grua. Ajo ishte ashtu siç i tha Princi Skerdilaid: “ti je shumë më tepër se mbretëreshë dhe prijëse. Je shpirti i Ilirisë, je totemi i saj”. Po ta shohësh librin nga përshkrimet e hollësishme të tyre, nga veshjet, nga enët që përdoren, gatimet që konsumojnë, ritet që praktikojnë, imtësitë gjithë besnikëri të festimeve e ceremonive etj. të bëhet se sapo ke dalë nga pavionet e ndonjë muzeumi me famë. Në imtësi paraqitet zakoni i vajtimit si ai për mbretin Agron i cili thuhet se vdiq nga që u ftoh, teksa nga gëzimi i fitores në malin e Olimpit hëngri e piu me tepri. Aso kohe ilirët, ende nuk ishin njohur me traktatin e Lukianit “Mbi pikëllimin” pasi duheshin edhe 350 vjet që ai të lindte, ndaj çirrnin faqet, shkulnin flokët dhe grisnin veshjet. Shkrimtares i lejohen edhe kapërcime si ai i misrit që nuk ekzistonte, se dihet që atë e solli Kolombi në shek e XV – të, apo qumështi i dallandyshes, term që u njoh te ne pas çlirimit, si reklamë te kutitë e ndihmave. Dhe po t`i shtosh pastaj leksikun, fjalorin e personazheve, atëherë gjithkush ka të drejtë të mendojë se i ka parë vetë ato ngjarje dhe i ka njohur ata njerëz. Mira, në të shkruar përdor frazën e gjatë; por brenda saj ka aq larmi informacioni, ngjyrime e muzikalitet, sa të bëhet se po çlodhesh duke i lexuar. Po ashtu, ajo përdor me sukses të plotë fjalët e përngjitura, për të mos thënë se edhe krijon fjalë të reja, të pahasura askund më parë. Dhe ashtu si te Frosina e Janinës, ajo, si ai Gjarpëri mitik, bëhet njësh me heroinën e vet. Pastaj, ashtu sikurse këshillonte miku i saj G. G. Markesi “Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për t`u treguar”. I lexon bëmat e mbretëreshës Teutë dhe parasyve të del vetë Mira Meksi me tërë bukurinë, mençurinë, dijet dhe kurajën e saj prej Pentesileje. Se ajo me të vërtetë, me këtë roman e ka fituar nderin të quhet Pentesilea e amazonave të letrave shqipe, para veprës të së cilës, do prekej e gjunjëzohej edhe vetë mirmidonasi Akil, më i famshmi i heronjve homerikë.