Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: Burri me biçikletë gomëshpuar

517
Sigal

(Sipas tregimit të D.Y.)

 

Kryenim praktikën mësimore tremujore në minierën e qymyrgurit të Krrabës. Në fundjavë ktheheshim në shkollë për të bërë shërbimet tona të jetesës dhe të plotësonim dokumentet e nevojshme për temën e diplomës. Një të shtunë në mbrëmje të qershorit 1958, dolëm te rruga automobilistike nacionale, te Kafja e Xhafës, me shpresë se mund të gjenim makinë për në Tiranë. Atëkohë  makinat numëroheshin me gishta. Pritëm deri sa u errësua dhe, me që makina nuk po kalonin fare, u nisëm në këmbë drejt Tiranës. Të rinj ishim dhe me që do vinim në konvikt, tek shokët e shoqet, ia vlente që të lëviznim edhe në këmbë. Ishim tre: Latua, Prenga dhe unë. Pasi bëmë një copë udhë nGa mbrapa vjen një makinë prej Elbasanit e cila, papritmas, ndaloi te këmbët tona.

– Për Tiranë?

– Po.

– Hipni, tha shoferi. Në makinë nuk kish tjetër njeri. Sa zumë vëndet ai na pyeti se ku jetonim dhe pse ishim kaq të vonuar. Ai fliste me një rusishte paksa të përzjerë. Kjo ne na bëri të  dyshonim se u kuptua që nuk ishte shqiptar. Dhe të udhëtoje  natën drejt Tiranës në një makinë me shofer të huaj e të panjohur ishte ngjarje e jashtëzakonshme. Kur mori vesh se ne ishim nxënës praktikantë, në minierë,  na tha se në  Poloni ka shumë studentë  shqiptarë. Atëhere ne, disi më të qetësuar, u bindëm se ajo qe makinë e ambasadës polake në Tiranë. Fundja Polonia ishte shtet i demokracive  popullore të kampit socialist dhe nuk kishte përse të shqetësoheshim.  Ne nuk zbritëm te kthesa e Saukut ku ai tha me një shqipe të çalë, “Erdhëm në Tiranë”, por zbritëm te ndërtesa e fakultetit. E pyeti rusisht Latua për pagesën, por ai nuk pranoi kurrësesi  që të merrte lekë.

Sa vumë këmbët në tokë, pa  bërë as tre-katër hapa, na del përpara një burrë rreth të dyzetave që mbante për doreze një biçikletë  me njërën gomë të shpuar dhe na ndalon duke na pyetur radhazi, kush ishim, ku ishim, pse kishim hipur në atë makinë, a dinim se kush qe ai etj. Latua, tek i cili natyra ishte treguar e pakursyer, në bukuri e zgjuarësi, u ndodh një hap më tutje meje, e duke  iu afruar  të panjohurit ashtu në gjysmë errësirën e rrugës   me një guxim djaloshar mu përpara fytyrës, e pyeti:

“Ju mos jini gjë punonjës  i sigurimit?”

“Jo”, – belbëzoi ai, “por ju duhet të kini kujdes që të mos hipni në makinat e ambasadës jugosllave…”

Kjo përgjigje, ne na bëri të kuptonim se ai e dekonspiroi veten si bashkëpunëtor i sigurimit.

“Ishte errësirë dhe nuk i pamë targën” – iu përgjigjëm ne sinqerisht, të tre thuajse njëherësh.  “Pastaj, ai ndaloi e na mori, nuk i thamë ne! Dhe ne e kuptuam që  ishte i ambasadës polake” – e mbylli  përgjigjen Prenga.

“Mirë, mirë, por ju duhet t’i mbani sytë hapur se  armiku punon…” vijoi burri me biçikletë. Ai e zbuti pak tonin e bisedës dhe tha: “Hajde se bashkë e kemi udhën deri në një farë vendi”. Dukej qartë se donte që të thellohej më tepër  në marrjen e informatave se çfarë bisedash kish bërë njeriu i huaj me ne.

Burri me biçikletë, na shoqëroi duke na pyetur, për detaje të  bisedës gjer edhe për mimikën e njeriut të huaj, derisa mbrritëm te Xhamia e Et’hem Beut. Dhe ne, krejt të çiltër i treguam se asnjë bisedë nuk bëmë me të  dhe ishim të bindur se nuk kish asgjë  të keqe në atë mes.

Aty deshëm që të ndaheshim prej tij. Mirëpo rruga jonë  drejt shkollës ishte në të njëjtin drejtim me selinë e ambasadës jugosllave, ndaj atij iu rizgjua  dyshimi.

“Mos shkoni andej, po këtej; – tha ai dhe i shkoi krahun Prengës. Nuk kaluan  në heshtje  më tepër se njëzet hapa dhe ai mori kthesën drejt rajonit të policisë.

– Ku po na shpie, kështu?- e pyeti Latua.

– S’kini faj ju kur nuk u shpura në rajonin atje lart, që ta shikonit mirë se … “ na foli ai me zë disi kërcënues.

-A je në vete ti apo jo, e pyeta unë me një ton të nxehur, ne s’kemi fare punë në polici. Ai nuk ktheu përgjigje. Pak të befasuar nga ky veprim tinzar i burrit që me një dorë mbante biçikletën së cilës i qe shpuar goma e prapme dhe me tjetrën krahun e Prengës, ne heshtëm dhe secili po mendonte për një natë në birucë. Më i madh ishte turpi se sa qëndrimi në  izolim. Tek porta e ndërtesës  së rajonit, polici roje lejoi hyrjen tonë me një kokëpërshëndetje dhe nderim me grusht. U hap dera e zyrës së oficerit të rojës, i cili kur na pa ne, iu drejtua burrit, që tashmë biçikletën e kish lënë  në korridor.

-Çfarë paska bërë Prenga?

Burri i panjohur për ne, u ndje sikur dikush e kish goditur në kokë, kur dëgjoi se njëri prej nesh kish të bënte me oficerin e rojës. Prenga mbante kokën ulur pa folur. Oficeri i policisë e dëgjoi deri në fund rrëfimin e “shoqëruesit” tonë dhe ia pat: “Këta janë djem shumë të mirë që të tre dhe nuk gabojnë.P ër sonte do të shkojnë në konvikt dhe nesër do të bisedohet me drejtorinë e shkollës”.

Ai, burri që na solli këtu, desh të thoshte edhe diçka, por ne e vështruam me inat dhe mundëm të shqiptonim vetëm “Natën e mirë!’ për të pranishmit,  pastaj  me hapa të shpejta morëm udhën për në shkollë. Latua ktheu edhe një herë kokën andej nga nisi të çapiste ai burri emërharruar, duke ofshuar e pëshpëritur nëpër gojë një thënie të krahinës “Kësaj i thonë, e gjetsh  nga mos e pandehç!”