Suplementi Pena Shqiptare/ Kristo Luarasi/ Botuesi më i shquar i Rilindjes Kombëtare

1344
Kristo Luarasi botuesi dhe editorialisti më i shquar i Rilindjes Kombëtare
Jeta
Kristo Luarasi (Luaras, 15 dhjetor 1875 – Tiranë, 8 korrik 1934) ose Kristo Papa Stefan Kici qe botues dhe veprimtar i çështjes shqiptare. Kristo Luarasi lindi në vitin 1875 në fshatin Luaras të Kolonjës, i biri i Papa Stefanit prej të cilit nxuri shqipen. U arsimua në shkollën e Hotovës, ku i dha mësim Petro Nini Luarasi. Si shumë bashkë krahinorë të tij vajti në mërgim, dhe posaçërisht në Rumani, u vendos në Bukuresht ku lëvizja çlirimtare shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare. Kristoja hyri në shkollën që kish hapur në Bukuresht atdhetari Nikolla Naço; njëkohësisht ai mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Punon për traktatin teologjik e filozofik, Fletore e Bektashinjvet të Naimit. Nga viti 1896 bashkë me Kosta Jani Trebickën shkoi në Bullgari dhe u vendos në Sofje, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet, më 1893 kishin themeluar shoqërinë “Dëshira”, e cila, si edhe shoqëritë e tjera të mërgimit, zhvillonte një veprimtari kulturore me qëllime të qarta politike. Me ndërhyrjen e kryetarit të shoqatës, Dhimitër Mole, Kristua punoi në shtypshkronjën e shtetit me të mbërritur. Shoqata më ngriti 1896-n një shtypshkronjë të thjeshtë, pas ca kohe Jani u tërhoq, u mor me punë te tjera, prandaj shtypshkronjën të cilës i vuri emrin kuptimplotë “Mbrothësia” e mbajti vetë Kristo Luarasi. Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave. Kristo së bashku me Kostën dhe Mithat bej Frashërin arriti të botojë Ditërëfenjës-in ose Kalendarin Kombiar që u botua përvit me ndonjë shkëputje prej 1897 gjer më 1928. Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, “Valët e Detit” te Spiro Dines, Hoxhë Vokës etj. Në vitin 1899 Kristo P. Luarasi, sipas porosisë që kishte marre edhe nga kryesia e shoqërisë “Dëshira” u nis për në Shqipëri, Kalabri e Siçili tek arbëreshët e Italisë, dhe në Stamboll, për t’u takuar me vëllezërit Frashëri. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që duke u vënë në kontakt me rilindësit më të shquar të kohës të hartonin një program te përbashkët për botimin e librave të tyre në shtypshkronjën “Mbrothësia” me alfabetin e Stambollit. Pasi u kthye në Sofje, më 23 shtator 1900, ai i dërgoi një letër përkrahësit dhe mësuesit te tij në Bukuresht, Nikolla Naços, ku, si përshkruan peripecitë e udhëtimit gjatë të cilit ai ishte i pajisur me tri pasaporta të rreme për t’u shpëtuar ndjekjeve që autoritetet turke u bënin të gjithë atyre që lëviznin me botime shqipe në duar, ndër të tjera, nënvizon se për mbarëvajtjen e përhapjes e kulturës dhe të librit shqip, shihet i nevojshëm krijimi sa më parë i një “shoqërie për shkollat dhe i një shoqërie për të shtypur librat”. Ndërkohë Shahin Kolonja ndodhet në Sofje, dhe, pas punës përgatitore për grumbullimin e lëndës, me 1 nëntor 1901, në shtypshkronjën “Mbrothësia” u shtyp numri i parë i gazetës “Drita” me ndihmën austro-hungareze, të cilën e botoi prej 1901 deri më 1908. Abetaret e Shoqërisë së Stambollis u ribotuan dendur për t’u shpërndarë në atdhe. Kristo u martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai që pat mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin, i cili punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë, të cilën e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën Margarita.
Mirënjohje
Në nëntor 1962, Kristo Luarasi u nderua me dekoratë me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit II, ndërsa të shoqes po të njëjtin por të Klasit III.
Nëntor 1992 u dekorua sërish me Urdhrin për Veprimtari Patriotike te Klasit I.
Emrin e tij e mban sot në qytetin e Tiranës një rrugë.
Në vitin 2011 iu dha titulli Qytetar Nderi i qytetit të Ersekës.
Kristo Luarasi, gazetari e patrioti që punoi një jetë për Shqipërinë
Atdhetari Kristo Luarasi është dekoruar me medalje të ndryshme dhe është shpallur “Qytetar Nderi i Ersekës”
“Ishte bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe patriotëve të tjerë në emigracion”

Kristo P. Luarasi u lind në vitin 1875 në fshatin Luaras të Kolonjës nga një familje e cila i reziston dhunës së feudalëve të vendit. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore të vendlindjes dhe i vazhdoi në shkollën e Hotovës, ku kishte mësuar dhe Petro Nini Luarasi. Kristoja, veprimtarinë e tij patriotike e filloi në një periudhë të vështirë, kur Sulltan Hamiti II kishte ngritur një regjim terrori politik e grabitjesh sistematike. Ky sundimtar i egër, duke vazhduar politikën ‘përça e sundo’, nxiste përçarjen fetare, krahinore dhe ndërsente një popull kundër një populli tjetër…

Po kush ishte në të vërtetë Kriso Luarasi?
Le t´ua lëmë fjalën atyre që kanë qenë pranë tij, që e kanë njohur nga afër.
Midhat Frashëri shkruan: “Kristua përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendesh një shqiptar, në gjithë qytetet e së gjerës imperatori otomane, në vise të larg të dy Amerikave, gjer në çipa të ngrirë të Siberisë e në shkretina të përvëluara të Afrikës, … me një durim plot fisnikëri, me një ide plot çinteresim, me një ëmbëlsi karakteri të rrallë, … Kështu duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë e mijë lëçitës të libravet dhe gazetavet që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshëm akoma për bashkëpunëtorët e tij”.
Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rresht për nxjerrjen e gazetës kombëtare Drita (1901-1908), do të shkruajë, duke pasur parasysh koloninë shqiptare të Sofjes, se “kontributi i tij (Kristo Luarasit) për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”.
Orientalisti prof. dr. Hasan Kaleshi nga Kosova qysh në vitin 1979 do ta fuste si zë të veçantë në enciklopedinë 4-vëllimëshe në gjuhën gjermane: Leksikoni biografik për historinë e Evropës Juglindore”, emrin e Kristo Luarasit midis 28 personaliteteve më të shquar të historisë shqiptare që zunë vend aty. Kjo ishte një “kambanë” n´ato kohëra kur në Shqipëri për të heshtej dhe vetëm heshtej. Në Mynih të Gjermanisë binin kambanat në botë edhe për veshët që s´dëgjonin.
Ishte pikërisht ky Kristo Luarasi që qysh më 10 mars të vitit 1910, në numrin e parë të gazetës Liri e Shqipërisë, kur jepte programin e saj do të shkruante: “Do të luftojmë me shpirt e trup për zgjerimin e diturisë e të ndjenjës kombëtare te populli ynë i dashur, që të lirohet nga padituria dhe errësira. Qëllimi ynë është mbrojtja e popullit tonë dhe e Shqipërisë nga intrigat e padrejtësitë e ndryshme prej cilësdo anë që vijnë”. Këto fjalë pa u hequr asnjë presje mund t´i përdorim edhe sot që ka kaluar një shekull, aq aktuale janë. Kështu mund të fliste dhe fliste një rilindës vizionar iluminist i kalibrit të Kristo Luarasit. Balta që ndokush ka dashur të hedhë mbi të sot i kthehet fytyrës.
“Liri e Shqipërisë” u botua në Sofje në vitin 1911, gazet e përjavshme politike, shoqërore, kulturore, letrare që botohej nga Kristo Luarasi.
Rilindësi i njohur shqiptar, Kristo Luarasi, botues dhe editorialist botoi në Sofje gazetën e përjavshme “Liria e Shqipërisë” nga viti 1911 deri në vitin 1915. Në shtypshkronjën “Mbrothësia” ai botoi edhe tridhjetë e shtatë monografi nga letërsia shqiptare, ndër to veprat e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Papa Kristo Negovanit, Mid’hat bej Frashërit (Lumo Skëndo) dhe Hilë Mosit. Ai gjithashtu botoi dhe ribotoi me lejen e vetë autorëve veprat e Naim dhe Sami Frashërit, duke e mundësuar shpërndarjen masive të këtyre veprave të rëndësishme. Kristo Luarasi kreu udhëtime në Korfuz, Itali dhe Kostandinopojë për të bashkërenduar punët e lëvizjes kombëtare e për të nxitur botimet në gjuhën shqipe. Në Sofje bashkëpunoi me Shahin Kolonjën në themelimin e organit “Drita”, që përmendëm më lart. Pas revolucionit të xhonturqve Luarasi e transferoi shtypshkronjën në Selanik, ku gjatë një viti nxori rreth gjashtëdhjetë vepra: libra, gazeta, revista dhe mbi 10.000 abetare, që i shpërndau falas në popullsinë shqipfolëse. Në mars 1910, pasi autoritetet turke kishin filluar ta shihnin me dyshim veprimtarinë e tij, e ktheu prapë shtypshkronjën në Sofje. E gjithë veprimtaria mbi 40-vjeçare e tij, si një mision atdhetar dhe politik, është mishëruar në shtypshkronjën “Mbrothtësia”, fillimisht në Sofje, kur ai ishte një djalosh 20-vjeçar, në Selanik e më pas në Tiranë, me shtëpitë botuese “Kristo Luarasi”, “Luarasi” etj., me një gamë të madhe botimesh prej 600 e ca tituj librash politikë, juridikë, artistikë, fetarë, shkollorë, disa të ribotuara me dhjetëra herë me tirazhe të ndryshme, duke plotësuar për herë e më mirë nevojat e një populli të etur për arsim, kulturë e dije, duke sjellë veç Frashërllinjve edhe autorë si De Rada, Sterjo Spasse, Mit‘hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra; autorë të huaj si Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. Profili i Kristos është i gjerë dhe i jashtëzakonshëm, si atdhetar, si dijetar, si shkrimtar, si gazetar, si poet, si poliglot që dinte 7-8 gjuhë, si enciklopedist. Ai bashkoi në një të vetme jo vetëm atdhetarin, po dhe drejtuesin e organizatorin e zot, njeriun e ditur po dhe biznesmenin e suksesshëm, si ndofta askush në Rilindje. Ai ish një botues që diti të aktivizojë patriotët më të shquar nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si Bukureshti, Misiri, Italia, Amerika, dhe nga vetë Shqipëria rreth vetes së tij në gazetat që botoi e drejtoi vetë. U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai, që pat mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin, i cili punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë te cilën e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën, Margarita. Në vitin 1922 Kristoja u transferua familjarisht dhe me te gjithë shtypshkronjën në Tiranë ku vazhdoi punën e tij te mëparshme. Ai vdiq me 7 korrik 1934 në Tirane. Në vitin 1937 Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe. Kristo Luarasi ishte dhe mbetet një rilindës vizionar iluminist i një kalibri të rëndë. Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rresht për nxjerrjen e gazetës kombëtare “Drita” (1901-1908), shkruan se “kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”. Noli i madh nga përtej oqeanit, do ta përcaktonte Kristo Luarasin si “një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar” dhe si një “gud bisnesmen” që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen e gjënë e vet në shërbim të Shqipërisë. Ndërsa Mit’hat Frashëri, miku i tij i ngushtë, një miqësi që u quajt mëkat dhe u pagua shtrenjtë, me haraçin e harresës gjatë regimit komunist, por edhe më pas, do të shprehej, se Kristo Luarasi duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë e mijë lëçitës të librave dhe gazetave që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshim akoma për bashkëpunëtorët e tij”. Megjithëse është nderuar me Urdhrat për Veprimtari Patriotike të klasit I, II, III; titullin “Qytetar Nderi i qytetit të Ersekës” dhe një rrugë në Tiranë mban emrin e tij, përsëri, krahasuar me njerëz të tjerë me kontribute, shteti shqiptar i ngelet borxhli këtij patrioti të shquar për sa i përket vendit që duhet të zërë në panteonin e nderit të kombit.
Sigal