Në dritaren tënde agu dritën përndez.
Kanavacën e paqtë hapi rreth e qark.
Ti në ballkon gjerb kafen e mëngjesit,
dhe sytë s’ia shqit letrës sime aspak.
E di, e di si ndihesh atë çast, i humbur!
Kafja përgjysmë mbetet ftohur, harruar,
tek përpin rreshtat e mallit tim pambarimtë
dhe të miat puthje e brengash trazuar.
E di, një çast do shohësh rreth e rrotull,
fshehtas letrën time do puthësh me mall,
ndoshta do derdhësh një pikëz lot,
ndoshta do t’i thuash vetes: – I marrë!
Kam parë heshtje…
Kam parë heshtje dramatike me britma,
derdhur në kanavacë, në një kryevepër!
E kam parë në një shtëpi të braktisur;
memece dhe maskuar syrin e verbër!
Heshtja ime i ngjet një melodrame,
nga të qeshurat brinjët lidh me shall.
Befas rebelohet, i bie me grusht ajrit,
dhe duket, sikur më çon në djall!
Ndodh, që heshtja rri tek unë mërzitur,
lamtumirën më lë, ngritur dorën shtizë!
Por në muzg, kthehet sërish tek unë,
ka pasaportë, po nuk ka vizë!
Ajo seç ka ca gjëra të çuditshme, etruske.
Sytë e saj të dashur me kod i deshifroj;
me të qeshurat e saj ndërtoj mëngjeset
dhe gjithë botën, ndërtoj!
Unë gëzohem kur ju shoh kaq të heshtur;
në heshtje rrin’ dhe yj’t e ndrijn’ një botë,
kësaj bote të heshtur që lëngon në borë,
i falni dashuri dhe klimë të ngrohtë!
Kam parë heshtje dramatike me britma,
derdhur në kanavacë, në një kryevepër!
E kam parë në një shtëpi të braktisur;
memece dhe maskuar syrin e verbër!






















