Suplementi Pena shqiptare-Poezi nga Kastriot Caka

635
Sigal

Vetmi

 

Dreqi ta marrë, duhet përkrahje,

duhesh të kesh mik që të shkojë fjala,

dhe në fund qesen plot,

qoftë dhe një qese të vogël,

se vetëm kështu mund të mbarosh punë,

ta ruash paranë për ditë të keqe

që të mos vdesësh ndoshta dhe urie.

Pastaj duhet të dish të ngrihesh,

të mbahesh drejt dhe të shkosh më tutje.

 

 

Nënës

 

Pse nuk më sheh aq mirë në sy,

sot nëna ime,

kush vallë të ka fryrë në vesh?

pse ma fsheh mallin dhe dhimbjen,

ç‘të kam bërë, pse hesht?

Unë vij te ti të rri pak,

të ngrohem dhe për ditët që vijnë,

ti heshtjen e ke në prag,

ndaj nuk më vjen mirë që heshtur rrimë.

E unë heshtur rri me shpirt të vrarë,

çka nëna ime sot vallë,

dhe iki i kërrusur, mbuluar në mendime,

kush nënën ma ka zëmëruar?

 

Eja…

 

Ti s’ke se ç’bën tjetër,

duhet të vish një ditë këtu,

ty të pret vendlindja jote,

të pret ai pylli i bukur që këndon.

Ti e di që vendi yt është i bukur,

megjithëse është i rreptë,

i lodhur dhe i pagjumë.

Të presin zogjtë që fluturojnë,

drejtë një dite më të mirë,

ka ardhur koha të bëhesh burrë i pjekur,

të dish të vesh kufirin,

midis ëndrrës dhe së keqes,

eja pra eja…

 

Lypësi

 

Lypësi nuk ja tregon askujt të fshehtat

e zemrës,

në heshtje shtrin dorën,

një forcë e pakuptueshme atë e bluan,

një lëmsh mbytës para gëzimit,

ndërsa vdekja si përbindësh vërtitet,

duke lozur në cipën e ftohtë të shpirtit,

duke bredhur në thellësitë e mjerimit.

 

Mall

 

Unë e di se ti doje të jetoje me nder,

dhe të vdisje në një fshat të vogël e të

këndshëm,

duke bizeduar me njerëzit,

duke dëgjuar rrëfimet e tyre,

duke blerë me një cmim të arsyshëm,

vezë të freskëta,

pemë të pjekura mirë,

për të kaluar një pleqëri të bardhë,

i lodhur nga mendimet.

 

Jo ligësi

 

Mos e mbjellim drurin e së keqes,

Pse do të lulëzoje e azdisur ligësia,

Mirësia është e pafund,

Mos të ketë aspak farë të urrejtjes,

Dashurinë s’ka forcë qe e tund.

 

Çast

 

Era alizë e mbrëmjes,

shkiste mbi tokë, mbi njerëzit,

ndërsa njerëzit tregonin,

haptas të fshehtat njëra tjetrës,

liqeni më tutje si një njeri i pagjumë,

shpërndante tutje ca rreze.