Suplementi Pena shqiptare/ Eva Gjoni -Një letër e humbur dashurie

523
Sigal

Letra ….
Ana ishte ulur dhe kishte marrë një libër për të lexuar, por nuk e kishte mendjen aty, iu kujtua diçka që kishte lexuar për pasionin, çfarë është pasioni, përse trajtohet si një uri që mbasi ushqehesh përfundon, pasion për të dashuruar një njeri, një qenie me botë, ndjenja, trup të gjallë të lëvizshëm shuhet dhe pasioni për një vegël muzikore një violinë vazhdon gjithë jetën, ajo është objekt i ngurtë që ti i jep tingull i jep shpirt, ti i jep gjithë vëmendjen tënde, një lidhje e fortë e ndërthurur aq shumë gati e rrezikshme në varësinë e saj, ti nuk shkëputesh dot, është obsesion do ta mbash me vete të qetëson të frymëzon, trazon shpirtin tënd, ti shkon diku tjetër jashtë gjithësisë njerëzore. E pasioni për njeriun qenka një pjatë e shijshme që kënaq dëshirat nevojat trupore dhe kaq … jo jo jo mua nuk më ndodh kështu ndoshta unë duhet të kem problem me ato vatrat e trurit që merren me urinë, kishte parë një emision për obezitetin, njerëz të tillë kishin probleme me urinë e vazhdueshme që varej nga këto vatra. Truri im i bie ka probleme me pasionin, unë e dua dhe e puth njësoj atë me dëshirë si dikur në puthjet e para, prania e tij më ngroh më jep një qetësi që e ndjej më përshkon, molekulat që dalin nga qenia e tij hynë brenda qenies time më trazojnë më përkëdhelin.

Hapi librin, dhe u çudit që në të gjeti letrën që aq shumë e kishte kërkuar me vite, ishte letra që i kishte shkruar ai. E mori, duart iu dridhen u kujtua sa emocion i kishte shkaktuar ajo letër. E hapi dhe filloj të lexoj …

Të kam thënë ndonjëherë sa të dua, ta kam thënë me fjalë, se di, jo nuk besoj, unë flas pak .Po ta them tani. Të dua! E di çfarë është prekja jote për mua, çfarë ndodh te unë kur duart e tua më lodrojnë mbi trup, ku buzët e tua prekin…kthehem i gjithi në shpirt, jam ndjenjë, dhe shikoj si përpëlitet trupi im, nuk jam masë e prekshme, nuk jam i bukur a i shëmtuar, nuk jam i lodhur, i stresuar, nuk di çfarë është mendimi, jam rrymë, jam dritë, ngrohtësi, frymë, jam fllad …nuk jam i dukshëm por i trazueshëm, depërtues i ëmbël, therës, i qetë i paqtë … nuk ka tik tak. Kur pranë nuk të kam, të thërras e ndiej që ti hyn te unë, rrotullohesh, shtriqesh dhe vesh trupin tim, unë jam ti. Lëviz me ty. Nuk ka rëndësi ku je, çfarë bën, çfarë mendon, unë të kam me vete çdo kohë. Ti je qenësia ime, kështu do jetë gjithmonë, se mendoj … e ndjej këtë!  Kam dëshirë të vështroj pa fund, ti se di si të shikoj vjedhurazi kur bëhesh gati në mëngjes, si vishesh, lyesh. Të vështroj ku lexon një libër, mundohem të kap çfarë përjeton. Kur më del gjumi natën të shikoj kur fle, afrohem dhe marr erën tënde. Të vështroj kur lyen flokët, kur lyen thonjtë, si hekuros këmishët e mija ….të vështroj dhe gjithmonë jam kurioz si lëviz, si flet, si reagon, gjithmonë jam i etur për të njohur ty! Puthje gjithkund …Ana e mori letrën dhe e mbështeti në gjoks, por ndjeu praninë e tij, ktheu kokën,  Shiko çfarë gjeta, letrën tënde, ti e di sa e kam kërkuar se di si ishte këtu në këtë libër?
Letrën e kisha unë për vite të tëra, e mbajta për ta dhënë sot, nuk kishte nevojë të shkruaja tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar. Çdo herë do shkruaja të njëjtat fjalë.  Ajo u ngrit dhe shkoj pranë tij, mbylli sytë dhe i tha – më prek… ndjeu duart e tij që dridheshin lehtë mbi fytyrën e saj… ikën të dy në një botë që ishte vetëm e tyre, në një hapësirë kur shpirtrat ishin të lirë… çdo gjë është larg, ata janë si një yll , kanë hapësirë…