Suplementi Pena shqiptare/Tregim nga Sami Milloshi

539
Sigal

Më jep një përqafim

Bora që ra nuk qe e papritur. E kishin paralajmëruar me kohë meteorologët në të gjitha stacionet televizive të qytetit. Befasia qe se kësaj here ra shumë sa që ishte e pamundur të pastroheshin shpejt parkingjet. Edhe ai përballë shtëpisë së zotit Jack dhe zonjës Maria. Zonja Maria ishte një grua e imët, rreth të gjashtëdhjetave. E mbajtur mirë dhe me një trup prej atleteje. Po, edhe Jack, ndonëse disa vjet më i madh se e shoqja edhe ai, lavdi zotit, mbahej mirë. Shkonte në punë ende dhe ende gudulisej në shputën e këmbës, kur doktori bënte atë mbikëqyrjen e përgjithshme të shëndetit në vizitën e përvitshme mjekësore… Këtë mëngjes, Maria iu lut Jackut , që të pastronte jo vetëm borën nga makina e saj dhe e tij, por edhe në front të makinës së zonjës Joyce, fqinjës disi të pamundur në katin e parë.

– Të lutem pastroje borën edhe para makinës së Joyces- i tha ajo.

– Patjetër shpirt, nuk ta prish unë ty- iu gjegj Jacku.

Dhe kështu Jackut iu desh nja një orë e gjysmë të pastronte borën e tre makinave.

Kur mbaroi pastrimin e makinës së komshies, e shoqja, Maria, kishte fluturuar në punë të saj.

Por ai e gjeti mënyrën që ta njoftonte komshien Joyce për të mirën që i bëri. Hyri në makinën e tij, nxori telefonin celular dhe telefonoi asaj.

– Mirëmëngjesi Joyce, nuk desha të të shqetësoj, veç desha të të them se pastrova borën para makinës tënde dhe tani ti je e lirë të shkosh ku të duash.- i tha Jacku komshies në katin e parë.

– Të faleminderit shumë Jack- i tha ajo- e vlerësoj shumë këtë që bëre sot

Jacku priste që ajo së paku edhe formalisht ta ftonte për një kafe në shtëpi, por Joyce u mjaftua me aq. Ajo ishte një grua pothuajse e vetmuar, e divorcuar shumë kohë më parë , dhe jo fort shëndetmirë… Si pastroi edhe makinën e tij, Jacku u nis për në punë, në atë punën me kohë të pjesshme në universitetin e qytetit. Dy orët e para merrej me rutinën e përditshme, pastaj vinte ora e ngrënies së mëngjesit dhe e kafesë. Një gjysmë ore gjithë gjithë në kafene ngjitur me bibliotekën. Mëngjesi servirej falas dhe përfshinte një kafe dhe një ose dy kupa me kek falas. Por Jacku hera herës merrte edhe një baget me krem djathi me pagesë që ia bënte gati zonja Sunfloëer, një mesogrua e rrumbullaktë dhe përherë buzëqeshur.

Këtë mëngjes, zonja Sunflower iu afrua afër Jackut,pakëz më tepër se herët e tjera, dhe, pothuajse i pëshpëriti në vesh:

– Kam nevojë për një përqafim!

– Edhe unë gjithashtu – ia ktheu Jacku dhe e përqafoi.

Qe një përqafim i ëmbël që e bëri Jackun të dallojë jo vetëm erën e parfumit të zonjës Sunflower, por të ndjejë edhe butësinë e gjoksit të saj të ngrohtë.

 

E gjithë pjesa tjetër e ditës ishte rutinore, me përjashtim të një intervali kur Christina i tregoi një video ku ajo vetë ishte duke luajtur në pianon e shtëpisë një pjesë nga Bahu… Kur mbërriti në shtëpi , pas punës, Jacku e gjeti të shtruar drekën mbi tryezë. Maria kishte gatuar peshk salmon dhe kishte bërë edhe një sallatë me ullinj. Si gjithnjë këmbyen gjithë të rejat e ditës. Maria nuk kishte ndonjë gjë të re për të shënuar , përveçse një ofertë të re pune dyorëshe në ditë që i kishte ofruar zonja Nansy që pret të bëhet nënë për herë të tretë me një bebe tjetër.

– Dhe ti e pranove ofertën?- e pyeti Jacku.

-Jo – ia lashë në mëdyshje- i thashë se do të këshillohesha me ty Jack.

– Mirë ke bërë – ia ktheu Jacku- Nuk bën të stërmundohesh , se nuk ia vlen. Aq më tepër , që tani për tani , ti ke nevojë të të shërohet kyçi i dorës që theve kur rrëshqite në akull në park duke vrapuar…

– Po nga ty çfarë të reje kemi?- pyeti Maria

– Jo kushedi se çfarë. Zonja Sunflower, ajo që na servir mëngjesin , m’ u lut për një përqafim dhe unë e përqafova. Kaq asgjë më shumë… Maria vuri pakës buzën në gaz si për një lajm që nuk do të kishte dashur ta dëgjonte,pastaj hodhi sytë tek dora e saj e majtë e fashuar dhe e vënë në allçi që prej dy javëve nga doktori ortoped. Vetëtimthi i shkoi nëpër mend se makinën e saj e ngiste pothuaj vetëm me dorën e djathtë. Ajo kishte fiks dy javë që nuk e kishte përqafuar as Jackun. Fashon dhe allçinë mund ta hiqte pas dy javësh të tjera, gjithnjë, nëse do të vendoste doktori…