Ç’më thoshje në endërr dhe unë buzëqeshja?
Tek më hidhje grushta uji aty në breg, në lumë!
Nuk dija si t’i përgjigjesha nënës kur më pyeste:
Më thuaj: Ti, diçka të bukur ke parë në gjumë.
Mbyllja sytë dhe endrrën ftoja të vinte prapë;
të kapja dorën që zgjaste nimfa e mrekulluar.
Të turresha në ujërat kristal të Bistricës sime.
Të hipja në varkën e buzëqeshjes së gurgulluar.
Nëna më sheh duke buzëqeshur teksa unë hesht!
Thellëzat zbresin e pinë ujë në lumë, tani që agon.
Endrra më thotë të zbres edhe unë, pa i thënë nënës;
Mos takoj buzëqeshjen aty në breg e sime nënë!
PËR TY…
U mpiks malli në një pikë loti.
Në cep të syrit,
si mjalti i korrikut,
në hojet e bletëve.
Lëngje që nuk treten lehtë
e shijohen deri në ekstazë.
Njeri i dhimbjes,
tjetri i embëlsisë.
Zhegun, gjinkalla e tret me këngë.
Malli i varur në degët e shpirtit,
dihat me zor,
kullon ngadalë…
Malli im , një lëng i mpiksur;
me ca pika durimi po e tres.
Herë me shije dhimbje,
herë me shije embëlsie.
U POQEN LULET E SHERBELËS
U poqën lulet e sherbelës në malin e fshatit tim
dhe fustanin e blunjtë e nderruan…
Vera u dha një të florinjtë.
Ftuan diellin si magjistar me rrezet krahëgjata.
Bukurinë ta kokrrizojnë në gji….
si farë ringjallje.
Nikoqirja e frutave, vjeshta, i vuri me kujdes
në sendukun e saj të verdhë…
Më aromë i përgjumi.
Dhe dimri u zbut, ca grushte bore u hodhi sipër.
Nga bardhësia të buitin në blerim…
Në pranverën që vjen,
të gudulisin hundën me aromë malit tim përsëri.
Ta ngjyejnë me blu shpirtin…
Fshatin tim