E di që e kam kohën të iki,
lindur në Luftën e Dytë
dhe duke çfryrë aksione e beteja,
them se kam qenë i lumtur
në Luftën e Ftohtë!
Edhe pse mendoj se do të isha më i lumtur
të kisha lindur në Amerikë…
më qeshet me veten time.
Mos ma vini re:
Tanimë jam një i çmendur që qesh,
teksa dëgjoj bombat, që bien mbi banesat ukrainase
dhe Serhei Zhadan kërkon krahë engjëjsh,
për pensionistët e gërgarë nëpër gërmadha.
Lavdi o Zot!, – them,
që nuk më linde në Ukrainë…
Atje
tanket dhe raketat
po gdhendin fytyrën e re të fushës: kryqe dhe varre.
Atje po fryjnë erëra, po fryjnë erërat e urrejtjes.
Dhe pemët shqyhen të papërkulura.
E zemrat e thyera rendin nëpër pikëllime,
tej klithmave të heshtura.
“Kur isha e lumtur në një kohë
kur isha e lumtur…”
këndon Berioza nëpër gjëmime.
Zogj prej çeliku zgjon tërbimi në të ftohtin e muzgut
përbaltur bari, ka humbur ngjyrën dhe vesën.
Buzëqeshja është bërë një gjuhë e harruar.
Shkëlqimi i verbër i flakëve dhe bombave
bën diellin të zverdhet
dhe hënën të humbasë në shtëllunga tymi.
Është djegur çasti!
Është djegur e nesërmja ukrainase:
dhe ngjyra e bardhë e Paqes
është djegur…
teksa bombat zbresin mbi supet e të dashuruarve
dhe të shpëtosh dikë është gati e pamundur.
Udhëheqësit e botës pastrojnë kalldrëmet e mëngjezit
për zgjedhjet e ditës…
Ca gjeste të ngrohta,
kërkojnë barishtet e lumtura nëpër tregjet e mbyllur
dhe hapësira ku mund të fluturojnë krahët e plagosur
të një kënge
a të vajeve…
ÇFARË t’i them agimit që po lind?
ÇFARË t’i them, mesditës që po qan?
ÇFARË t’i them mbrëmjes që po vjen e verbër?
ÇFARË t’i them mesnatës që doli në rrugë
me arkivole në shpinë ?
ÇFARË?!