Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Kujtimet e vendlindjes

623
Sigal

Sa herë dal te bregu ku ti shfaqesh,

Malli për ty më bëhet det,

Loti më rrjedh nëpër faqe,

Pse u vonove kaq shumë?- më pyet.

 

Ç’të të them, s’më lë malli,

S’më lë burimi përkarshi,

Me ujë të ftohtë  si borë e malit,

Ku piva ujë në vogëli.

 

S’më lënë shkrepat ku u rrëzova,

Përpjekjet për t’u ngritur prap’,

S’më lenë kujtimet që dot si harrova,

Gjithë jetën do më ndjekin pas.

S’më lë rrëkeja që shpatit zbriste,

Ku rashë, u vrava e prapë eca,

Së më lë sofati ku ulur rrinte,

Një vajzë e vogël me bishtaleca.

 

S’më lë Memeja, ajo plakë e mirë,

Që ecte kërrusur e ngadal’,

Të gjithëve u jepte karamele

Unë merrja dy, t’i jepja një asaj.

 

Por sot shtëpitë heshtur rrinë,

Oborret thurur me avlli.

Më thoni, ku ta gjej femininë,

Në ç’vend e fshehur ajo ri?

 

Shumë gjëra mungojnë më si gjeta,

As Memeja e mirë nuk është më,

As vajz’ e vogël me bishtaleca,

Që rrinte në sofat e s’bënte zë.

 

Por nesër nuk do të jem as unë,

Ndaj kam mall, e malli shpesh më zë,

Aty do të jenë lëndinë mal e gurë,

Por vetëm unë s’do t’i shoh më.

 

Ndaj sa herë dal te bregu ku ti shfaqesh,

Malli për ty më bëhet det,

Loti më rrjedh nëpër faqe,

Pse u vonove kaq shumë?- më pyet.