Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Po kush ishte ky Findlei…

Ishte natë. Të kërrenin sytë,

Për bekshi unë kisha yjtë.

NOA

Këmbët nuk më preknin tokën,

S’dija ku e kisha kokën.

– Ku po shkon? – më thoshte zemra,

Nata po më vidhte emra.

– Kam një punë, dreqo punë,

Një djallushkë më lë pa gjumë.

Kur arrita tej dritares,

Ndieva zëthin e manares.

Copa m’u bë kraharori,

Vetëtiu gjithë oborri.

– Ku e ke burrë mavrinë?

– Lere, po zien rakinë.

– Po ti ç’bën ngroh veç krevatin

Kur ai s’ta ka takatin?

– Ç’pret? Kaptoje penxherënë,

Burrëziu s’ma ka ngenë.

Hidhu, moj se m’u dogj xhani,

T’i zbërthen kockat jarani.

– Më je bërë si Findlej…

– Si Findlej e më përtej.

Në na paftë, do të rrëmbej

Nën gunë s’ka ku të të gjejë.

– Kamte frikë se do vish prapë

Dhe s’do mund të jap xhevap.

– Po s’erdha u bëfsha hor,

Mos të futsha dot në dorë!

– Kështu thua, ke veç fjalë,

Me mëngjes do shkosh në mal.

– Do vij prapë, mos qofsha gjallë,

Nuk të lë, mike, në hall!

– Pritmë pra dhe bëmë ballë,

O Findlej, jaran i rrallë!

Bërnsi do mbetet pa gojë,

Burrëziu na bën rojë…

Si s’u dogj natën mullari,

Shtrojë e shtrat na u bë bari.

Shtangu dhe Findlej qyqari

Bërnsin e ngritëm nga varri…