Fuqia e një të urituri, sidomos kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve, është shkatërruese

 Edhe një herë them e nuk e tërheq asnjë presje: polemikat intestine (që ngjajnë si ngatërrim zorrësh) midis faktorëve politikë në vendin tonë sot për sot nuk janë të mirëpritura, përveçse prej mendjeve të sëmura, militante e delirante.

Nevojiten burra dhe gra shteti që merren vesh e jo heronj të vetëshpallur që mendojnë se do të shpëtojnë kombin me vetëm vizionin e tyre. Më shumë se kurrë sot nevojitet kohezion e sidomos politika që kanë si synim shtresat e varfra të vendit, të cilat këto ditë po varfërohen akoma edhe më shumë.

Sigal

Ka shumë frikë e kjo dallohet të rendja drejt magazinave të miellit apo drejt dyerve të institucioneve të bamirësisë. Sot, të pasurit duhet të lëshojnë pe e të mos mendojnë se duhet të fitojnë si në kohë paqeje. Po na kërkohet kjo sakrificë të gjithëve e duhet ta bëjmë.

Është për të mirën e shoqërisë, sepse ju garantoj që fuqia e një të urituri, sidomos kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve, ështëshkatërruese. Nëse nuk duam ta provojmë këtë shkatërrim të mos e provokojmë atë fuqi. Kemi nevojë për paqe në këto momente e jo për gërgasës apo bullizues, për spekulatorë e babëzi.

Ka një kohë për të gjitha e kjo duhet të jetë koha e solidaritetit e kujdesit për më të dobëtit, parime mbi të cilat themelohet një shoqëri njerëzore vërtetë e tillë. Duhet të jetë koha e dialogut dhe marrëveshjes e kjo duhet të ndodhë sot, në mënyrë që nesër të mos jetë vonë.