Rustem Peçi, model si njeri dhe ushtarak – Sot në Hotel “Plaza”, ora 11:00, promovohet libri “Komandant Rustemi”

77
Sigal

Drejtues (Ret) Skënder DODA

Ish-Drejtor i Akademisë së Ministrisë së Brendshme

Të shkruash realisht për liderin ushtarak, pasi vetë ke përshkruar të gjithë trajektoren e mundshme të karrierës me sfidat nga baza deri në një farë lartësie, nuk është nismë e lehtë. Kur lexon, dëgjon e njihesh me histori nga më të ndryshmet dhe për shkak të kohës së largët, distancës me liderin etj, perceptimi për të merr trajtë gati folklorike në sensin pozitiv ose negativ. Ndërsa kur i provon mbi vete vështirësitë me të cilat përballesh realisht në përditshmërinë e tyre duke filluar nga sfidat e brendshme, është momenti që reflekton seriozisht. E them me bindje e personalisht kam përjetuar një periudhë të gjatë e të ngjashme me komandant RustemPeçin, modeli i sjelljes së tij ishte mentoriim në raport me studentët gjatë kohës që drejtoja Akademinë e Rendit Publik. Profili i komandantit të shkollës ndryshon nga të qenurit komandant i trupës së ushtarëve të cilët pavarësisht nga niveli arsimor, përfundojnë shërbimin, kthehen në familjet e tyre rrëfejnë përvojën, ngjarje të mëdha apo episode, ruajnë respektin, adhurimin, ose pakënaqësitë dhe mllefet. Ne ishim studentë, shumica ish-skënderbegas dhe ishim pajisur me “shqisa” intuitive më të ndjeshme. Përtej orëve të leksioneve, stërvitjeve në terren ne ishim në kërkim, “kopjonim” shpirtin e liderit, ëndërronim, projektonim karrierën tonë. Kështu funksionojnë të gjitha shkollat ushtarake e policore si dhe ekipet e mëdha. Modeli trashëgohet, sigurohet vazhdimësia e frymës së liderit tek ushtarët, vartësit apo kolegët. Për këtë arsye e quaj veten me fat që në vitet 1978-1981 kisha Komandant të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” RustemPeçin i cili bashkë me trupën komanduese e pedagogjike ishin ekipi që funksiononte si një trupë e vetme.” Sot gjykoj se komandant RustemPeçi për shkak të karakterit të tij, prejardhjes familjare dhe formimit më shumë ishte lider i lindur se sa i kultivuar, një përzierjendërmjet liderit “karizmatik” dhe “autoritar”. Detyra ishte detyrë dhe nuk diskutohej por nuk i lejonte vetes e as vartësve të tij të harxhonin kohën duke u përqendruar në vogëlsira pa peshë që më shumë prishnin kohezionin e grupit. Ai kishte një ndikim absolut në fatin e shumë studentëve me vlera por që në një moment ishin treguar “të padisiplinuar” e që me ndonjë komandant tjetër pa asnjë mëdyshje mund të kishin ndërprerë shkollën. Studentët i trajtonte si fëmijët e tij ishte “despot” në dukje por kur lexohej urdhri i përjashtimit për ndonjë që e kishte tejmbushur kupën me mungesa ose me sjellje të padenja, nuk qëndronte në tribunë duke ia lënë komunikimin shefit të shtabit ose të kuadrit. Sikur e kam para syve komandant Rustemin flokëbardhë që mundohej të qëndronte stoik në mes të dëborës në malin e Meçekut, me kokën e ngritur paksa lart që të mos i dukeshin lotët që i rridhnin rrëke sepse nuk mund të çonte dorën për ti fshirë në sy të studentëve që nxirrnin nga dëbora trupat e pedagogëve e shokëve të plagosur apo të vdekur. Ruaj shumë kujtime me komandant Rustemin për arsye sepse vazhdova të jem kujdestar kompanie si në shkollën “Skënderbej” edhe në Shkollë të Bashkuar por kësaj radhe në një kompani të përzgjedhur nga vetë komandant Rustemi e që kishte në përbërje togën e shtabit dhe togën e zbulimit. Duke qenë i gjatë, me dy vëllezër oficerë që njiheshin me komandant Rustemin, pjesëmarrës në grupet artistike të shkollës, sportist i kategorisë së parë, kisha mundësinë të isha një kujdestar kompanie jo i privilegjuar, por që ndihesha më i lirshëm në komunikim. Thjesht disa episode për ilustrim; Kur marr pjesë në aktivitete që zhvillohen në ambientet e Ministrinë e Mbrojtjes ose në ish Shkollën e Bashkuar, medoemos do të përshkruaj në këmbë oborrin ku rreshtoheshim dikur. Më ngjan sikur do të fillojmë parakalimin e ditës së hënë. Komandant Rustemi më thërriste të dilja nga rreshti e të shkoja pranë tij në krahun e majtë. E dija se nuk rrinte pa më thumbuar me pyetje që zakonisht lidheshin me mungesat në rreshtim. Sikur na numëronte për së largu. Vrapoja duke vrarë mendjen për pyetjen e dytë që në sekondë të sajoja ndonjë përgjigje “acaruese”. Ndërsa ai nderonte kompanitë në parakalim, pa kthyer kokën nga unë më pyeste si në surdinë: -Sikur ke mungesa në kompani, ku i ke studentët shoku kujdestar? I përgjigjesha;

-Tre janë këtu te banda muzikore, 2 në postë fjetore, 2 në prerje buke, 4 shtrues mense, 2 sanitarë në infermieri, 2 në palestër 3-4 vijnë nga drejt e në mësim, e njëri sapo shkoi në postbllok.

-Sa mungesa bëhen? -Rreth 20 vetë. -Domethënë ti mercenar (ishte tifoz i “Partizanit” ndërsa unë sportist i “Dinamos”) që tani e kë një togë jashtë gatishmërie..

– Do i kërkoj llogari komandantit të kompanisë… Pyetja e dytë sipas rastit; – Kush parakalon më mirë se ju? Duke e ditur dobësinë e tij për artiljerët tokësorë i thosha “kundërajrori”. Më shtynte me dorën e majtë; Shporru.

Një ditë na tërhoqi vëmendjen se kompanitë kanë mësuar të njëjtën këngë rreshtore dhe duhet të parakalojnë me një këngë të re. Dikush nga kompania propozoi këngën “Revolucioni marshon” Filluam ashtu si na erdhi për mbarë por për dreq para tribunës ishte refreni,

 “S’ka forcë në botë /t’na ndalë ne grave sot/ Revolucioni marshon”.

Komandant Rustemi mbërtheu stativin me gjithë mikrofon dhe sokëlliti… -Togës vajzave ua vodhët këtë këngë? Në shesh plasi e qeshura. Gjatë një marshimi qëndruam të pushojmë në mal diku pranë Galigatit. Përtova të rregulloj vendin dhe theva ca shqopë të thatë e u shtriva pranë dy shokëve të mi të cilët sapo kishin ndezur një zjarr. Befas një dritë elektriku më ra në fytyrë e pa e vrarë mendjen se kush ishte fola pak ashpër; -Fike atë dritë se jam i lodhur. – Kujdestar ne stërvitemi të kalitemi e jo të sëmuremi. Rregullo vendin siç duhet e jo si kaçak. Komandanti u largua i ndjekur nga disa oficerë e unë rregullova disi vendin për të pushuar. Gjatë rinisë sime e deri vonë kam mbajtur ditar pjesë të cilit i kam botuar në vitin 2003 dhe kur i dhashë librin u përlot. Ishte nder të takoheshim e të bisedonim me të dhe pse vitet kishin bërë të tyren dhe kohët kishin ndryshuar. Ai mbetej i njëjti karakter.Një libër i dedikuar për komandant RustemPeçin do të kapërcejë vlerën e kujtimeve. Ai do të shërbejë si një model me vizione frymëzuese për drejtuesit në ushtri apo dhe në polici për të dashur Atdheun, njerëzit me të cilët punon, të zbatojnë ligjin dhe rregulloret, të frymëzojnë ushtarët, policët, ndjekësit dhe ekipet për të arritur qëllimet madhore. Dhe për mua është privilegj që ti bashkohem grupit të këtyre kujtimeve me vlerë.

Si më shpëtoi Komandant Rustemi, nga ndëshkimi i zëvendësministrit, se dashuroja vajzën e tij…

Ylber HYSI

Një detaj do shkruaj për komandantin legjendar, RustemPeçin, për karakterin dhe ndihmë që më dha, duke i shpëtuar ndëshkimit të zëvendësministrit të Mbrojtjes, që të më linin në provime, se ai nuk ishte dakord me dashurinë që kisha me vajzën e tij…

Në orën e studimit komandanti i kompanisë, Vladimir Gjordeni, më thotë: Student Hysi, paraqitu tek komandanti i shkollës, RustemPeçi, të pret në zyrë! U shqetësova dhe mora rrugën drejt komandës. Komandant Rustemi po me priste para komandës, në lulishte. Iu paraqita: Shoku komandant, student Hysi, sipas urdhrit tuaj paraqitet! Më hodhi dorën në qafë dhe me tha: “Student, kam një ankesë për ju nga zëvendësministri i Mbrojtjes (L.J.)!” Pasi dëgjova ankesën, iu drejtova: Shoku komandant, do më jepni leje te shkoj në klasë, të marr korrespondencën që kam me  vajzën e zëvendësministrit, do u vërtetoj të kundërtën e ankesës. Vajta në klasë, por  shokët pikasën shqetësimin tim. Shoku i bankës nje djalë nga Librazhdi, Mehmet Bardhoshi, më thotë i shqetësuar se pse më kërkoi komandant Rustemi…-Meto- i them- mi ruaj këto dokumente, se më hëngri dreqi!  Mora dy tri letra dhe ika. Ja dhashë komandantit letrat. I lexoi, u ngrit nga karrigia dhe hapi derën e zyrës. -Hajde me mua tha. Dolëm në korridor dhe thirri komisarin e shkollës, NovruzSakon, duke shtyurë derën e zyrës së tij dhe u fut brenda, bashkë me mua. Mua me dridhej zemra. -Komisar- i tha, studenti qenka në rruge te mbarë! Sinqeriteti me të cilin vajza me shkruante mua në letra, e kishte bindur komandantin, se unë nuk isha fajtor.

Komisar Nevruzi pasi lexoi letrën mu drejtua:  -Student, të jem si ti, i them atij mikut, ‘O lum miku, ti qofsh kush qofsh, për hesapin tim ti nuk je askush’!….

-Jo, jo, jo ashtu komisar-ndërhyri Rustemi. Unë heshtja. Komandant Rustemi mu drejtua mua: “Ti shih mësimet. Për çdo problem me njofto! Më erdhën provokime të ndryshme, më kërcënuan se do të më dërgonin në Sazan ‘që të shihja veten’ etj. E mora me sportivitet duke thënë e menduar që të më çonin ku të donin. Megjithëse komandant Rustemi më tha që ta informoja për çfarë të më ndodhte në vijimësi, unë nuk e shqetësova më. …Studimet po shkonin mire, kaluan provimet dhe po afrohej fundi i shkollës. Më mbetej vetëm mbrojtja e diplomës. Në përgatitjen rreshtore, në shesh ishte një tavolinë ku ishte komisioni. Kryetar i komisionit ishte shefi i katedrës, TomsonLamaj. Kur paraqitem për të marr tezën, kryetari i komisionit, me ironi, më thotë: ‘I famshmi Ylber!” -Nuk jam i famshmi Ylber…- iu përgjigja. Ia dhashë tezën, ndërkohë që ai me ironi më pyeti. Pothuaj ashtu iu përgjigja, por saktë. Pati tendencë të hapur të më ngatërronte, me qëllim që të më vinte notë negative, por unë isha i përgatitur në këtë fushë, se kisha qenë katër vite skënderbegas. Mbaroi provimi. Na mblodhën në këmbë para tavolinës dhe lexuan notat. -Studenti Ylber Hysi, ngelesh për vjeshtë,- më komunikuan.

Më ra si ‘bombë’, e nga shpirti, më doli një e sharë. Po mendoja se çfarë t’u themë prindërve, ndonëse isha përballë një hakmarrje absurde…Ika nga rreshti në mënyrë demonstrative, në atë gjendje që isha. Kisha mbetur në rreshtore, unë skënderbegasi, djalë oficeri, dhe, në një lëndë që çdo vit e kisha marr me notë 9 ose 10 këtë lëndë. Pra, do të isha ‘vjeshtuk’ dhe unë, me të tjerët që kishin ngelur në lëndë të tjera. Erdhi vjeshta… Ishte ngritur dhe komisioni i rreshtores, ku ngelës i vetëm në këtë lëndë, në gjithë shkollën, isha unë!? Komandante Rustemit, me vinte turp t’i dilja para… Të nesërmen kisha provimin e Filozofisë, por pa dhënë lëndën e rreshtores, nuk më pranonin. I revoltuar, mora rrugën nga komanda. Me vete thosha se ‘u dogja’, më humbën 7-8 vite studime kot. Pashë para komandës, Shefin e Shtabit të Shkollës,  Hysen Shehun.

Ju drejtova i revoltuar: shoku shef unë kam mbetur në Rreshtore, nuk u ngrit komisioni që ta likujdoj dhe ka filluar provimi tjetër e unë nuk mund të futem. Ai, me një qetësi, teksa bënte sikur nuk dëgjonte, po më vështronte.  E ngrita dhe një herë zërin fort dhe përsërita atë që sapo kisha thënë. Fatmirësisht, u shfaqe RustemPeçi, e thirri, “O Hysen; çfarë ka ai maloku!”. Më bëri shenjë të afrohem. Ia shpjegova. U revoltua, duke iu drejtuar Hysenit:-“O Isen (duke mos shqiptuar shkronjën ‘i’ ), çfarë bëhet kështu, ngel studenti i vitit të fundit në rreshtore!? O Isen, a jeni në terezi. Nuk keni ngritur komision, ky ka provim tjetër sot!”

-Po ti pse nuk erdhe të më thuash mua, a të pata porositur- mu drejtua komandant Rustemi.

-Më erdhi rëndë,- i thash. Duke më thënë ‘hajde pas meje, më çoi tek roja para komandës së shkollës. -Roje, dorëzoja armën studentit- e urdhëroi rojën. E mora armën, bëra kontrollin e sigurimit teknik dhe me ‘të pranë këmbës së djathtë, qëndrova para komandantit. -Armiku para, për luftim, barkas- komandoi komandant Rustemi. Veprova me shpejtësi, sipas rregullores. -Armiku para, për luftim”- qe komanda e radhës. -Në sulm përpara- tjetra..-Tërhiqu-ishte komanda tjetër e komandant Rustemit. Në atë territor ishin mbledhur shumë njerëz, studentë, pedagogë e oficerë, duke shikuar të habitur.I dorëzova armën rojës. Komandant Rustemi, ngriti kokën nga dritarja e sekretarisë në katin e dytë të godinës pranë dhe i tha përgjegjësit të sekretarisë: “Më hidh një librezë notash!”.Një burrë i vjetër, erdhi me shpejtësi ere dhe i tha: :Urdhëroni librezën shoku Komandant!”. Nuk ia mori. -Të thash hidhe nga lart- i foli ashpër shefit të sekretarisë. Kështu bëri ai. U ngjit lart dhe ia hodhi nga dritarja. Kureshtarë të shumtë tashmë nuk ishin vetëm në shesh, por dhe në dhjetëra dritare të godinave.

-Prit Isen, mos ikë. Plotësoja librezën,- i tha shefit. Ai nxori stilolapsin dhe e plotësoi. -Je i kënaqur me notën 8,- më tha mua. Nuk fola, isha i skuqur nga emocionet dhe kënaqësia që po ndieja. E nderova komandantin dhe ika me vrap, se më priste provimi tjetër…Pas pak, u futa në sallën afër, për të dhënë provimin e radhës, atë të Filozofisë, me pedagogun e mrekullueshëm Ilir Shalari. Ishte provimi i Filozofisë. Në provim asistonte dhe një përfaqësuese e Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo i tha pedagogut” “Si nuk pati një student të përgjigjet direkt sa merr tezën, pa u ulur të përgatitet?”. Unë sapo e kisha marr tezën ishte teza nr. 1, fare e lehtë dhe thashë menjëherë: “Po përgjigjem unë!”. Ndërkohë, bie dera dhe në sallë futet komandant Rustemi. U çuan të gjithë në këmbë. I tha pedagogut: “Si është ky studenti (duke drejtuar gishtin nga unë) në këtë lëndë? -Tek unë është i mirë, nuk di çfarë ka me rreshtoren-u përgjigj pedagog Shalari. Ky ishte RustemPeçi, më ndoqi pas, për të parë nëse kishte ndonjë porosi që dikush në më ndëshkonte, të më linte në provim. Jeta bëri të sajën… Flirti rinor, mori kahje të ndryshme për të dy protagonistet… Por falë Rustemit, unë i shpëtova atë kohë një ndëshkimi jo pa paspja…  Mbeta mik me Komandant Rustemin gjatë gjithë karrierës dhe kur dola në lirim. E pinim kafenë bashke shpesh. I shërbeva dhe në familje, derisa na la, iku nga kjo jetë…

 

Si e kam njohur Komandant RustemPeçin!

Albert Z. ZHOLI

Shpesh herë personalitetet ushtarake, për qëndrimet dhe sjelljet e virtytshme, patriotike,  morale e shoqërore, marrin vlera më peshë dhe çmohen mbi kapacitetet intelektuale e profesionale të kohës për vetë ndërgjegjësimin e spikatur patriotik. Një ndër këta ushtarakë madhor që e meriton plotësisht këtë emërtim ka qenë dhe RustemPeçi. Për mendimin tim RustemPeçi si strateg ushtarak është shquar si një ndër nismëtarët e mbrojtjes dhe propagandimit të Luftës Nacionalçlirimtare, si një ushtarak me  vizion, largpamës, guximtar i pashoq, mendimtar politik por dhe me mprehtësi diplomatike, frymëzues i optimizmit dhe dashurisë për atdheun. Për vetë jetën e tij ushtarake dhe në drejtimin e OVP- LANÇ, Rustemi figuron si një nga ushtarakët madhorë që la gjurmë të pashlyeshme në të mirë të atdheut e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.

Takimi i parë me RustemPeçin

Është gjithmonë e më e vështirë të jesh i disiplinuar në një shoqëri që kërkon kënaqësi të menjëhershme. Ne shqetësohemi që të ndihemi mirë tërë kohën dhe kërkojmë vetëm qetësi, gëzim, sukses. Por jeta është krejt ndryshe…Disa herë qëllimet tona afatgjata nuk janë aq të rëndësishme se ato të çastit. Ne mendojmë të rehatohemi dhe presim një event special që t’i japim jetës sonë kuptim, lumturi dhe sukses. Ishte vitit 1980! Kisha mbaruar gjimnazin me nota shumë të mira dhe isha në pritje të shkollës së lartë. Kisha kërkuar për gjuhë-letërsi, aktrim dhe inxhinieri mekanike. Ajo që kisha më shumë frikë ishte shkolla ushtarake pasi nuk isha shumë i disiplinuar. Nuk e njihja disiplinën. Kisha disa shokë skënderbegas dhe habitesha me ato që më tregonin. Isha natyrë e qeshur, pak liberale dhe më pëlqenin flokët e gjata.  Disiplina është ndryshimi midis zgjedhjes për të pasur kontroll mbi të ardhmen tënde dhe të lejosh mjedisin përreth teje të përcaktojë fatin tënd. Unë nuk e doja që disiplina e tepruar të përcaktonte të ardhmen time…. Pra isha në pritje….Nuk e di ka qenë mes gushti kur më thanë se më ka dalë e drejta e studimit në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Enver Hoxha. Shtanga! Nuk mund ta besoja. U ula në shkallët e pallatit dhe po mendoja. Të shkoja apo të mos shkoja? Për orë të tëra tek shkallët luftoja me veten. Kur ja pra meje shfaqet babai i qeshur. Ai u hodh mbi mua dhe më përqafonte. Gëzonte pa masë. Unë pa dashur mbi supin e tij po lotoja. Ai më kapi nga krahët dhe më pa në sy. Janë lot gëzimi besoj,-më tha- dhe më tërhoqi drejt shtëpisë. Në shtëpi kur u ulëm i thashë se nuk kam dëshirë të shkoj në atë shkollë. Babai shtangu. U nxeh. Çfarë po thua? Kjo shkollë është ëndrra ime! Është ëndrra jote baba, por jo e imja i thashë. Ai u nxeh. Desh më qëlloi, por dora i mbeti e ngritur lart. Nëse nuk shkon në atë shkollë do të çoj ushtar më tha. Unë kam luftuar shumë të shkosh në atë shkollë. U tremba më keq. Bobooo ushtar! Mirë, mirë i thashë do shkoj! As e mendoja të qenit ushtar dhe pse lexoja rregullisht revistën e preferuar “Në shërbim të Popullit”.  Ai u qetësua. Dhe ja erdhi dita të nisesha. Në shtëpi bënë një darkë dhe unë me rroba civile të qepura për merak u nisa. Ishte fund gushti dhe kisha veshur një palë pantallona të bardha tub në fund (ishte në modë qepja tub, njëlloj nga fillimi këmbëve deri poshtë tek këpucët dhe i kisha qejf, sot moda ka ndryshuar) dhe një këmishë ngjitur pas trupit. Një veshje që për mua ishte normale. Flokët i kisha pak të gjata në raport me shokët pasi mundohesha të imitoja disa shkrimtarë të huaj. Kur hyra në oborrin e shkollës mu prenë gjunjët. Shkolla ishte e rrethuar me mure të lartë dhe çdo 20 metër shikoja ushtarë me pushkë që ruanin objektet. Isha me një shokun tim. Gjëja e parë që dëgjoja mes atyre që vinin për herë të parë ishte vetëm të mos biem në Artilerinë Kundërajrore. Fillova të pyes çfarë është Artileria Kundërajrore. Më thanë se ishte dega më e vështirë, ka mësime të vështira, ndërsa në jetë ka shumë shërbime. Pra jetë shumë e kufizuar. Më filluan sërish dridhmat. Bobobobobobo sikur të më çojnë aty? Na rreshtuan tek fusha e sportit. Ishin qindra vetë disa civilë disa me rroba ushtarake të skënderbegsave. Nuk e di kush lexonte pro kush dëgjonte emrin vinte një oficer dhe i rreshtonte sipas degëve. Ja në altoparlant dëgjoj të flitet: Tani Artileria Kundërajrore! Një heshtje e tmerrshme. Nuk e di dhe pse oficeri nuk po fillonte leximin. Kjo zgjati rreth dy minuta. Fillova të dridhesha. Ja filloi…Albert Zoto Zholi. I pari në Artilerinë Kundërajrore, unë. Degën që më futi drithërima. U preva në fytyrë.   Dola nga rreshti dhe u ula në bordurë. Një oficer erdhi me vrap dhe më tha çohu mos dil nga rreshti. Gati po më binte të fikët. Kur u shpërndanë pyeta një shok që ku është zyra e RustemPeçit. Ika në drejtimin e  treguar. Rrija para hyrjes së zyrës së tij  pasi roja nuk më linte të hyja. Për fatin tim ai po dilte nga zyra. Unë me vrap i dola para. Të gjithë rreth e rrotull shtangën. Ai më pa dhe ndaloi: – Çfarë do? Pse je veshur si “gangster”?

-Nga je?- mu drejtua ai. -Shoku komandant, unë me origjinë jam nga Progonati. Quhem Albert Zholi. Më caktuan në Artilerinë Kundërajrore. Të lutem më ndërro degën. Babai më ka folur shumë për ju! Ai më pa me inat dhe më tha: -Të të ndërroj degën?! Je dhe nga Progonati nga Zholajt?! Turp të të vij. Kush do shkojë në atë degë? Kush? Ti je më i nderuari që je aty, sepse degët e vështira janë për njerëzit e ditur që sakrifikojnë për Atdheun. Mos më dil më përpara për këtë problem. Dëgjove? E di emrin e kujt mban kjo shkollë? Dhe dëgjo, dëgjo, mi bë zero ato flokë, zero. Dhe ato rroba hidhi tutje, hidhi- shqiptoi me ton të ashpër ai, duke më parë për disa sekonda në fytyrë. Më pa sikur më fotografonte. I lashë përshtypje të keqe. Por mua toka më lëvizi nën këmbë. Fati im u vulos ato çaste. Komandanti iku, ndërsa unë për disa minuta ngela aty në këmbë si statujë…