Jovan Bizhyti: Pashka, kalimi nga vuajtja e vdekja në ringjallje te jetës

53
Sigal

Pashka, një festë që lidhet me një ngjarje historike mistike e lashtësisë, e kthyer në një besim të madh të Krishterimit. Ajo është një nga festat më të rëndësishme të besimtrarëve të krishterë. Kjo histori mistike, është një legjendë e shkruar në librat e krishterimit, veçanërisht në Bibël dhe në Ungjijt e Mateosit e të Lukës, që flasin për historinë e lashtë të krishterimit, të këtij besimi, që lindi në mbarë njerëzimin, pas besimit Pagan të adhurimit të simboleve të natyrës, që njerëzimi i personofikonte si Perëndi e plotëfuqishme.

Kjo legjendë e shkruar tashmë dhe e kthyer në besim të krishter, tregon jo vetëm fillesat e këtij besimi që lidhen me lindjen e figurës së një personaliteti njerëzor mistik i quajtur Jezu Nazareti, (Krishti), por dhe fillimin e një kalendari të ri për epokën e njerëzimit, i cili ndanë periudhën e antikitetit të vjetër rromak me periudhën e re pas Krishtit, nga e cila kanë kaluar 21 shekuj. Pra, Krishti dhe krishterimi, janë muri ndarës midis këtyre dy epokave që ka kaluar dhe po kalon njerëzimi. Ishte periudha antike e pushtimit të Perandorisë Romake, që kish pushtuar jo vetëm një pjesë të Europës ku përfshihej kryesisht dhe Ballkani, por dhe një pjesë të kontinentit të Afrikës veriore në territoret e Lindjes së Mesme ku përfshiheshin dhe territoret Hebraike, sot Izraeli.

Jezu Nazareti (Krishti), ishte Hebre dhe lindi nga dy prindër, Jozefi dhe Maria. Jozefi ishte punonjës druri (marangoz). Familja e tyre jetonte në një dhomë me qerpiç, ku gjysma ishte kasolle për bagëtitë. Kur vdiq i ati Jozefi, Jezusi habiti familjarët dhe fqinjët me lutjet e tij mbi trupin e të atit. Më pas ai u bë kryetar i familjes. Në moshën 29 vjeç, u pagëzua nga i Ungji, Joan Pagëzori në ujin e lumit Jordan.

Udhëtonte në shumë vende, i veshur me një këmishë të linjtë që e mbante shtrënguar në mes me një rrip mesi. Në këmbë mbante sandale lëkure me lidhëse, kurse në krahë, një trastë dhe në dorë një bastun prej dru thane. Njerëzit që takonte në rrugë e në ambjente të tjera të hapura, u fliste për të kundërshtuar pushtimin romak, të luftonin për të drejtat e tyre kundër pushtetit të Çezarit dhe pasi i përqafonte e i puthte, u thoshte:- “Paqa qoftë me ju”!

Meqënëse ushtarët romak e kërkonin Jezusin për ta arrestuar si kundërshtar i pushtetit të Çezarit, i vëllai i tij më i vogël, Xhejmsi dhe Apostujt që e shoqëronin, e bindën të largohej nga Jeruzalemi, për ta çuar mesazhin e tij në një tjetër vend. Jezusi duke kaluar nëpër luginën e Kidronit, u spiunua nga disa kundërshtarë dhe ushtarët romakë, e kapën dhe e arrestuan së bashku me disa nga bashkëpuntorët e tij. Një nga ata që e spiunoi tek romakët, ishte dhe Juda, që bënte pjesë në 12 Apostujt që Jezusi mbante pas. Juda u tha priftërinjëve dhe ushtarëve romakë, se:- “Jezu Nazareti është midis shokëve të tij dhe nuk dallohet lehtë, ai që unë do e përqafoj më fortë dhe do ta puth, ai është Jezusi”. Dhe kur shkoi pranë tyre, Juda u afrua dhe e përqafoi Jezusin”.

-“Të përshëndes mjeshtër”,- i tha dhe e puthi. Jezusi e vështroi me kurreshtje!

-“Miku im,- i tha, bëj atë për çfarë ke ardhur”!

Ata e arrestuan, duke i lidhur duartë dhe pa hezitim e dorëzuan tek kryeqeveritari, Pont Pilati. Mëngjezin tjetër, Jezusin e nxorën para pallatit të Herodit dhe gjyqin ia bëri Pont Pilati, guvernatori i Judeas me akuzën:-“Për veprime kryengritëse kundër perandorisë, nxitje të trazirave dhe ka penguar popullin ti japi taksat Çezarit”! Dëshmitarët ishin rromakë dhe pasi e rrahën me kamxhik tridhëmbaç, me rreth 100 goditje, e çuan të sfilitur në një shpat kodre afër mureve të Jeruzalemit. I dënuar me vdekje, ai u kryqëzua në një kryq prej dru ulliri.

Në agoni nga rrahjet makabre, një ushtar romak e çpoi në trup me një heshtë, që i shkaktoi shumë hemoragji. Në orët e pasditës, e panë që trupi i tij pa ndjenja ishte ftohur, e deklaruan të vdekur! Dy miq të tij, Nikodemusi dhe Jozefi, sipas ligjit romak, që lejonte marrjen e kufomës dhe një varrim me nder për ata që ekzekutoheshin për arsye politike, i kërkuan Pilatit ta mernin kufomën për t’i bërë një varrim të hijshëm. Dhe dëshira e tyre u plotësua. Pasi e morën trupin e Jezusit, e mbështollën me një pëlhurë të bardhë dhe e varrosën në kopshtin pranë varreve private të familjes. Trupin e Jezusit e vendosën në një varrguvë prej shkëmbi dhe i vunë mbi të një gurë shumë të rëndë. Magdalena, një mikeshë, që Jezusi e kish shëruar nga mëkatet duke e sjellë në rrugë të mbarë, qëndroi në paradhomë për të ruajtur trupin e tij të varrosur në varrguvën e shkëmbit. Të nesërmen, kur njerëzit po vinin për ta nderuar, ajo u doli përpara dhe u tha:

-“Vëllezër, një mrekulli! Mjeshtri u ngritë nga varri dhe në varrguvë ka mbetur vetëm qefini i pëlhurës, ai është ringjallur!” Dhe Jezusi ishte vërtetë i gjallë! Kjo ndodhi pas 24 orësh të ekzekutimit të tij, pas orës 12 të mesnatës, kur ai u ngjallë dhe u ngritë nga shtrati i vdekjes! Besimtarët të gëzuar, u përshëndetën me shprehjen:-“Jezusi u ngjallë!” Të pranishit u përgjigjën:-“Vërtetë u ngjallë!”

Njerëzit më të afërt e çuan tek një mjek popullorë për ta mjekuar dhe heshta e ushtarit romak, për fat nuk i kish çpuar organet jetike dhe kjo bëri që ai mbijetoi, por me një shëndet të lig. Njerëzit që mësuan përjetimin e tij, e quajtën një mrekulli! Jezusi jetonte, ai ishte biri i Perëndisë dhe ajo e ringjalli atë për të mirën e njerëzimit. Nga ajo ringjallje, rilindën ditët e kalendarit të ri të krishterimit. Pra, jeta njerëzore u përtëri. Atë ditë të ringjalljes së birit të Perëndisë, njerëzimi i krishterë e ktheu në ditë feste dhe e quajti, “Pashka”, nga hebraishtja e lashtë, që do të thotë, kalimi nga vuajtja e vdekja, në ringjallje të jetës!

Pasi u ringjallë, Jezusi thirri vëllain, Xheimsin dhe xhaxhain, Simeonin në një vend të fshehtë dhe u tha:-“Ju jeni njerëzit e mi më të dashur. Në shtëpinë e atit tim ka shumë banesa dhe unë duhet t’i vizitoj e të përhap mesazhin e shpëtimit tim, deri sa të më thërrasë të ngjitem tek im Atë”.

Në atë kohë ambjentin e mbuloi një re e bardhë mjergullnaje, që shpërndante tym e errësirë! Ata e shoqëruan Zotin e tyre deri në agim, para se të këndonte gjeli dhe ai i bekoi, ngriti duartë lartë duke u lutur dhe me bastunin në dorë, u largua dhe u zhduk në mjergull e në errësirë! Lajmi u përhap anë e kënd, deri dhe tek hebrejtë skllevër të Egjiptit, që ndërtonin Piramidat e famëshme legjendare të lashtësisë.

Ati i Madh, atë ditë të gëzuar, e hapi rrugën në detin e Kuq dhe skllevërit kaluan matanë për të festuar ringjalljen e Birit të Perëndisë. Një fshatar hebre me koshin e mbushur me vezë, kish dalë për ti shitur në treg. Njerëzit enthuziastë brohorisnin:-“Jezusi u ngjallë”, “Jezusi u ngjallë”! Fshatari u shtang nga ky lajm, se kur kaloi një ditë më parë, Jezusin e pa të mbërthyer në kryqin prej dru ulliri të skuqur në gjak dhe e mëshiroi! I habitur nga ky lajm i papritur, ai thirri me të madhe:

-“S’ka mundësi o njerëz të ngjallet i vdekuri! Kjo është njëlloj sikur unë të them, se vezët e mia të bardha që kam në kosh, janë bërë të kuqe!” Dhe kur hodhi sytë, çuditërisht pa se vezët në koshin e drunjtë, ishin bërë vërtetë të kuqe! Dhe nga habia e mirësia që e pushtoi, fshatari ua shpërndau vezët e kuqe njerëzve falas atë ditë të shenjtë të ringjalljes, që krishterimi e quajti, dita e Pashkës, e ringjalljes mbi vdekjen, e kalimit në jetën e re. Nga ajo ditë, veza e kuqe mbeti simbol i Pashkës, i gjakut të Jezusit dhe i ringjalljes së tij. Jezusi, kohë më pas, shëtiti në shumë vende të botës, deri dhe në Romë, duke përhapur mesazhin e tij të paqes e mirësisë për gjithë njerëzimin.

Jezusi dhe dishepujt e tij që u kthyen në shenjtërim si engjuj në shërbim të Zotit, ishin njerëz me frymë, me mish e gjak, që me urtësinë dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit, krijuan besimin e tij dhe ai i mori pranë vetes e u dha mesazhet për të qenë në shërbim të njerëzimit.

Në mesazhin e tij, Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Joan Pelushi, me rastin e Pashkëve, shkruan:-“Ngjallja e Krishtit nuk është një ngjarje dhe një kremtim që ka të bëjë vetëm me Atë, por edhe me ne, sepse Ai na bëri pjesëtarë të ngjalljes së Tij, nëpërmjet plotësisë së natyrës së Tij njerëzore. Ngjallja e Tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit, duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke u bërë treguesi i plotësimit përfundimtar të natyrës sonë njerëzore”.

Kurse Shën Grigor Theollogu, shkruan:-“Ai që sot u ngjall, do të na përtërijë në shpirt dhe do të na veshë me njeriun e ri. Për Pashkë, jemi thirrur të përqafojmë njëri-tjetrin dhe, për shkak të Ngjalljes jetëdhënëse të Krishtit, të falim njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasim me një zemër të pastër: -Krishti u Ngjall”! Pra, Pashka, nga hebraishtja e lashtë do të thotë:-“Ringjallje, kalimi nga vuajtja e vdekja, në ringjallje të jetës”!