Një tjetër stuhi ligjore pritet të godasë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pas dorëzimit të një shtese kallëzimi penal në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Akuzat e reja flasin për një dëm marramendës prej 123 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit, të ardhur si pasojë e faljes abuzive të gjobave ndaj kompanisë “Bankers”.
Sipas detajeve të bëra publike gjatë një interviste avokatja Adriana Kalaja, ky veprim është kryer në mënyrë tërësisht antiligjore dhe në shkelje të plotë të Kushtetutës, duke anashkaluar kompetencat e organeve tatimore. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se Gjykata e Arbitrazhit i kishte dhënë të drejtë shtetit shqiptar në këtë përballje. Megjithatë, një urdhër arbitrar mjaftoi për të fshirë detyrimet financiare të kompanisë.
Kallëzimi i depozituar në SPAK nuk implikon vetëm Ballukun. Në dosjen e re kërkohet regjistrimi i procedimit penal edhe për ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, dhe ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj. Dokumentacioni dhe korrespondencat shkresore të dorëzuara tregojnë se këta të fundit kanë firmosur dhe bashkëpunuar në këtë skemë, e cila po hetohet për një sërë veprash të rënda: shpërdorim detyre, ushtrim i ndikimit të paligjshëm, pastrim i produkteve të veprës penale dhe deri tek organizimi kriminal.
Pretendimet shkojnë edhe më tej, duke theksuar se kjo skemë komplekse nuk mund të realizohej pa një vullnet politik nga nivelet më të larta, duke drejtuar gishtin drejt kryeministrit Edi Rama si koka e këtij organizimi të dyshuar.


















