Kompensimi 10% i TVSH, aplikojnë mbi 1 mijë fermerë për një vlerë 3,5 mln euro

Arrin mbi 1 mijë numri i aplikimeve nga fermerët për përfitimin e kompensimit 10% të TVSH përmes autofaturave të lëshuara ndaj tyre nga përpunuesit apo grumbulluesit e licencuar.

Sipas të dhënave të administratës tatimore deri më 20 Korrik 2026 janë dorëzuar 1,265 aplikime, me një vlerë totale të kompensimit të kërkuar prej 3,5 mln euro.

Sigal

Aplikimet për kompensimin e TVSH-së nisën më 1 Korrik 2026.

Aplikimet kryhen përmes sistemit e-Filing, për të gjithë fermerët e pajisur me NIPT.

Pas hyrjes në e-Filing fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.

Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri.

Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht vetë shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit të kompensimit 10%.

Po ashtu, sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë.

Qëllimi i kësaj skeme është të rimbursojë TVSH-në 10% që fermeri ka paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke nxitur formalizimin e transaksioneve në sektor.