Lumturi Vladi është lindur në Tiranë më 18 tetor të vitit 1954. Ajo krenohet me origjinën e saj pezake, si tiranse, që vërtet ka lënë gjurmë ndër brezat e të shkolluarve prej saj. Shkollën 8- vjeçare e mbaroi në shkollën “1 Maji”, në Tiranë dhe po në kryeqytet përfundoi shkollimi i mesëm për gjuhën frënge, te Gjuhët e Huaja, në shkollën”Asim Vokshi”. Në vitin 1980 përfundoi arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, dega Histori-Gjeografi. Fillimet e punësimit të saj ishin në arsim, si mësuese në dispozicion. Punoi kështu për 17 vjet, derisa në vitin 1991-shin filloi si mësuese dhe drejtuese në shkollën “11 Janari” në kryeqytet, ku punoi deri në vitin 2002. U transferua më pas drejtoreshë në shkollën “Hoxha Tahsin”, deri në vitin 2005. Në 5 shtator të atij viti filloi punë jo si drejtuese, por si mësuese në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto, në Tiranë ku qëndroi për 10 vjet. Në shkurt të 2013-ës u emërua drejtoreshë në shkollën “Dora d’Istria”, institucioni arsimor i fundit prej nga ku ajo doli në pension me vlerësime të shkëlqyera nga komuniteti dhe institucionet shtetërore. Nuk mund të manipulosh një komunitet, një opinion sado që të përpiqesh. Duhet të kesh kontributin e Lumturi Vladit si mësuese që të meritosh vlerësimin e nxënësve, prindërve dhe të opinionit në tërësi. Ky vlerësim për të është publikuar dhe nëpërmjet gjashtë librave të botuar për të, ku janë përfshirë intervistat të dhënë gazetave, apo televizioneve të ndryshme, krijimet e nxënësve dedikuar asaj, shumë komente nga gazetarë dhe studiues të arsimit në Shqipëri!.

Ndihem e privilegjuar që jam vajza jote
…Ndihem e privilegjuar që jam vajza jote. Ti më frymëzon për të ecur përpara në rrugën time. Përulem para teje dhe të puth duart e tua të arta. Një jetë nuk më mjafton për të treguar me vepra mirënjohjen për gjithçka ke bërë dhe vazhdon të bësh për mua. Dëshiroj që t’i kem përmbushur sa më mirë këshillat e tua.
Jetë të gjatë e të lumtur, Nënë Tereza e nxënësve!
Valbona Vladi. Koça 38

Mamit
Më merr shumë malli për ty, o e shtrenjta ime Xhavite, për këshillën tënde të urtë se ju e tillë keni qenë. Me atë zërin tënd të ëmbël, të butë dhe mua që më thotë e gjithë shoqëria jote, vëllezërit e mi, që ia ke këputur kokën Xhavites dhe unë që i përgjigjem: jam krenare që i ngjaj engjëllit tim. Më merr dhe do të më marrë shumë malli për ty, mamaja ime e dashur, më mungon shumë. Çdo natë, mendoj për ju, mamaja ime e dashur.
Valbona për gjyshen
Nënë Xhavitja ishte njësh dhe ti je njësh.
Shpirti i saj është pranë nesh. Në çdo moment ndjej frymën e saj. Të rralla i kishte shoqet. Unë pata fatin e madh të rritesha nën kujdesin e saj. Të kam dashur shumë nëna Xhavitja dhe do të të dua përjetë me gjithë shpirt.
Dhuroni veç dashuri e mirësi
Jeni më tepër si një nënë, sesa një drejtoreshë.
Askush nuk do të harxhonte aq shumë frymë e mund në ditë për të zgjidhur problemet tona.
Jeni e veçantë në të gjitha drejtimet. S’di nga t’ia filloj. Dhuroni veç dashuri e mirësi, gjë që na lumturon gjithnjë e më shumë. Jeni modeli më i mirë që gjithkush mund të ndjekë. Jeni më tepër se një yll, mbretëreshë e gjithësisë dhe e tillë do të ngeleni në mendjen time.
Eva Tavo, 13.6.2014
Me shumë mirënjohje ty do të kujtoj
Këto vargje të thjeshta që tani po lexoj,
mësueses sime të dashur sot po ia kushtoj.
Një puthje të ëmbël me shumë falënderim,
Ty, zysh Lume, të dërgoj në emrin tim.
Të jam mirënjohëse, të falënderoj,
se çdo gjë që di nga ti e mësoj.
Në gjithçka që lexoj, në gjithçka që shkruaj,
je dhe ti, mësuesja e paharruar.
Edhe kur të rritem, kurrë s’do të harroj,
me shumë mirënjohje ty do të kujtoj.
Shumë mësues do të kem për vite me radhë,
por ti do mbetesh mësuesja më e dashur.
Vitet do të kalojnë, por çdo sekondë e orë
me ty kujtimet do të mbeten përgjithmonë.
Tuhida Xhaferri, 21.3.2012

E dashura mbretëresha jonë, zysh Lume
Çdo ditë për ju mendoj,
më bëhet zemra mal.
Çdo çast ju kujtoj,
kurrë s’do t’u harroj.
Ju jeni lumturia,
dashuria dhe kënaqësia,
lotët dhe hidhërimi…
Me ju qesh e qaj,
Ju dua me mall.
Preshila Gjoka dhe Anisa Tufa, 28.9.2012
Shumë fëmijë janë të pashpresë
Jam 14 vjeçe. Jetoj në një qytet të trazuar e me njerëz të pabesë. Shumë fëmijë i gjen rrugëve, të paarsimuar, të uritur. U duket njësoj dita dhe nata.
Ju, mësuese Lume, ndjeni keqardhje për ta. Por jo vetëm kaq. Kur ka ardhur rasti, i keni ndihmuar, i keni bërë të ndihen më mirë.
Zysh Lume, je njëshi në këtë jetë.
Enxhi Dodaj, 1.10.2012
Engjëlli i fëmijëve
Shoh gjethet që bien
dhe e vetmuar them:
– Mos vallë jam në botën e ëndrrave?!
Dëgjoj një zë të ëmbël e mbresëlënës.
Pyes veten:
Mos po më bëjnë veshët, apo…
Të jetë mësuesja ime?
Nuk u gabova, ajo ishte:
Mësuesja ime e dashur.
Më dolën disa lot papritmas.
Nuk qaja, dëgjoja zemrën time,
në të kishte hyrë një engjëll!
E pyes, kush ma dha këtë kënaqësi?
Në vend të saj më përgjigjet qielli i kaltër:
– Është zysh Lumja… Engjëlli i fëmijëve
Ina Buzo, 9.10.2013
Ti gjithmonë ndriçon
Elegante dhe e ëmbël.
Je e zgjuar,
të shoh në ëndërr.
Kudo që shkoj
Ty të kujtoj…
Në mendjen time
Ty të imagjinoj.
Çfarë do që të veshësh,
Ty të shkon,
me gjithë qenien tënde,
Ti gjithmonë ndriçon.
Sofia Toma
Ti përcjell veç dashuri
Ti je lulja e pranverës që çel në çdo klasë;
je flladi i vjeshtës që gjethet i merr pas,
je dëbora e dimrit që zbardh gjithçka,
je ujëvara e verës që na freskon çdo çast.
Je dielli që ngroh, hëna që ndriçon.
Nxënësit të duan, askush nuk të harron!
Në çdo klasë që kalon,
përcjell veç dashuri…
Një zemër të madhe ke,
brenda saj jetojnë qindra fëmijë!
Elirgeta Braha, 8.10.2012
Nënë Madhja
Më parë shkolla jonë dukej sikur ishte e mbuluar nga errësira. Askush dhe për asgjë nuk vinte dorë mbi shkollën tonë. Shpresa jonë pothuajse po mbaronte. Por në momentin e fundit kur e keqja do të na përpinte, na erdhi dhe ndërhyri “Zoti i DRITËS”, Lumja. Ajo luftoi me të keqen me të gjitha forcat e saj dhe e mundi errësirën. Tani shkolla “Dora d’Istria” është një parajsë e madhe me “gardianen” e saj, “Nënë Madhen”.
Armir Pepkola, 11.6.2014
Ah, nënë Lumja !
Para se të vinte “nënë” Lumja jonë e dashur në shkollë, ne jemi ndjerë të huaj. Nxirrnim ushqimet nga çanta kur vinte pushimi i madh, por ç’ndodhte? Disa djem të klasave të larta vinin dhe na merrnin ushqimin, paratë, ujin dhe na ngacmonin. Në shkollë shumë shpesh vinte edhe policia, sepse nxënësit grindeshin me thika, me grushte dhe me mjete të forta. Kudo në shkollë ndjehej aromë e pakëndshme duhani. Kur në shkollën tonë erdhi thesari ynë, Lumturi Vladi, asnjë nga këto probleme nuk ndodhin më. Ajo ishte shpëtimi ynë, shpëtimi i shkollës sonë.
Ajla Qefalia





















