Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Sonte duke pirë verë

Sonte duke pirë verë,

gota e verës

Sigal

m’u drodh në dorë

dhe nuk po e dëgjoja më

Rock-un e mbrëmjes.

Përballë

dy sy

si të tutë

dalëbefas e

me buzëqeshjen tënde

m’a turbulluan çastin.

Ishte si të më mbërthenin në kryqin e Krishtit

dhe e pa mundur të shqitesha.

Dhimbja

paska pamje të gëzuara, kujtime të largëta,

që vinë e që shkojnë

nëpër errësira të panjohura.

Diçka si mjergull,

diçka si dritë e butë mëngjezi,

diçka si këngë

teksa dielli perëndon përtej dritave të qytetit,

diçka si lumturi e humbur,

gjithsesi

e humbur.

Hëna

befas e shëmtoi

pamjen e vet gjysmake…

 

Ish aq i gjallë deti

ish aq i gjallë deti atë ditë!

Nëpër qiellin e vdekur fluturonin dallëndyshe të turpëruara,

rrezet dielli i thyente përtej nëpër gurishte,

pa një rënkim.

Dashurohesha me ty e dashurohesha rishmë

sa kish lindur dita.

Sërish këtu dita sa ka lindur!

Ti më je e largët, një hënë, që fiket perëndimit…

Bari diç i thotë ajrit, gjelbërohet. era

dhe gjaku diç më thonë mua, prej lashtësie zërat.

Rënkime që shuhen në ranishte.

Fryma shpërthen, jehon, kërkon të vdekurit e humbur!

E hutuar një varkë peshkatari kërkon shteg nëpër kaltërsi të paanë!

E ashpër mëshira, m’i ndëshkon kujtimet me dhimbje, e ashpër!

Qahen hijet, shtëpi të zymta të braktisura dhe ato…

Deti nuk është aq i gjallë sot!

Aroma e lehtë e kurmit tënd është këtu, aq pranë, i kapshëm.

Fluturojnë në lakore të mbyllura dallëndyshet, zhgënjyer.

Zhgënjyes një kthim imi në të largëtën e pamundur…